RMV, “Jugohromit” filtrat i kanë kushtuar 13 milion euro, pritet të vendosen deri në fund të vitit

Pa sistemin e filtrimit, kjo fabrikë ishte një ndër shkaktarët kryesor të ndotjes së ajrit në rajonin e Pollogut, kryesisht në Tetovë. Bëhet fjalë për fabrikën “Jugohrom” e cila sipas drejtorit të saj, Vasko Skenderovski, është në procedurë për instalimin e sistemit të filtrimit e cila deri tani ju ka kushtuar 13 milion euro, pa ndihmë nga shteti dhe pritet të përfundoje në fund të këtij viti. Nga Qeveria e RMV-së theksuan se nuk kanë ndihmuar procesin e filtrimit për shkak se kjo fabrikë nuk i ka plotësuar kushtet, shkruan Portalb.mk.

Nga viti 2018 po rrjedh procedura për vendosjen e filtrave në fabrikën “Jugohrom” me seli në Jegunovcë, afër Tetovës.

Sipas drejtorit të “Jugohrom”-it, Vasko Skenderovski, procedura e ngadalshme, sipas tij, është “në fazën e mesme”. Ai shtoi se vullneti për realizim sa më shpejtë të kësaj pune ekziston edhe nga Qeveria e RMV-së.

Vasko Skenderovski

“Procedura për vendosjen e filtrave është në fazën e mesme. Qeveria e RMV-së tregoi vullnet për hapjen e fabrikës, jemi në bisedime intenzive me kompaninë që do ta vendose sistemin e filtrimit” tha drejtori, Vasko Skenderovski.

Përveç vullnetit të punës, sipas Skenderovskit, Qeveria e RMV-së nuk është treguar e gatshme që kësaj fabrike ti ndihmoje me mjete financiare për vendosjen e sistemit të filtrimit.

“Të gjitha filtrat (3) kushtojnë rreth 13.000.000 euro. Qeveria e RMV-së nuk na ka dhënë asgjë” tha Skenderovski.

Nga ana tjetër, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Portalb thanë se kjo kompani nuk ka plotësuar kushtet që nënkuptojnë mbrojte të ambientit, për financim nga ata.

Ai shtoi se pritet që deri në fund të këtij viti, apo më herët në tetor/nëntor të kryhet procedura e instalimit të sistemit të filtrimit në “Jugohrom”.

Megjithatë, Skenderovski potencoi se pas kësaj nuk dihet se kur mund të filloje me punë kjo fabrikë.

“Në një orar normal, besoj se deri në fund të këtij viti apo nga tetori/nëntori, sistemi i filtrimit duhet të kishte mbaruar ndërsa çështja se kur do të hapet fabrika dhe të filloje me punë, është tjetër, nuk dihet se çka do vendoset nga brenda” shtoi Skenderovski.

Ndërkaq nga Qeveria e RMV-së për Portalb.mk potencuan rastet kur kjo e fundit ndihmon kompanitë, nga atje u shprehën se fabrikat apo bizneset të cilat nuk i plotësojnë kushtet për funksionim, nuk mund të marrin as ndihmë nga shteti.

“Përderisa një ndërmarrje apo kompani nuk i plotëson kushtet për funksionim, atëherë nuk mund të merr ndihmë nga shteti. Qeveria e RMV-së është e përkushtuar në luftën për mbrojtjen e ambientit jetësorë dhe një nga qëllimet strategjike është mbështetja për arritjen e standardeve ekologjike” thanë nga Qeveria e RMV-së.

Problemi me ndërmarrjen Jugohrom erdhi pasi që kjo fabrikë nuk ka punuar me standarde ekologjike e cila solli deri te ndotja enorme e ajrit në rajonin e Pollogut. Ndotja e ajrit Tetovën e rangoi ndër qytetet evropiane me ndotjen më të madhe të ajrit. Protestat e sektorit civil nuk ishin të pakta, si pasojë e kësaj Qeveria VMRO-BDI në atë kohë i caktoi afat kohor për vendosjen e filtrave deri më 1 nëntor, si vonesë të kësaj, Jugohromi do të mbyllej.

Por, Jugohrom nuk arriti të respektojë afatin kohor, Qeveria nuk iu zgjati afatin kohor dhe në mesin e nëntorit të 2016-s u mbyll.
Pas mbylljes, rreth 900 punëtor mbetën pa punë, të cilët të organizuar në sindikatë punëtorësh, vazhdimisht kanë protestuar për humbjen e vendit të punës. 
Pas mbylljes së Jugohromit, ish-ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti publikoi raportin e gjendjes së ajrit, raport ky që vërtetoi se Jugohrom ka qenë një ndër ndotësit më të mëdhenj të rajonit të Pollogut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button