Ende nuk është zhbllokuar procedura e pagesës së projekteve kulturore në RMV

Ministrja e Kulturës, Irena Stefoska në pyetjen e Portalb.mk, në lidhje me ndërprerjen e pagesave për projektet kulturore për vitin 2020 nga ana e Qeverisë, tha se pret që institucionet kompetente ta mbarojnë punën e tyre, njofton Portalb.mk.

“Pasi që institucionet kompetente do ta mbarojnë punën e tyre, ajo është shumë e rëndësishme, pas tyre unë si ministre, por edhe institucionet kompetente do të dorëzojmë informata, pas asaj menjëherë do të nisim me pagesën e të gjitha projektet për të cilat ka bazë ligjore”, tha Stefovska.

Ndërprerjen e pagesave e miratoi Qeveria në fillim të këtij muaji dhe e udhëzoi Ministrinë e Kulturës që të thërrasë inspektim financiar.

“Qeveria rishikoi dhe miratoi Informacionin mbi detyrimet e përgjithshme të papaguara të Ministrisë së Kulturës për projektet e zgjedhura në Konkurset Vjetore për financimin e projekteve me interes kombëtar në kulturë për vitin 2020 dhe udhëzoi Ministrinë e Kulturës të mos i paguajë fondet për përdoruesit pa përcaktuar bazën ligjore për ato fonde”, thanë nga Qeveria më 9 shkurt.

Qeveria obligoi Ministrinë e Financave, përmes Sektorit për Inspektimin Financiar, të kryejë kontroll në Ministrinë e Kulturës, e cila u obliguar që pas kryerjes së kontrolleve financiare të informojë Qeverinë.

Bëhet fjalë për  projekte nga Programi vjetor për projekte me interes publik në kulturë, i cili u miratua gjatë mandatit të ministrit të mëparshëm të Kulturës Hysni Ismaili. Irena Stefoska është ministre e Kulturës që nga 31 gushti i vitit 2020.

Stefoska në nëntor tha se pagesa e projekteve kulturore ishte vonuar pasi revizioni i brendshëm në Ministrinë e Kulturës shqyrtoi pse në korrik dhe gusht janë përfunduar aneks marrëveshjet për rritjen e shumave në aktivitete të caktuara dhe u pranuan projekte pas ankesave të cilat më parë ishin refuzuar.

Ministrja sot tha se gjithashtu kanë përgatitur edhe metodologji për vlerën e pikëve gjatë vlerësimit të projekteve.

“Bëhet fjalë për vërejtje nga Enti Shtetëror i Revizionit, i cili në disa raporte, gjatë viteve të kaluara, por edhe të fundit që e presim tani të jetë përfundimtar dhe ta publikojnë, thonë se ka problem me mungesën e metodologjisë precize për punën e komisioneve profesionale, më saktë për vlerën e pikës, gjatë vlerësimit. Në bashkëpunim me ekspertët e ESHR-së kemi përgatitur model, i cili është treguar se funksionon për caktimin e vlerës së pikës gjatë vlerësimi. Kjo është një ndër vërejtët kryesore në raportet e ESHR-së se pika nuk ka vlerë”, tha Stefovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button