fbpx

ShBA, protestuesit në Kongres ishin “të përgatitur për luftë”

Zyrtarë të sigurimit të Kongresit amerikan, të cilët u larguan nga detyra pas sulmit të 6 janarit, fajësuan dështimet e inteligjencës për dhunën vdekjeprurëse.

Duke dëshmuar përpara komiteteve të Senatit, ata thanë se protestuesit “kanë ardhur të përgatitur për luftë”.

Ish-shefi i policisë së Kongresit, Steven Sund, tha se është përgatitur për protestë dhe jo “për një sulm të koordinuar të stilit ushtarak”, transmeton REL.

Ai pranoi se një raport i FBI-së, që paralajmëronte për dhunë, ishte marrë nga agjencia e tij, por tha se asnjë udhëheqës, përfshirë veten e tij, nuk ka qenë i njoftuar për raportin.

Mbështetësit e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, kanë sulmuar dhunshëm Kongresin më 6 janar, derisa ligjvënësit kanë qenë duke certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale.

Pesë njerëz, përfshirë një zyrtar të policisë, kanë vdekur në trazira.

“Kur grupi arriti në perimetër, ai nuk veproi si grupet e protestuesve që kam parë ndonjëherë”, tha Sund, veteran i policisë.

“Një mungesë e qartë e inteligjencës së saktë dhe të plotë nëpër disa agjenci federale kontribuoi në këtë ngjarje, e jo planifikimi i dobët nga policia e Kongresit të Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.

“Nga shumica e ngjarjeve ku kam punuar në karrierën time gati 19-vjeçare, kjo ishte më e keqja prej më të këqijave”, tha kapitenia e policisë së Kongresit, Carneysha Mendoza.

Ligjvënësit në Komitetin e Sigurisë së Brendshme dhe atë të Çështjeve Qeveritare gjithashtu dëgjuan se si zyrtarët ushtarakë kanë “ngurruar” të dërgojnë trupa të Gardës Kombëtare për të mbrojtur Kongresin, edhe kur ka qenë e qartë se kushtet atje janë përkeqësuar.

Trupat e para të Gardës Kombëtare janë shfaqur rreth pesë orë pasi kanë nisur trazirat.

Senatorja Amy Klobuchar, e cila udhëhoqi seancën dëgjimore, tha se zyrtarët e Pentagonit do të thirren javën e ardhshme, për të dëshmuar rreth shpërndarjes së trupave të Gardës Kombëtare.

Ish-presidenti Trump është akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së për “nxitje të kryengritjes”, por është shpallur i pafajshëm nga Senati.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button