Britani, vaksinimi ka ulur numrin e të hospitalizuarve nga kovid-19, planifikohet heqja e masave kufizuese

Pas Izraelit, Mbretëria e Bashkuar është një tjetër vend që ka shkuar larg me imunizimin kundër kovid-19 dhe gjithashtu ka dhënë rezultate premtuese, të cilat tregojnë rënie të ndjeshme të të hospitalizuarve, njofton Portalb.mk.

Vaksinimi në Angli dhe Skoci ka treguar se edhe një dozë siguron mbrojtje të lartë kundër sëmundjes së rëndë dhe hospitalizimit, kurse të rinjët i mbron nga sëmundja e lehtë asimptomatike. Megjithëse këto studime nuk japin prova se vaksinimi parandalon transmetimin, të dhënat tregojnë se mund të ngadalësojë përhapjen e infeksionit.

Tre studime arritën në përfundime të ngjashme pozitive në lidhje me mbrojtjen e ofruar nga vaksinat, megjithëse ato hetuan efektet në grup-mosha të ndryshme.

Një studim në Angli përfshiu punonjës shëndetësorë nën moshën 65 vjeç dhe zbuloi se një dozë e vaksinës Pfizer / Biontek uli rrezikun e infeksionit me 70%, ndërsa dy doza me 85%.

Një studim tjetër anglez përfshiu njerëz mbi moshën 80 vjeç: tre javë pas dozës së parë të vaksinës Pfizer / Biontec kishte 57 për qind efektshmëri kundër sëmundjes simptomatike, e cila u rrit në 85% pas dozës së dytë.

“Këto rezultate janë provë se strategjia është e suksesshme. Kjo tregon që vaksinat funksionojnë dhe është jashtëzakonisht inkurajuese të shihet se vaksinat sigurojnë një nivel kaq të lartë të mbrojtjes nga koronavirusi”, tha Ministri Britanik i Shëndetësisë Matt Hancock.

Edhe studimi skocez ishte po aq inkurajues: katër javë pas dhënies së dozës së parë të vaksinave Pfizer dhe AstraZeneka, rreziku i hospitalizimit u ul me 85%, gjegjësisht për 94%.

Shtatëmbëdhjetë milion britanikë kanë marrë dozën e parë të vaksinës deri më tani.

Duke parë këto rezultate Britania planifikon që deri më 21 qershor të heqë të gjitha masat kufizuese , njoftoi Kryeministri Boris Johnson, ndërsa vendi po zbaton me shpejtësi imunizimin kundër kovid-19.

Plani i Johnsonit parashikon  lehtësim gradual të masave duke filluar nga 8 marsi, kur shkollat ​​do të rihapen. Nga 29 marsi, do të lejohen mbledhje e gjashtë personave nga familje të ndryshme dhe të gjitha aktivitetet sportive në vende të hapura do të vazhdojnë.

Dyqanet, parukierët, palestrat dhe disa mjedise publike do të hapen më 12 prill, si dhe kopshtet zoologjike dhe parqet tematike.

Faza e tretë e hapjes fillon më 17 maj, kur shumica e kufizimeve në kontaktet sociale do të hiqen dhe kinematë, muzetë dhe hotelet do të rihapen, gjithmonë duke ruajtur distancën fizike. Nëpër stadiume do të lejohen 10,000 shikues.

Johnson shpreson që të gjitha kufizimet të hiqen deri më 21 qershor, kur sërish do të hapen degët e fundit të mbyllura të ekonomisë, të tilla si klubet e natës.

Rreth 17 milion britanikë deri tani e kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button