Pirovska për arratisjen e Mijallkovit: Nëse ndiqej fizikisht, si u zhduk papritmas?

Drejtoresha e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska, duke komentuar arratisjen e Sasho MijaLlkov, në paraqitjen e mbrëmjes në emisionin “360 gradë” tha se institucionet i detyrohen shumë përgjigje publikut rreth këtij skandali.

“Nëse kishte ndjekje fizike, ai nuk do të mund të ikte papritur. Prandaj, konsideroj se duhet të jepet një shpjegim për këto gjëra. Si mundet që burimi personal i Ruskovskës të ketë informacion më të mirë se Agjencia e Zbulimit? Është shumë e çuditshme… Kur ndodhi arratisja e Gruevskit, ne patëm të njëjtat vërejtje, se ai nuk ishte ndjekur mjaftueshëm dhe ekzistonte rreziku i arratisjes dhe tani e njëjta gjë po ndodh përsëri. Flasin për një lloj kontakti vizual, mendoj, kjo është qesharake. Përderisa tani nuk përcaktohet asnjë përgjegjësi, këtu tani duhet të bartë përgjegjësi ai i cili e ka marrë përsipër,  të bëjë parashikim për këto veprime. Unë këtu lëshimet i shoh në Prokurori, pse propozimi për paraburgim nuk u paraqit më herët?”, tha Pirovska.

Ndryshe, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, është arratisur të dielën, pak para se gjykata ta shpallë aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa” në të cilin ai është i dyshuar se e ka kryer përgjimin masiv në RMV. MPB dje e nxori me fotografi dhe biografi të shkurtër në tablonë e personave që kërkohen me fletë-arrest të brendshëm dhe ndërkombëtar. Prokuroria dyshon se dikush i ka ndihmuar Mijallkovit, pasi policia ka qenë duke e vëzhguar atë dhe ka pasur kontakt vizual, deri pak para arratisjes. Reagime të shumta për arratisjen e tij ka pasur si nga qytetarët nëpër rrjetet sociale, por edhe nga kryeministri e presidenti. Kërkohet përgjegjësi, por ende nuk është gjetur përgjegjësia për kushëririn e Mijallkovit, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia e Veriut në Hungari, për t’i shpëtuar burgut. Për dallim prej tij, Mijallkov kishte deklaruar se nuk është “stili i jetës së tij, ikja”, megjithatë iku.

Me kërkesë të MPB-së, është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për Mijallkovin.

Të akuzuarit në rastin Target-Fortesa janë, Sasho Mijallkov, ish-ministrja e Brendshëm, Gordana Jankulloska dhe disa punonjës të ish-DSK-së të cilët akuzohen për përgjime të paligjshme të mbi katër mijë numrave telefonikë midis viteve 2008-2015. 

Në fjalët përfundimtare, dy prokurorët kërkuan pesë vite dënim për përgjegjësit e përgjimeve të paligjshme dhe pesë vite dënim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për të akuzuarit e rastit.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, 4,286 numra telefoni janë ndjekur në mënyrë të paligjshme për të cilat nuk janë lëshuar fare urdhëresa gjyqësore.

Komunikimi ishte ndjekur para se të lëshoheshin dhe pas skadimit të vlefshmërisë së urdhrave të gjykatës në 1,541 numra ose gjithsej 5,827 numra telefoni. Të përgjuar ishin mbi 20 mijë qytetarë.

Mijallkov, në dëshminë e tij të parë pretendonte se nuk ka asnjë provë se mijëra bisedat e regjistruara janë nga Drejtoria dhe se përgjimet janë realizuar atje. Ai pretendoi se shumë lehtë përgjimi ka mund të bëhej jashtë sistemeve të DSK-së.

Me datë 26 shkurt gjykata do ta shqiptojë aktgjykimin.

Lexoni më shumë për rastin “Target-Fortesa” duke klikuar KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button