Ruskoska përjashton mundësinë që informacioni për paraburgimin e Mijallkovit të ketë dalë nga Prokuroria

Kryeprokurorja e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Villma Ruskoska në deklaratë për televizionin Sitel sonte mohoi se informacioni për paraburgimin e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov të ketë dalë nga ata, njofton Portalb.

“Nuk ekziston një mundësi e tillë, sepse informacionin e parë të cilin unë e dërgova në MPB e shkruaja vetë në kabinet në orët e pasdites të së shtunës dhe nuk ishte askush në punë përveç meje. Dje, të dielën, erdhën vetëm kolegët Lençe Ristovska dhe Trajçe Pelivanov, tashmë me propozim të përgatitur për gjykatë për përcaktimin e masës së paraburgimit kështu që përveç neve të treve të dielën nuk e dinte askush. Absolutisht e përjashtoj mundësinë se informacioni ka dalë nga Prokuroria”, deklaroi Ruskoska.

Ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, është arratisur pak para se gjykata ta shpallë aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa” në të cilin ai është i dyshuar se e ka kryer përgjimin masiv në RMV. MPB sot e nxori me fotografi dhe biografi të shkurtër në tablonë e personave që kërkohen me fletë-arrest të brendshëm dhe ndërkombëtar. Prokuroria dyshon se dikush i ka ndihmuar Mijallkovit, pasi që policia ka qenë duke e vëzhguar atë dhe ka pasur kontakt vizual, deri pak para arratisjes. Reagime të shumta për arratisjen e tij ka pasur si nga qytetarët nëpër rrjetet sociale, por edhe nga kryeministri e presidenti. Kërkohet përgjegjësi, por ende nuk është gjetur përgjegjësia për kushëririn e Mijallkovit, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia e Veriut në Hungari, për t’i shpëtuar burgut. Për dallim prej tij, Mijallkov kishte deklaruar se nuk është “stili i jetës së tij, ikja”, megjithatë iku.

Me kërkesë të MPB-së, është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për Mijallkovin.

“Këshilli gjyqësor menjëherë pas pranimit të kërkesës ka vendosur për urdhër-arrest ndërkombëtar”, raportojnë nga Gjykata themelore, duke sqaruar që për vendimin është njoftuar MPB-ja, e cila kishte parashtruar këtë kërkesë.

Të akuzuarit në këtë rast janë, Sasho Mijallkov, ish-ministrja e Brendshëm, Gordana Jankulloska dhe disa punonjës të ish-DSK-së të cilët akuzohen për përgjime të paligjshme të mbi katër mijë numrave telefonikë midis viteve 2008-2015. 

Në fjalët përfundimtare, dy prokurorët kërkuan pesë vite dënim për përgjegjësit e përgjimeve të paligjshme dhe pesë vite dënim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për të akuzuarit e rastit.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, 4,286 numra telefoni janë ndjekur në mënyrë të paligjshme për të cilat nuk janë lëshuar fare urdhëresa gjyqësore.

Komunikimi ishte ndjekur para se të lëshoheshin dhe pas skadimit të vlefshmërisë së urdhrave të gjykatës në 1,541 numra ose gjithsej 5,827 numra telefoni. Të përgjuar ishin mbi 20 mijë qytetarë.

Mijallkov, në dëshminë e tij të parë pretendonte se nuk ka asnjë provë se mijëra bisedat e regjistruara janë nga Drejtoria dhe se përgjimet janë realizuar atje. Ai pretendoi se shumë lehtë përgjimi ka mund të bëhej jashtë sistemeve të DSK-së.

Me datë 26 shkurt gjykata do ta shqiptojë aktgjykimin.

Lexoni më shumë për rastin “Target-Fortesa” duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button