LOTËT E JUGOSFERËS 

Jam rritur në një familje ku nuk kishte asnjë ndjenjë adhurimi për Jugosllavinë. Nuk i kam dëgjuar as këngët e lodhshme sentimentale dhe socrealiste të kantautorit Gjorgje Ballasheviq, me vijë të njëjtë muzikore ku ndryshon vetëm teksti.

Këngëtari i shërbeu regjimit komunist me artin e tij. Kënga “Besoni tek ne” e himnizon figurën e Titos dhe regjimin totalitar. Sipas tekstit, brezi i lindur pas viteve 50-të, ku bën pjesë këngëtari, i “vazhdonte ofensivat” e etërve. Ai i bënte thirrje pushtetit që të llogariste edhe në brezin e tij.

Në këngën “Tri herë e kam parë Titon”, diktatori jugosllav quhet legjendë, lirikrijues, shok, luftëtar, i buzëqeshur, i përjetshëm, nën regjimin e të cilit lartësoheshin qytetet “që jetonin lirshëm”.

Ballasheviqi, me baba serb dhe nënë kroate – hungareze, lindi në Novi Sad të Vojvodinës, që dallohej prej viseve tjera për modelin specifik (shumë)kulturor. Vojvodina është mozaik kombesh, gjuhësh e kulturash. Në planin ekonomik ka qenë hambari i shtetit jugosllav.

Ai përveçse si titist dhe ithtar i jugosllavizmit është quajtur edhe kozmopolit. Ballasheviqi ishte himnizues i sistemit titist dhe i jugosllavizmit, por nuk ishte kozmopolit. Nuk shprehu urrejtje ndaj popujve tjerë të jugosferës, por kishte qëndrim prej shovinisti ndaj shqiptarëve.

“Balasheviqi nuk është çetnik. Asnjëherë nuk ka qenë. Por qëndrimi i tij ndaj shqiptarëve nuk dallon nga ai i Sheshelit”, ka shkruar para disa vitesh gazetarja kroate Tajana Paparella. 

Qëndrimi i tij ndaj shqiptarëve nuk dalloi as nga ai i Millosheviqit, që nisi ta kundërshtonte me vonesë.

Ballasheviqi ka thënë se në Kosovë ishte krimi; se serbët ishin “vendësit”; se shqiptarët ishin “ardhacakët e shumuar nga terri fqinj”, që “shkatërronin të huajën”.

Në romanin “Tre shokë të pasluftës” thotë se shqiptarët ishin nga vendi “pa histori, pa shpezë, pa piktorë, pa balerina dhe violonçelistë”. Një qasje si e shovinistëve më të tërbuar, që shqiptarët i quanin të egër, primitivë, dhunues, plaçkitës dhe të paqytetëruar.

Ballasheviqi iku nga kjo botë prej Covid – 19. Atë e vajtojnë adhuruesit e tij nga “Vardari deri në Trigllav”, kryesisht nostalgjikët e sistemit jugosllav dhe të Titos. E vajtojnë ata që janë rritur me këngët e tij sentimentale dhe socrealiste.

As nuk lumturohem për ikjen e një këngëtari dhe as nuk pikëllohem për ikjen e një shovinisti që e ka fyer kombin tim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button