Nacionalizmi ballkanas: një qasje racionale (II)

Sipas mendimtares së mirënjohur serbe Golluboviq ekziston një dallim i dukshëm mes ndjesisë kombëtare dhe nacionalizmit si “formë e degjeneruar e identitetit kombëtar”. Ajo i vëren këto dallime mes këtyre mënyrave të perceptimit të kombit:

  1. Ndjenja kombëtare shpreh nevojën natyrore për përkatësi, për rrënjëzim, por kjo është një çështje private e njeriut dhe ai mund të përzgjedhë. Nga ana tjetër, nacionalizmi është një ideologji përjashtuese, që superioritetin e një kombi e vë kundër popujve të tjerë, duke mëkëmbur kështu përkatësinë e detyruar me devizën “një komb, një shtet”.
  2. Ndjesia kombëtare nuk i përjashton dallimet dhe nuk e kundërshton medoemos “tjetrin” si armiqësor, sepse identifikimin me kombin nuk e përjeton si ekskluziv. Nacionalizmi është ksenofobik, sepse “solidaritetin etnik” e përball me elementet e “huaj”, duke ushqyer një ndjenjë mosbesimi ndaj tjetrit.
  3. Ndjesia kombëtare i jep mundësi individit që ta perceptojë në mënyrë konkrete mjedisin e vet shoqëror dhe të fillojë procesin e identifikimit kulturor për të arritur sigurinë elementare në një bashkësi të caktuar kulturore/politike. Nga ana tjetër, nacionalizmi, përmes lidhjes dhe përkushtimit afektiv të pjesëtarëve ndaj kombit, i superon dhe i redukton të gjitha llojet e tjera të përkatësisë drejt një grupimi etnik. Për këtë arsye, ndjenja nacionaliste i ofron siguri individit vetëm kur ai i përkushtohet autoritetit të kombit, i cili imponohet si fat.
  4. Funksioni pozitiv i ndjesisë kombëtare, sipas Parsons-it, është “reaksioni ndaj çorganizimit shoqëror, me qëllim riintegrimin e individit në njësi shoqërore më pak anomike dhe më pak tjetërsuese krahasuar me shoqërinë globale”. (199: 85) Përkundër kësaj, nacionalizmi si ideologji reduksioniste, duke i mbyllur njerëzit në kornizën e kombit të “tyre”, krijon një riintegrim të rremë të individit.

Gollubiviq thotë se nacionalizmi përbën një ndjenjë kombëtare përjashtuese, që bazohet mbi dominimin e kombit ndaj individëve të tij përfaqësues, si dhe ndaj grupeve të tjerë shoqërorë. Në këtë rast theksohet vlera e kombit mbi vlerat e tjera. Kurse kohezioni në grup bazohet te tërheqja/atraktiviteti ndërgrupor, dhe jo te tërheqja ndërvetjake e anëtarëve të grupit.

“Sipas Kecmanoviqit, kur nacionalizmi arrin të dominojë, kapërcen ndjenjën kombëtare dhe shpërfaq këto veçori: prirja për të zotëruar territor; botëkuptimi se çdo komb është një shtet i pavarur; besimi te një histori dhe prejardhje e përbashkët; ndjenja e krenarisë për arritjet e kombit; armiqësia ndaj gupeve të tjerë etnikë; dogma se njerëzit jetojnë vetëm për kombin; doktrina për epërsinë e kombit dhe fesë në një mision të veçantë kombëtar; bindja se fati i kombit është fati i çdo individi; përkushtimi mistik ndaj organizmit të njohur si Volk. (72: 29)

Pra, nacionalizmi është i lidhur me etnocentrizmin, me manipulimet dhe paragjykimet, që nuk formohen në bazë të përvojës nga bashkëjetesa, ose nga takimi i popujve, por në bazë të stereotipave për popuj të caktuar, që pranohen si të mirëqenë. Nacionalizmi është afektiv dhe refuzues ndaj argumenteve racionalë.

