SHTET DONKISHOTESK!

Nëse shprehemi në terme mjekësore, ndonëse nuk jam mjek, por nuk do shumë mend për ta kuptuar se drejtësia në Maqedoninë e Veriut në palcë është e metastazuar me “tumore malinje” të cilët me kohë po e paralizojnë funksionimin e drejtë të sistemit të drejtësisë. Kohëve të fundit është komentuar shumë për të dhe çdo koment mbi rastet e fundit të ndodhura në intervale të shkurta kohore janë të tepërta!

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut akoma po çalon në kryerjen e funksionit të saj. Reformat e premtuara nga “qeveria reformatore” akoma nuk janë shfaqur sa duhet në reliev. Rasti i Monstrës është rasti më eklatant, i cili si ka filluar ashtu edhe ka mbaruar, ku jo më larg se dje u shqiptuan tre burgime të përjetshme dhe dy burgime me nga 15 vjet, përkatësisht 9 vjet, ditën kur ish drejtori i DSK-së, ishte zgjuar nga gjumi dhe nuk kishte kuptuar se çka po ndodhte, ani pse policia e kërkonte dy ditë me radhë?! Ç’ironi! Diskrepanca e madhe që ekziston mbi këto raste gjyqësore dëshmojnë se me të vërtetë Maqedonia e Veriut ka probleme serioze me funksionimin e drejtësisë! Gjykata vazhdon të jetë ogur i zi për shqiptarët e Maqedonisë të këtij nënqielli, të cilët ndjehen të frikësuar dhe të pasigurtë çdo ditë e më shumë. Koncepti i drejtësisë ka kohë që është bërë nocion i panjohur për to.

Rastet e fundit si ajo e Almirit, Monstra e deri te ish shefi i DSK-së, Mijallkov, për të cilin gjykata këto ditë do të duhet ta shqiptojë aktgjykimin e saj, janë indikator serioz se në çfarë gjendje të mjerueshme e kemi drejtësinë, ku padrejtësia rri këmbëkryq! Përgjegjësia e Kryeministrit, Presidentit and Co nuk diskutohet në këto raste, ata do të duhet të përgjigjen për çdo grimcë të padrejtësisë dhe hileqarisë që i bëhet qytetarit të rëndomtë, e sidomos shqiptarëve. Nuk i ka hije kryeministrit të një vendi t’i përzijë kapuçat dhe të veprojë me standarde të dyfishta kur bëhet fjala për drejtësi, në emër të së cilës e morri pushtetin?! Kujtojmë pra, sesa ishte në opozitë gjithmonë na ka mbajtur nën “ethe” se do ta zbulojë rastin Monstra dhe se të gjithë do ta zbulojmë të vërtetën, për të thënë më pas nga karrikja e kryeministrit hiq më pak para disa jave, se fjalën e fundit e ka gjykata, kurse për ish shefin e DSK-së Mijallkov për të cilin qenka lodhur 40 orë për ta gjetur ose që e paska detyruar Mijallkovin të paraqitet në Prokurori qenka meritë e tij dhe e funksionimit të institucioneve të tij, duheshka të ketë rrethana lehtësuese. Allo? Mjaftë më! Na lodhët! Shtet donkishotesk! Apo siç thotë shqiptari i këtij nënqielli: “Maqedonia asnjëherë nuk do të bëhet shtet!”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button