RMV, urdhër-arrest ndërkombëtar për Mijallkovin i cili i iku policisë para syve

Ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, është arratisur pak para se gjykata ta shpallë aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa” në të cilin ai është i dyshuar se e ka kryer përgjimin masiv në RMV. MPB sot e nxori me fotografi dhe biografi të shkurtër në tablonë e personave që kërkohen me fletë-arrest të brendshëm dhe ndërkombëtar. Prokuroria dyshon se dikush i ka ndihmuar Mijallkovit, pasi që policia ka qenë duke e vëzhguar atë dhe ka pasur kontakt vizual, deri pak para arratisjes. Reagime të shumta për arratisjen e tij ka pasur si nga qytetarët nëpër rrjetet sociale, por edhe nga kryeministri e presidenti. Kërkohet përgjegjësi, por ende nuk është gjetur përgjegjësia për kushëririn e Mijallkovit, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia e Veriut në Hungari, për t’i shpëtuar burgut. Për dallim prej tij, Mijallkov kishte deklaruar se nuk është “stili i jetës së tij, ikja”, megjithatë iku, shkruan Portalb.mk.

Me kërkesë të MPB-së, është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për Mijallkovin.

“Këshilli gjyqësor menjëherë pas pranimit të kërkesës ka vendosur për urdhër-arrest ndërkombëtar”, raportojnë nga Gjykata themelore, duke sqaruar që për vendimin është njoftuar MPB-ja, e cila kishte parashtruar këtë kërkesë.

Departamenti amerikan i shtetit ka njoftuar që janë në rrjedha me zhvillimet që kanë ndodhur në Maqedoninë e  Veriut në lidhje me arratisjen e tij.

“Jemi të vetëdijshëm për këta raporte, dhe po ndjekim nga afër situatën”, deklaroi për VOA, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Villma Ruskoska në deklaratë për televizionin Sitel sonte mohoi se informacioni për paraburgimin e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov të ketë dalë nga ata.

“Nuk ekziston një mundësi e tillë, sepse informacionin e parë të cilin unë e dërgova në MPB e shkruaja vetë në kabinet në orët e pasdites të së shtunës dhe nuk ishte askush në punë përveç meje. Dje, të dielën, erdhën vetëm kolegët Lençe Ristovska dhe Trajçe Pelivanov, tashmë me propozim të përgatitur për gjykatë për përcaktimin e masës së paraburgimit kështu që përveç neve të treve të dielën nuk e dinte askush. Absolutisht e përjashtoj mundësinë se informacioni ka dalë nga Prokuroria”, deklaroi Ruskoska.

MPB po i merr në pyetje familjarët e Mijallkovit, Prokuroria dyshon se dikush i ka ndihmuar

Lajmet e fundit për arratisjen e Mijallkovit janë që, Policia po i merr në pyetje familjarët e tij, gjegjësisht djalin Jordan Mijallkov, bashkëshorten Aleskandra, por edhe pjesëtarët e sigurimit personal.

Arsyeja është që të marrin informata për të afërmin e tyre, i cili është arratisur mu në kohën kur është dashur t’i dorëzohet në duar vendimi për paraburgim shtëpiak, deri në shqiptimin e aktgjykimit më 26 shkurt.

Prokuroria dyshon që dikush i ka treguar Mijallkovit se po përgatitet paraburgimi i tij.

“Duke e pasur parasysh faktin se në momentin e përgatitjes së propozimit për shqiptimin e masës së paraburgimit, por edhe në momentin e dorëzimit deri në gjykatë, i akuzuari Mijallkov nuk ka qenë në arrati, Prokuroria vlerëson se ekzistojnë dyshime për kryerjen e veprës penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale sipas nenit 365 nga Kodi Penal për çka do t’i ndërmarrim të gjitha masat e domosdoshme për pastrimin e këtyre dyshimeve”, thanë sot nga Prokuroria.

Dinamika e ngjarjeve, kur iu “iku nga duart” policisë

Prokuroria ka treguar dinamikën e ngjarjes, se si ka humbur kontakti me Mijallkovin.

