fbpx

Nderim Pollozhani: Bëjeni sportin dhe natyrën pjesë të jetës suaj (VIDEO)

Nga fillimi i pandemisë, ngjitjet nëpër male janë bërë një prej atraksioneve më të pëlqyera për njerëzit. Për Nderim Pollozhanin, motivi më i mirë të t’u çlodhur dhe për ta shijuar jetën padyshim që është afërsia me natyrën dhe sporti. Nderimi vjen nga Struga, është mësimdhënës në shkollën e mesme “Niko Nestor në Strugë”, po ashtu drejton një kompani zvicerane me seli në këtë qytet, shkruan Portalb.mk.

Struga si qytet të ofron liqenin, ku mund të shijosh kaltërsinë e ujit të pastër nëpërmjet sporteve të ujit. Të ofron Drinin e Zi, ku mund të lundrosh me kajak. Të ofron malet dhe natyrën përrallore që të bëjnë për vete. Nderimi për këtë qytet të vogël flet me aq pasion. Është krenar që është nga të rrallët që i shfrytëzon në maksimum këto resurse, të cilat janë falas.

“Mund të ndodhë që brenda muajit ta ngjisësh një maje disa herë dhe asnjëra herë nuk është e ngjashme me të parën. Pra, emocionet janë ndryshe sa herë që del në natyrë. Por, do ta veçoja ngjitjen e mbretëreshës së alpeve shqiptare, majën e Jezercës dhe turën triditore: Koman-Valbonë-Theth. Mund të them lirisht se kush nuk e ka vizituar këtë të fundit, nuk e ka parë Shqipërinë.” u shpreh Nderim Pollozhani.

Ngjitja në male është një prej sporteve më atraktive për momentin. Kushdo që është nisur një herë në mal, më pas i është bërë rutinë javore.

“Unë mendoj se secili prej nesh së paku një herë në javë ia ka borxh shëndetit të vet një aktivitet sportiv. Në këtë rast, kënaqësinë që ta ofron ngjitja dhe benefitet shëndetësore dhe sociale, ta bën pjesë të pandashme të jetës. Gjithmonë i them vetes, sa të jem gjallë, të mos ndahem kurrë nga natyra, sepse e kam kuptuar çelësin e të jetuarit.” tha Pollozhani.

Aksidentet në natyrë mund të jenë të pranishme. Fatmirësisht, deri më tani, Klubi i Bjeshkatarëve të Stugës, nuk ka regjistruar asnjë aksident. Për t’i shmangur aksidentet, gjithmonë duhet t’i ndjekësh shtigjet e shënuara, t’i respektosh ligjet e pashkruara të natyrës dhe kur janë kushtet e papërshtatshme, duhet të kthehesh. 

Kemi hasur njëherë në një distancë shumë të largët tre arinjë dhe kur e panë grupin, ata ikën, sepse ua prishëm qetësinë. Ka qenë një atraksion i vërtetë. Secili sport, por edhe natyra, ka rregullat e pashkruara që duhen respektuar që asnjeherë mos kesh rrezik, të cilat ne gjithmonë i respektojmë me profesionalizëm.” tha Nderimi.

Mesazhi që Nderimi përcolli për të rinjtë është:

“Mesazhi im është i thjeshtë: Bëjeni sportin dhe natyrën pjesë të jetës suaj, pastaj do e shifni dhe vetë se sa energji pozitive dhe mundësi të reja do t’ju dalin në jetë. Nuk kemi kohë për të humbur, jeta duhet jetuar me mundesitë që kemi.” e përmbylli Nderim Pollozhani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button