Sipas Zundhausen-it (144), karakteristikat e nacionalizmit ekstrem mund të përmblidhen në këtë mënyrë: një botëkuptim që shpërfaq rebelim njohësor, sepse perspektiva konjitive e tij është shumë e ngushtuar dhe e ideologjizuar. Në natyrën e një nacionalizmi të tillë është militantizmi, sepse duke prodhuar mosmarrëveshje dhe urrejtje ndaj popujve të tjerë, këta të fundit cilësohen si armiq, kundër të cilëve është e arsyeshme të luftohet. Ky lloj nacionalizmi është jotolerant, sepse e përjashton “tjetrin” si partner të barabartë të bashkëjetesës dhe bazohet te ndarja e popujve/qytetarëve në ata “të shtresës së parë” dhe ata “të shtresës të dytë”. Nacionalizmi ekstrem kërkon shkrirjen e individit dhe të të gjithë grupeve në një entitet të vetëm kolektiv: te kombi mbizotërues. Ai e redukton identitetin vetjak dhe grupor në identifikim kombëtar. Një nacionalizëm i tillë prodhon energji negative dhe destruktivitet. Ai postulon se fati individual është i lidhur në mënyrë të pashmangshme me fatin e kombit.

Ndoshta thelbi i nacionalizmit shprehet më mirë përmes idesë së Kecmanoviqit, që thotë se nacionalizmi është një metaforë për masën, që cenon individualitetin dhe subjektivitetin njerëzor, duke imponuar ethosin kolektivist si orientim vleror. Në këtë aspekt është e rëndësishme t’u referohemi teorive të psikologjisë së turmës, për të zbuluar zonat e pavetëdijshme të psikës njerëzore, mbi të cilat mbështetet një adhurim i tillë jokritik i grupit dhe udhëheqësit kombëtar. Kështu mund të zbulojmë se si lidhen “qëllimet e larta kombëtare” me pasionet e thjeshta njerëzore, si shprehje dëshirash, duke besuar se “ineteresi kombëtar” si cak është mishërim i qenies dhe shpirtit të tyre vetjak. Në këtë mënyrë individët e arrijnë sërish dinjitetin e humbur: pikërisht kur bëhen një me kombin e tyre. Kësisoj njerëzit janë të gatshëm të heqin dorë nga identiteti vetjak për shkak të identifikimit kombëtar.

Literatura shkencore mbi ideologjinë konfirmon se sa më shumë që ideologjia të shkrihet në strukturën mesatare të masës, aq më i madh është presioni psikologjik mbi individët. Njerëzit janë të obsesionuar me kolektivin dhe shkrirjen në të, sepse nacionalizmi e vë kolektiven mbi individualen dhe udhëheqësin mbi popullin. (136: 131) Duke marrë pjesë në pushtetin e kombit, individët arrijnë një siguri të re: sikur janë ata vetë që e menaxhojnë këtë pushtet. Nacionalizmi është ngarkuar me kompleksin e pushtetit kundërshtar, por edhe me pafuqinë dhe pasigurinë individuale. Stërtheksimi i motivit të pushtetit manifestohet te prirja për superioritet e grupeve “tona” kundrejt grupeve të tjera (“të huaj”). Kjo mund të shndërrohet shumë lehtë në agresion ndëretnik, për shkak të dikotomisë: “ne” të moralshëm-“ata” të pamoralshëm, pra “pala e drejtë”-“pala e gabuar”, ose sundim-nënshtrim, udhëheqës-turmë.

Përkatësia e verbër ndaj grupit kombëtar mund të shpjegohet me rolin e afektit në lëvizjet nacionaliste, që Fromm-i e konsideron si një prirje të egos së dobët dhe të pazhvilluar për të kënaqur superegon vetjake. (39: 60) Me fjalë të tjera, lidhja nacionaliste pas kombit bazohet te lidhjet heteronome, që mund të ruhen vetëm përmes metodave represive, sepse përkatësia nuk është vullnetare dhe autonome, por detyruese.

Nacionalizmi si ideologji ekskluzive shfaqet si një fe e re, që kërkon besim, jo gjykim racional, që mjegullon perceptimin për të vërtetën duke krijuar një mirazh mbi unitetin e elementit klasor, racor dhe etnik në një botë të ndarë. Kjo ngjan me fondamentalizmin fetar, sepse mbjell besimin se shpëtimi mund të arrihet vetëm nëpërmjet kombit. Kështu kombi hyjnizohet si një bashkësi superiore për të cilën ia vlen çdo sakrificë.”

Mund të konstatojmë se në trojet ballkanik zhvillohet një formë e teopolitikës, pra e politikës së përzier me elemente fetare-teologjike, një kulturë politikë radikale-fundamentale, një nacionalizëm specifik ekskomunikues. Golluboviq sugjeron një çobsesionim me nacionalen, perceptimin e tjetrit etnik si partner jo si oponent.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button