RMV, arriti dërgesa e dytë e vaksinave të Serbisë, të vaksinuarit të mos relaksohen pasi ta marrin dozën e parë

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në vendkalimin kufitar “Tabanoc”, pranoi dërgesën e dytë prej 3150 dozave të vaksinave të kompanisë Pfizer, e cila është donacion nga Serbia, transmeton Portalb.mk.

“Sot kemi përmbushur atë që e kemi premtuar. Na vjen mirë që i ndihmojmë fqinjët dhe miqtë, ne dëshirojmë që edhe ju të jeni të sigurt. Do të mundohemi edhe më tej të ndihmojmë”, deklaroi ministri Lonçar.

Ndërkaq, Filipçe tha se këto sasi do të jenë të mjaftueshme që të vaksinohen të gjithë punonjësit shëndetësor të cilët punojnë me pacientë covid.

“Ne kemi filluar me imunizimin e punonjësve shëndetësor, e cila deri më tani zhvillohet shkëlqyeshëm. Deri më tani janë vaksinuar rreth 1.300 punonjës shëndetësor dhe vazhdojnë edhe më tej. Këto sasi do të jenë të mjaftueshme që të vaksinohen të gjithë punonjësit shëndetësor”, tha ai.

Filipçe tha se, sipas paralajmërimeve, deri më 30 mijë vaksina të “AstraZeneca” duhet të arrijnë në fillim të muajit mars.

Ndërsa Lonçar, informoi se, Serbia deri më tani ka furnizuar mbi 2 milionë doza për qytetarët e saj.

“Kemi vaksina të “Pfizer”, “Sinofarm” dhe të “AstraZeneca”. Sasitë na arrijnë në nivel javor. Një pjesë e popullatës e kanë marrë doza e parë, ndërsa një pjesë janë rivaksinuar. Ajo që është e rëndësishme të dihet është de kur merret doza e parë, nuk ka lehtësim. Kemi raste kur janë vaksinuar me dozën e parë dhe më pas kanë hequr maskat dhe janë infektuar”, tha Lonçar.

Deri tani, me dërgesën e parë të vaksinave janë vaksinuar 1.155 punonjës shëndetësor e kanë pranuar vaksinën kundër Covid-19.

Përkujtojmë se më 14 shkurt, Serbia, gjegjësisht presidenti serb Aleksander Vuçiq i dhuroi Maqedonisë së Veriut dërgesën së parë të vaksinave kundër KOVID-19, 4.680 vaksina, në pikën kufitare Tabanovc, ku nikoqir ishte kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Jam i gëzuar që arritëm ta bëjë këtë, mundëm edhe para dhjetëra ditëve, por kemi pasur probleme me lejen për eksport, sipas të gjitha gjasave ka procedura të komplikuara. Serbia nuk ka kurrfarë interesa përveç të tregojë miqësi ndaj popullit maqedonas. Asgjë nuk na intereson, përveç se miqësia jonë të avancojë dhe të jetojmë si fqinj të afërt dhe miq të mirë. Mik i vërtetë është ai i cili do t’u gjendet kur e keni më rëndë, a jo më lehtë”, deklaroi Vuçiq.

Zaev tha se dërgesa e parë prej mbi 4.000 vaksinave nga “Fajzer” është akt i çmuar i miqësisë nga siç tha ai, Serbia vëllazërore, dhe është ndihmë e parë derisa të arrijnë vaksinat që vendi ka porositur.

Ndryshe, sjellja e vaksinave si donacion nga Serbia në Maqedoninë e Veriut, ishte paralajmëruar të ndodhë më 11 shkurt, por u prolongua për disa ditë, ndërsa si arsye për këtë dy qeveritë theksuan dokumentacionin teknik.

Për të siguruar mbrojtje ose imunizim kolektiv, gjegjësisht për të ndërprerë përhapjen e kovid-19, siç thonë nga Organizata Botërore të Shëndetësisë, është e nevojshme që rreth 70% e popullatës të vaksinohen. Derisa shteti po i pret dozat e para të vaksinave, ekspertët shëndetësorë vlerësojnë se duhet kohë për të vaksinuar 70 përqind të popullsisë në mënyrë që, të themi kushtimisht, të mund të “merrnim frymë” më lirshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button