“Të dielën në mëngjes pas kryerjes së kontrolleve të domosdoshme, është përgatitur edhe propozimi për shqiptimin e paraburgimit. Në ora 12:00 me qëllim që të sigurohen kushtet për pranim të propozimit për paraburgim, Prokuroria e ka njoftuar Gjykatën Penale – Shkup për përgatitjen e propozimit, por edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pas plotësimit të procedurave administrative, prokurorët e lëndës në ora 14:30 janë drejtuar për në Gjykatën Penale – Shkup ku në ora 15:00 e kanë dorëzuar propozimin për shqiptimin e masës paraburgim shtëpiak dhe vëzhgim 24-orësh video dhe audio. Vendimi nga ana e Prokurorisë është pranuar në ora 18:45. Në ndërkohë deri në pranimin e vendimit, prokurorët janë njoftuar nga personat e MPB-së se kanë kontakt vizual me Mijallkovin dhe se ai nuk është arratisur. Rreth orës 21:20 Prokuroria është njoftuar se ka problem me dorëzimin e vendimit për paraburgim, pas së cilës në ora 21:47 është konfirmuar se i akuzuari Mijallkov nuk është gjetur”, thuhet në kronologjinë e publikuar nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

MPB e vendosi Mijallkovin në listën e të kërkuarve me fletëarrest

Emri i Mijalkovit tashmë edhe zyrtarisht qëndron në mesin e të kërkuarve në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme dhe është lëshuar urdhër arrest dhe po kërkohet.

“Sasho Mijalkov, babai Jordan, nëna Milka, i lindur me 15.09.1965 në Shkup, me vendbanim në rrugën Naroden Front Nr. 5-31 në Shkup, kërkohet pas urdhrit për lëshim të fletëarrestit nga Gjykata Themelore Shkupi 1, ndërsa në bazë të vendimit të gjykatës me të cilin iu shqiptua masa e arrestit shtëpiak, për shkak të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës – “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar “nga neni 353, vepra penale “Bashkimi kriminal” nga neni 394 dhe vepra penale “Pranim shpërblimi për ndikim të paligjshëm” nga neni 359 i Kodit Penal”, thuhet në buletinin e MPB-së për personat në kërkim.

Sasho Mijallkov në faqen e MPB-së
Sasho Mijallkov në faqen e MPB-së

Gjykata Penale ka lëshuar urdhër-arrest e ka lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Brendshme, ndërkohë pritet qëtë lëshohet edhe urdhër-arrest ndërkombëtar.

“Për shkak të interesit të mediave në lidhje me urdhër-arrestin ndërkombëtar për të akuzuarin S.M, ne informojmë publikun se Ministria e Brendshme, këtë mëngjes, i paraqiti Këshillit Penal në Gjykatën Themelore Penale Shkup, kërkesë për miratim nga gjykata për lëshimin e një urdhër arresti ndërkombëtar për të akuzuarin, i cili gjatë ditës së djeshme u vendos në arrest shtëpiak me mbikëqyrje 24 orëshe”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Para se të zbulohej informacioni për zhdukjen e Mijalkovit, në rrjetet sociale reaguan disa qytetarë për praninë e madhe të policisë në daljet të Shkupit, të cilët, të armatosur me pushkë automatike, kontrolluan të gjitha automjetet.

Reagoi kryeministri dhe presidenti

Kryeministri Zoran Zaev, sot deklaroi se nuk ka marrëveshje politike për arratisjen e Mijallkovit.

