Njerëz me njohje apo eksperiencë; kush duhet të emërohet ambasador amerikan?

Ndërkohë që administrata e Presidentit Biden punon për të përzgjedhur kandidatët për ambadorë të ardhshëm amerikanë, ekspertët thonë se është me rëndësi të gjendet balanca mes eksperiencës diplomatike të individëve që kanë njohuri për vendet ku do të shërbejnë dhe atyre që gëzojnë kapital politik, pra individë që njohin mirë mënyrën si funksionojnë levat e pushtetit në Uashington.

“Ka rëndësi të nënvizojmë se thuajse në çdo profesion mungesa e përvojës nuk shihet si veçori e vlefshme për të arritur sukses, përkundrazi vlerësohet ai që ka studiuar, që gëzon profesionalizëm, që gëzon njohuri të thella,” tha Thomas R. Pickering, i cili beson se duhen dërguar njerëz me eksperiencë. Zoti Pickering foli në një forum mbi diplomacinë amerikane të organizuar nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, transmeton VOA.

Zoti Pickering përmbylli karrierën diplomatike si një zyrtar i lartë i Korpusit Diplomatik Amerikan dhe përshkruhet si “ambasador për çdo klimë” nga disa, si rezultat i posteve të rëndësishme diplomatike ku ka shërbyer.

Nuk është sekret në Uashington fakti që ka tensione mes diplomatëve që kanë shërbyer prej vitesh në ambasada e konsullata amerikane dhe të emëruarve politikë që dërgohen si ambasadorë si rezultat i lidhjeve me presidentin apo mbështetjes që i kanë dhënë partisë që ka pushtetin.

Jendayi E. Frazer, ish-ndihmës sekretare shteti për zhvillimet afrikane argumentoi se edhe emërimet politike janë me vlerë për Departamentin e Shtetit, megjithëse pohoi se shpesh lindin probleme kur këta të emëruar politikë që dërgohen si ambasadorë kanë nën mbikqyrje diplomatë karriere.

“Çdo ambasador që është dërguar në këtë detyrë si i emëruar politik e di që po shkon në terren jo-mikpritës,” tha ajo. Këtyre ambasadorëve shpesh u duket se janë në shenjestër pasi ekziston perceptimi se e kanë blerë postin diplomatik. “Kjo duhet të ndalë,” tha ajo. “Mendoj se diplomatët e karrierës bëjnë mirë t’i mbështesin këta emërime politike”.

Zonja Frazer thotë se ambasadorët politikë mund të shndërrohen në aleatë të korpusit diplomatik në marrëdhëniet me Kongresin. Një i emëruar politik mund të thotë “e njoh presidentin. Nëse është nevoja, e marr direkt në telefon e flas me të,” megjithëse kjo nuk është gjithmonë e vërtetë.

Robert D. Kaplan, ish-gazetar, tani njohës i politikës së jashtme, thekson rëndësinë që ka zëri i punonjësve që mbushin ambasadat amerikane, ndër to edhe diplomatë me karriera të gjata dhe shumë eksperiencë.

“Pjesa më e madhe e Uashingtonit, librat që shkruhen, diskutimet që bëhen kanë në fokus majat e diplomacisë. Por faktikisht shpesh janë rangjet më të ulëta” që kanë më shumë eksperiencë dhe njohuri për vendet ku shërbejnë.

“Informatat më të mira si gazetar i merrja nga sekretarët e parë e të dytë në ambasada. Këta punonjës me role esenciale megjithëse të një niveli më të ulët duhet të mbështeten. Zëri i tyre duhet të dëgjohet në procesin e marrjes së vendimeve nga rangjet e larta”.

Ai thotë se këta individë duhet të kenë mundësi të kthehen në Uashington dhe të thyejnë traditën, duke paraqitur raporte që të përdoren për hartimin e politikave”.

Në librin e tij të ri “Amerikani i Mirë,” zoti Kaplan përshkruan rolin e Bob Gersony-t, ish-kontraktor në Departamentin e Shtetit, të cilin e cilëson si “humanitarian më të madh të qeverisë amerikane”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button