Emërtimet e rrugëve dhe emrat që mungojnë

Qyteti i Shkupit ka vendosur që ta plotësojë listën e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore (“Gazeta Zyrtare e Qytetit të Shkupit” numër 6/12 dhe 14/13), duke i shtuar edhe disa qindra emra tjerë. Ndonëse ka kohë që është duke pritur lista e parë për t’u konkretizuar, procedurë kjo që është mjaftë e koklavitur, lista plotësuese me emra të propozuar, sidomos për emrat shqiptare, është paksa diskutabile, sepse krahas propozimeve serioze, ka edhe propozime që fatkeqësisht nuk janë aspak serioze. Në fakt, jashtë kësaj liste kanë mbetur shumë emra, të cilat nuk meritojnë t’i mbeten harresës dhe heshtjes.

Me asgjë nuk arsyetohet mungesa e figurave kryesore të Organizatës Nacional-demokratike Shqiptare (NDSH) një organizatë kjo me vizion demokratik, properëndimor dhe antikomunist. AZEM MARANA (është propozuar në grupin e parë), GJON SERREQI, HASAN BILALLI, QEMAL SKENDER, MAHMUD DUMANI, MEHMET BUSHI (i dënuar me vdekje), HYSNI RUDI (i dënuar me vdekje), IBRAHIM HAKI KELMENDI, REXHEP BUNJAKU. Nuk arsyetohet as mungesa e NEXHIP DRAGËS, deputet i Shkupit në Parlamentin osman, FERAT DRAGËS, udhëheqësi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare mes dy luftërave, IDRIZ SHKUPJANIT, myfti i Vilajetit të Kosovës, udhëheqës i demonstratave shqiptare të Shkupit në vitin 1900 në xhaminë e Sulltan Muratit, ku arrestohet, internohet në Konja, ku edhe vdes në vitin 1904, SAID HOXHËS (i biri i Idriz Shkupjanit), deputet i Shkupit në Parlamentin osman, i burgosur politik në kohën e pushteti osman, në kohën e mbretërisë jugosllave dhe në kohën e Jugosllavisë komuniste. Vdes në burgun e Idrizovës.

Padyshim se një nga rrugët tona duhet ta mbajë edhe emrin e MEHMET PASHË DERALLËS, IDRIZ SEFERIT, por edhe të HAFËZ BEDRI HAMIDIT, bartës i Lëvizjes Kombëtare (1930 – 1945), profesor në Medresenë e “Isa Beut” në Shkup, anëtar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Tiranë (1942 – 1944), kryetar i BFI në Maqedoni (1955 – 1980). Nuk duhet harruar as SHABAN EFENDIUN, udhëheqës i lëvizjes Kombëtare mes dy luftërave botërore, kryetar i Organizatës për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve (1941 – 1944), këshilltar politik i Sul Hotlës, anëtar i NDSH, i burgosur politik (1949 -1956), udhëheqës i lëvizjes kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi etj. Propozim i qëndrueshëm është edhe SHABAN SATAPETKA, komandant i çetës antikomuniste në Karshiakë, që veproi nga viti 1941 deri në vitin 1946, por edhe ARIF DRAGOMANI (Arif Kapiteni), luftëtar dhe antikomunist i shquar. Listës së propozimeve duhet shtuar edhe emrat e SEJDI RAUFIT, avokat dhe i burgosur politik, AZEM MEHMETIT, themeluesit dhe udhëheqësit të ndërmarrjes së njohur tregtare “Makopllod”, pedagogëve të njohur XHEVAT GEGA, REMZI NESIMI, AVNI ZLLATKU, NADIRE KRASNIQI, KIMETE DHE ADANAN AGAIT. Gjithsesi, kjo listë do të ishte e mangët edhe pa emrat e ARBËN XHAFERIT (një nga figurat më të shquar të politikës shqiptare), NEVZAT HALILIT (kryetari i parë i PPD), ESHREF ALIUT (deputet dhe ministër), SAMI IBRAHIMIT (deputet dhe nënkryetar i PPD), ALUSH HAMIDIT (punëtor i shquar në lëmin e arsimit, kulturës dhe sportit), RAMADAN ZENDELI (autor i shumë veprave për fëmijë, u shua në moshë të re).

Padyshim se një rrugë shqiptare meriton ta mbajë edhe emrin e Rok grupit të shquar TELEX, i cili grup revolucionarizoi rokun shqiptar në vitet 80-ta, duke u bërë ikonë e gjithëkohëshme e muzikës shqiptare. Po kështu, një rrugë do të duhet të bartë emrin e aktorit ABDURRAHMAN SHALA, projekti i fundit i të cilit ishte në filmin “Para shiut” të regjisorit maqedonas, Millço Mançevski. Këtë liste do ta begatonte edhe emri i gazetarit QENAN HASANI, i cili dha kontribut të madh për ta mbajtur gjallë frymën shqiptare në Manastir e rrethinë. Lista nuk do të ishte e plotë as pa sportistët tanë të shquar, SHABAN SEJDIUN e AZIS SALIUN, sukseset e të cilëve janë shkruar me shkronja të arta në Panteonin e sportit shqiptar.

Natyrisht, ka edhe shumë emra tjera që meritojnë të jenë në listën e propozuar për emërtimin e rrugëve në Shkup, edhe pse realisht është pak për të besuar se kemi aq rrugë sa propozime. Sido që të jetë, edhe në këtë drejtim duhet pasur kujdes që të mos jemi peng të grupeve të interesit, sepse fare lehtë bëhemi edhe peng të “harresës”. Ndërkaq, duke pasur parasysh procedurën dhe përvojën e deritashme është pak e pritshme që ky proces të përfundojë në afat të shpejtë, përkundrazi, ndoshta do të kalojnë edhe vite…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button