“Absolutisht nuk ka kurrfarë marrëveshje politike, fillimisht unë jam i lumtur që si pushtet ekzekutiv kemi siguruar kushte që në kohën pas regjimit është organizuar proces gjyqësor dhe pres që këtë javë ashtu siç është paralajmëruar të finalizohet dhe tanimë është paralajmëruar dënim, dhe sipas të gjitha gjasave ajo është arsyeja se pse nuk është mundur të gjendet personi Sasho Mijallkov në shtëpi. Pres që të ketë zgjidhje të plotë të rastit dhe pres që sa më shpejtë të lokalizohet dhe të vendoset në paraburgim shtëpiak. Edhe njëherë do të them se populli ynë është i dëshpëruar dhe pres që të lokalizohet dhe gjendet që nëse do të dënohet ta mbajë dënimin. Pres detaje për atë se çfarë ka ndodhur, ku a qenë kur është zbatuar vendimi pse nuk është gjetur personi dhe ngjashëm. Në pajtueshmëri me atë, paralajmëroj përgjegjësi”, tha Zaev.

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski nëpërmjet një kumtese reagoi ndaj arratisjes së Mijallkovit, duke i ftuar institucionet kompetente që t’i ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme me qëllim që të zbatohet vendimi i gjykatës për paraburgimin e tij.

“Këto ndodhi janë të papranueshme për një vend që pret t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe i cili është duke punuar shumë në reformimin e sistemit gjyqësor dhe ndërtimit të besimit në shtetin ligjor. Kjo i diskrediton përpjekjet dhe shpresat për përballje me krimin dhe korrupsionin e lartë”, thotë Pendarovski.

Mijallkov premtoi s’e nuk do të arratiset

Presidenti pret që institucionet kompetente në afat të shkurtër kohor të zbatojnë hetim për zbardhjen e plotë të rastit dhe nëse konstatohen çfarëdo lëshimesh nga ana e institucioneve të ndërmerren masa për përgjegjësi.

Mijallkov, pas shqiptimit të aktgjykimit më 8 mars 2019 në rastin “Titanik 2” tha se ai nuk do të arratisej. Asokohe tha se arratisja nuk është stil i jetës së tij dhe se problemet nuk zgjidhen duke.

“S’ka argumente se unë do të arratisem. Sjellja ime gjatë vitit të kaluar nuk ka dhënë asnjë indikacion as se kam menduar, e aq më pak planifikuar arratisje. Me ikje nuk zgjedhim asgjë. Stili im i jetës nuk është ikja. Nëse Gjykata e Apelit vendos që unë duhet të shkoj në paraburgim, atëherë do ta respektoj”, tha Mijallkov.

Video nga deklarata e Mijallkovit:

Pretendimet e prokurores Fatime Fetai se ai me sjelljen e tij dhe rrethanat e caktuara la të kuptohej se do të ikte, Mijalkov pastaj i hodhi poshtë dhe i quajti spekulime, gjegjësisht pretendime pa asnjë argument. Gjykata asokohe nuk i caktoi paraburgim deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit.

Rasti Target-Fortesa

Të akuzuarit në këtë rast janë, Sasho Mijallkov, ish-ministrja e Brendshëm, Gordana Jankulloska dhe disa punonjës të ish-DSK-së të cilët akuzohen për përgjime të paligjshme të mbi katër mijë numrave telefonikë midis viteve 2008-2015. 

Në fjalët përfundimtare, dy prokurorët kërkuan pesë vite dënim për përgjegjësit e përgjimeve të paligjshme dhe pesë vite dënim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për të akuzuarit e rastit.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, 4,286 numra telefoni janë ndjekur në mënyrë të paligjshme për të cilat nuk janë lëshuar fare urdhëresa gjyqësore.

Komunikimi ishte ndjekur para se të lëshoheshin dhe pas skadimit të vlefshmërisë së urdhrave të gjykatës në 1,541 numra ose gjithsej 5,827 numra telefoni. Të përgjuar ishin mbi 20 mijë qytetarë.

Mijallkov, në dëshminë e tij të parë pretendonte se nuk ka asnjë provë se mijëra bisedat e regjistruara janë nga Drejtoria dhe se përgjimet janë realizuar atje. Ai pretendoi se shumë lehtë përgjimi ka mund të bëhej jashtë sistemeve të DSK-së.

Me datë 26 shkurt gjykata do ta shqiptojë aktgjykimin.

Lexoni më shumë për rastin “Target-Fortesa” duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button