Mali i Zi, keqësohet situata me COVID-19

Kohëve të fundit në Mal të Zi është shtuar dukshëm numri i të infektuarve me COVID-19. Mali i Zi renditet i pari në rajon me mbi 1300 të infektuar në 100 mijë banorë. Për shkak të situatës tejet të rëndë epidemiologjike dhe numrit të shtuar të të sëmurëve dhe viktimave u mbyllën të gjitha objektet e hotelerisë, restorantet, baret, shkolla dhe u ndërmorën një sërë masash të reja kundër pandemisë.

Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi mori konfirmimin nga laboratori në Berlin të Gjermanisë se në mostrat e dërguara atje ishte identifikuar varianti britanik i COVID-19, shkruan VOA.

Situata e rënduar epidemiologjike ka shkaktuar reagime të ashpra tek opozita dhe tek një grup qytetarësh, të cilët kërkuan dorëheqjen e ministres së shëndetësisë për shkak se, siç u shprehen ata, “me mosveprimet rrezikoi shëndetin publik në momentin kur pandemia çdo ditë po merr jetë njerëzish.”

Këto reagime u bënë më të ashpra kur të mërkurën qeveria e Serbisë i dhuroi Malit të Zi 2000 vaksina ruse. Opozita e cilësoi këtë dhuratë si përpjekje e Serbisë për të shtrirë ndikimin politik në Mal të Zi, ashtu siç bëri me Kishën Ortodokse Serbe.

Ndërkaq, qeveria e Malit të Zi i shprehu mirënjohje qeverisë së Beogradit dhe e cilësoi këtë akt si një kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Situata me COVID-19 është përkeqësuar edhe në qytetin bregdetar të Ulqinit. Drejtoresh e Shtëpisë së Shëndetit, Zonja Sadije Hollaj vë në dukje se ditëve të fundit është shtuar numri i të sëmurëve dhe të viktimave.

“Në qytetin e Ulqinit kemi raste të rritjes së rasteve me infeksion ku vërehet në rritjen e numrit të pacientëve në ambulancat e COVID-19. Jemi dëshmitar të vizitave të shumta të pacientëve ku vetëm brenda një dite ka pas deri në 150 pacientë që kanë marrë shërbime në këto ambulanca,“ thotë Zonja Hollaj.

Ajo vlerëson se duhet respektuar masat kundër koronavirusit që të shpëtohet edhe sistemi i rënduar nga situata me pandemi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button