Kufizime për furnizim me ujë në Tetovë, sërish ka krisur tubi i rrjetit të ri të ujësjellësit

Ka shpërthyer sërish tubi i sistemit të ri të ujësjellësit me të cilin Tetova furnizohet me ujë të pijshëm. NPK Tetovë konfirmoi se është krisur tubi plastik nga rrjeti i ri i furnizimit me ujë nga kryqëzimi afër lokalitetit të Lesnicës. Për shkak të kësaj, në mënyrë drastike ka rënë shtypja e ujit  në rrjetin e ujësjellësit dhe janë vendosur kufizime për furnizim, njofton Portalb.mk.

“Për shkak të defektit serioz të shkaktuar në linjën e Leshnicës, uji në rezervuaret e qytetit pëson rënie drastike në një mesatare prej 150 l/s. Me qëllim të furnizimit të barabartë me ujë për pije në të gjitha pjesët kritike të qytetit,prej sot jemi të detyruar që të fillojmë me restrikcion të ujit për pije, edhe atë nga ora 08:30 deri 11:30 si dhe pasdite nga 15:00 deri 18:00, kurse nga mesnata nga ora 00:00 deri në orën 05:00”, njoftojnë nga NPK Tetovë.

Për lehtësimin e mungesës së ujit të pijshëm në rrjetin e ujësjellësit të qytetit, ndërmarrja në fjalë ka aktivizuar edhe katër bunarë që gjenden në qytetin e Tetovës: bunarin te qendra sportive, te spitali klinik i qytetit, te ish fabrika “ЕТКО” dhe bunarin te Shkolla e Mesme profesionale komunale “Mosha Pijade”-Tetovë.
Ky kufizim do të vlej deri në sanimin e defektit në linjën kryesore të Leshnicës.

Sistemi i vjetër i furnizimit me ujë dhe katër bunarët tani sigurojnë rreth 200 litra ujë në sekondë, gjë që është e pamjaftueshme për furnizimin normal të qytetit.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin defekte në sistemin e ujësjellësit, i cili para tre vitesh u vendos në përdorim. Vitin e kaluar, gjithashtu për shkak të një tubi të krisur të sistemit të ri të ujësjellësit, kishte ndërprerje në furnizimin me ujë të pijshëm, kurse në janar, për shkak të turbullimit të ujit, sistemi i furnizimit me ujë ishte jashtë përdorimit për disa ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button