DOSJE: Detaje nga të gjitha seancat gjyqësore të rigjykimit për rastin “Monstra”

Pas më shumë se 50 seancave gjyqësore, Gjykata Penale e Shkupit, miratoi aktgjykim, rastin e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës në vitin 2012-të, nga i cili mbetën të vrarë Filip Sllavkovski (18), Aleksandar Nаqevski (18), Cvetanço Acеvski (18), Kire Tërpkovski (20) dhe Borçe Stevkovski (45). Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave, Mbrojtja e kundërshtoi vendimin, shkruan Portalb.mk.

  • Më 1 dhjetor të vitit 2017-të, Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendim për lëndën “Monstra”, me të cilën ankesat e palës mbrojtëse u pranuan, aktvendimet e shkallës së parë dhe të dytë u shfuqizuan, ndërkaq lënda u rikthye gjykim të shkallës së parë. Me këtë rast të gjithë të akuzuarit dolën nga burgu.
  • Më 21 mars të vitit 2018-të, Prokuroria Speciale e mori nën kompetencë rastin, ndërkaq prokurorë të lëndës u caktuan Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski. 
  • Më 16 maj të vitit 2018-të, u mbajt seanca e parë gjyqësore. Gjykatës të lëndës u caktuan Ognen Stavrev dhe zëvendës i tij, Osman Shabani.
  • Më 17 shtator të vitit 2019-të, lënda u rikthye në Prokurorinë e rregullt pasi Prokuroria u shua, por prokurorët mbetën të njëjtë.

Gazetari i Portalb.mk e ka monitoruar procesin gjyqësor nga afër dhe më poshtë mund t’i shikoni vegëzat e 53 seancave gjyqësore, prej kur ka filluar rigjykimi, gjegjësisht gjykimi i dytë, e deri në aktgjykim Këtu nuk janë përfshirë seancat të cilat janë anuluar, gjegjësisht nuk janë mbajtur për arsye të ndryshme.

Rasti “Monstra”, gjykimi i parë

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm, në gjykimin e parë për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Prej këtyre katër personave, Fejzi Aziri u la burg pasi që akuzohej edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”, ndërkaq, Agim Ismailloviqit, më vonë u paraburgos.

Vazhdojnë të jenë në arrati dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit 2016, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button