Mijallkovi u “bë i gjallë”, u paraqit në Prokurori në Shkup ta merr vendimin për arrestin shtëpiak (VIDEO)

Ish kryeshefi i policisë sekrete, Sasho Mijallkov i cili tri ditë u kërkua nga autoritetet, u paraqit papritmas në Prokurori në Shkup të merr vendimin për arrestin shtëpiak, transmeton Portalb.mk. Pas kthimit të tij, në konferencë për media janë paraqitur kryeministri Zoran Zaev dhe kryeopozitari Hristijan Mickoski.

Ai tha se ka qenë i sëmurë dhe se nuk është arratisur, siç u njoftua në opinion. Ai për TV24, tha se nuk do të arratiset asnjëherë por nuk tregoi se ku ka qenë konkretisht.

“Për fat të keq dje isha shumë i sëmurë, me temperaturë mbi 40”, deklaroi Mijallkov duke theksuar që ishte i izoluar për shkak të simptomave të virusit korona dhe prandaj “nuk kanë mundur ta gjejnë”.

Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, njoftoi që në Prokurorinë për Krim të Organizuar është dorëzuar Sasho Mijallkov për arrest shtëpiak.

“Sasho Mijalkov u paraqit në Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe arresti i tij shtëpiak u sigurua..”thuhet mes tjerash në publikimin e tij në Facebook dhe paralajmëroi konferencë për media.

Ndryshe, që të dielën 21 shkurt, u përhap informata se Mijallkovi është arratisur pasi që ai ishte i pakapshëm për policinë, pak para se gjykata ta shpallë aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa” në të cilin ai është i dyshuar se e ka kryer përgjimin masiv në RMV. MPB madje e nxori me fotografi dhe biografi të shkurtër në tablonë e personave që kërkohen me fletë-arrest të brendshëm dhe ndërkombëtar. 

Gjatë gjithë kësaj kohe as policia dhe as prokuroria nuk morën përgjegjësi për punë joprofesionale. Kryeprokurorja Vilma Ruskoska thoshte se dyshon se dikush i ka ndihmuar Mijallkovit, pasi policia ka qenë duke e vëzhguar atë dhe ka pasur kontakt vizual, deri pak para arratisjes. Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në paraqitjen e tij për media tha se nuk ndjen përgjegjësi për këtë ndodhi.

Reagime të shumta për arratisjen e tij ka pasur si nga qytetarët nëpër rrjetet sociale, por edhe nga kryeministri e presidenti. U kërkua përgjegjësi, por ende nuk është gjetur përgjegjësia për kushëririn e Mijallkovit, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia e Veriut në Hungari, për t’i shpëtuar burgut.

Mijallkov akuzohet në rastin “Target-Fortesa” 

Të akuzuarit në rastin Target-Fortesa janë, Sasho Mijallkov, ish-ministrja e Brendshëm, Gordana Jankulloska dhe disa punonjës të ish-DSK-së të cilët akuzohen për përgjime të paligjshme të mbi katër mijë numrave telefonikë midis viteve 2008-2015. 

Në fjalët përfundimtare, dy prokurorët kërkuan pesë vite dënim për përgjegjësit e përgjimeve të paligjshme dhe pesë vite dënim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për të akuzuarit e rastit.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, 4,286 numra telefoni janë ndjekur në mënyrë të paligjshme për të cilat nuk janë lëshuar fare urdhëresa gjyqësore.

Komunikimi ishte ndjekur para se të lëshoheshin dhe pas skadimit të vlefshmërisë së urdhrave të gjykatës në 1,541 numra ose gjithsej 5,827 numra telefoni. Të përgjuar ishin mbi 20 mijë qytetarë.

Mijallkov, në dëshminë e tij të parë pretendonte se nuk ka asnjë provë se mijëra bisedat e regjistruara janë nga Drejtoria dhe se përgjimet janë realizuar atje. Ai pretendoi se shumë lehtë përgjimi ka mund të bëhej jashtë sistemeve të DSK-së.

Me datë 26 shkurt 2021 gjykata do ta shqiptojë aktgjykimin.

Lexoni më shumë për rastin “Target-Fortesa” duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button