Dy muaj nga presidenca portugeze, asnjë hap drejt negociatave Maqedoni e Veriut-BE

Ka dy muaj që Portugalia kryeson me Bashkimin Evropian, por asnjë hap konkret nuk është bërë për negociatat me Maqedoninë e Veriut. Kjo “paralizë” ishte edhe e pritshme, sepse akoma pa marrë presidencën, ky vend shihej si më pak i interesuar për zgjerimin e BE-së, shkruan Portalb.mk. Maqedonia pret zgjedhjet në Bullgari dhe shpreson që pas tyre “të ndodhë mrekullia”.

Më 26 janar të këtij viti, zëvendës kryeministri i ngarkuar për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në Bruksel zhvilluan takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Portugalisë Augusto Santos Silva për ta bindur këtë vend se pse RMV-ja e meriton datën e negociatave.

Por, një muaj pas këtij takimi nuk kishte asnjë shkëndijë shprese.

Më pas më 16 shkurt, Osmani, sërish u takua me Silva-n, por duket se në këtë takim nuk është thënë asgjë konkrete, përveç faktit se ky vend është i angazhuar për agjendën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor.

Nga ana tjetër, sekretarja portugeze e shtetit përgjegjëse për BE-në, Ana Paula Zakariash, më 19 janar, i tha MIA-s se vendi i saj, shpreson që mosmarrëveshja me Sofjen të zhbllokohet në gjysmën e parë të këtij viti, gjegjësisht deri më 1 korrik, dhe se do të mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, për këto kontakte nuk ka folur publikisht askush, as deri ku janë këto bisedime dhe as se çfarë është arritur.

Kryeministri Zoran Zaev tha se fokusi në bisedimet me Bullgarinë deri në përfundimin e zgjedhjeve atje do të jetë në Planin Aksionar, i cili do të pasohet nga zhvillimi i bisedimeve në nivelin politik.

Zgjedhjet në Bullgari fillimisht u planifikuan për në mars, ndërsa më pas u shtynë për në prill, dhe mesa duket vendi do të presë edhe dy muaj për fillimin e hapave të parë drejt këtij procesi. Megjithëse krerët bullgar janë shprehur se zgjedhjet atje nuk do të ndryshojnë qëndrimin e Bullgarisë kundrejt Maqedonisë së Veriut, sërish udhëheqësit e vendit tonë, shpresojnë se mund të ndodhë një ‘mrekulli’ pas zgjedhjeve në shtetin fqinj.

Ministri Osmani të mërkurën më 24 shkurt u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, por nga takimi nuk ka dalë ndonjë gjë konkrete, kanë biseduar për takimet e ardhshme të komisionit historik dhe se duhet të punohet për çështjet e pazgjidhura midis dy vendeve. Zaharieva mbetet kategorike që asnjë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as deri më tani dhe as në të ardhmen, nuk duhet t’i tregojnë ose t’i bëjë presion Bullgarisë që të dorëzohet dhe të lejojë bisedimet e pranimit për Maqedoninë me BE-në.

Ekspertët në vendin tonë vlerësojnë se tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të ulen dhe çështjet e mbetura të historisë do të zgjidhen pas zgjedhjeve në Bullgari.

“Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet t’i kalojnë mosmarrëveshjet dhe veprimet e fundit shkojnë në drejtim të uljes së tensioneve dhe fillimit të zgjidhjes së nyjës së fundit të mbetura në interpretimet e fakteve historike nga komisionet. Vjeshta ka gjasa të jetë moment i ri në raportet në mes Sofjes dhe Shkupit. Me këtë Maqedonisë së Veriut i hapet rruga drejt BE-së e cila me vite ka qenë e stërzgjatur nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm”, deklaroi për Portalb.mk publicisti Selim Ibraimi.

Ish ambasadori, Nano Ruzhin deklaroi për Portalb.mk se retorika e Bullgarisë sa i përket çështjes me Maqedoninë e Veriut, është marketing politik parazgjedhor dhe teza e Sofjes nuk është e qëndrueshme. Sipas tij, bllokada e vendit sa i përket eurointegrimeve, nuk është në interes të askujt.

Nga ana tjetër, ka edhe zëra se shanset reale që vendet e Ballkanit Perëndimor të fitojnë anëtarësim të plotë në BE janë ulur në minimum. Sipas gazetës gjermane FAC, alternativa e vjetër dhe e re që ofrohet është anëtarësimi në Zonën ekonomike evropiane dhe jo antarësimi i plotë në BE.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button