Bojkoti i regjistrimit të popullsisë – instrument politik që standardet ndërkombëtare as e njohin e as e kanë parë

Bojkoti është instrument politik, megjithatë sipas rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara dhe Eurostatit, nuk përmendet që regjistrimi mund të bojkotohet, pasi është i domosdoshëm për shtetin, detyrë qytetare dhe detyrim ligjor, shprehen ish nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Regjistrimit Abdylmenaf Bexheti dhe ish anëtari Donço Gerasimovski, shkruan Portalb.mk.

Abdylmenaf Bexheti
Abdylmenaf Bexheti

Bexheti, për Portalb.mk u shpreh se duke qenë në pozitën e rektorit, nuk dëshiron të japë komente mbi këtë çështje, por shkurt tha se bojkoti është instrument politik.

“Janë komente politike dhe unë nga kjo pozitë nuk interferoj në komente  të tilla politike. Të qenit rektor në një mënyrë apo tjetrën më limiton të bëj komente të tilla. Të gjithë ata që mendojnë se ky proces është i pastër e kanë gabim, ai është më shumë politik. Vetë bojkoti është instrument politik, nuk ka rëndësi kush e propozon”, tha Bexheti.

Ndërkohë ish anëtari, Donço Gerasimovski, lidhur me këtë çështje tha se ky i ashtuquajtur bojkot ka të bëjë vetëm me shtyrjen e tij,  përndryshe nuk bëhet fjalë për lloj tjetër bojkoti në regjistrim, pasi për bojkotimin e procesit, nuk bëhet fjalë askund ose nuk parashikohen dënime ose masa, as në rekomandimet e Kombeve të Bashkuara, as në Eurostat.

Donço Gerasimovski

“Regjistrimi nuk duhet të politizohet kurrë, madje as tani. Politizimi është kur ekzistojnë struktura dhe organe të tjera politike. Tani, dhe kudo në botë, dhe në rekomandime, ekziston një institucion kompetent, i cili zhvillon një aktivitet të tillë, masiv, me një aksioner të madh dhe një numër të madh të mjeteve financiare me një proces më të gjatë që përgatit regjistrimin për tre deri në pesë vjet, një fenomen që kushton shumë dhe duhet të jetë një profesionist, ekspert i një institucioni profesional kompetent”, thotë Gerasimovski.

Ndërkohë edhe kreu i vendit Stevo Pendarovski, për çështjen e bojkotit ishte shprehur se nuk ekziston terminologji politike e cila e përdor termin bojkot të regjistrimit. Rezultatet mund të mos njihen, por nuk ekziston shprehje për të thirrur qytetarët të bojkotojnë regjistrimin, tha ai.

“Përndryshe, ju siguroj se nuk ka terminologji politike e cila e përdor termin bojkot të regjistrimit. Nuk ekziston. Ju mund të mos i njihni rezultatet, kjo është legjitime, por nuk ka asnjë shprehje: ne do t’u bëjmë thirrje qytetarëve të bojkotojnë regjistrimin. Unë kurrë nuk kam dëgjuar që një gjë e tillë të ndodhë në politikën evropiane. Unë dua që ne të dalim me pikëpamje të qarta se ne me të vërtetë dëshirojmë që kjo të jetë, jo sepse duam të fshehim ndonjë agjendë tjetër nëse ekziston një agjendë e fshehur”, tha presidenti Stevo Pendarovski.

Çfarë parasheh ligji për bojkotim të regjistrimit?

Megjithatë, neni 51 i Ligjit për regjistrim të popullsisë, lidhur me refuzimin e ofrimit të të dhënave ose dhënien e pasaktë të tyre parashikon: 

  • Personit fizik do t’i shqiptohet gjobë në shumë prej 200 deri 300 euro në kundërvlerë denari për kundërvajtje nëse refuzon të ofrojë të dhënat e kërkuara nga ai për Regjistrimin ose nëse jep të dhëna të pasakta (neni 35 paragrafi (2)).

neni 48 thuhet:

  • Personit fizik do t’i shqiptohet gjobë në shumë prej 200 deri 300 euro në kundërvlerë denari për kundërvajtje nëse, si pjesëmarrës në Regjistrim, i jep të dhëna të paautorizuara nga Regjistrimi personit të tretë ose në cilësi të instruktorit shtetëror, instruktorit rajonal dhe regjistruesit, përkatësisht anëtarit të Komisionit të Regjistrimit Rajonal, nuk do të veprojë në përputhje me udhëzimet dhe instrumentet për kryerjen e Regjistrimit dhe të këtij ligji.

Kurse në nenin 49 paragrafi 1 dhe 2 thuhet:

  • Ai i cili do të asgjësojë, fshehë, dëmtojë, korrigjojë ose në mënyrë tjetër do të bëjë që të jenë të papërdorshme të dhënat e futura në aplikacionin e Regjistrimit, do të dënohet me burgim prej së paku tre vjetësh.
  • Nëse vepra sipas paragrafit (1) të këtij neni është bërë nga një pjesëmarrës i Regjistrimit apo person tjetër zyrtar gjatë zbatimit të Regjistrimit, do të dënohet me dënim me burg prej së paku pesë vjetësh.

Në këtë pikë, pra rreth faktit se çfarë dënimesh parashikohen për ‘bojkotin’ e regjistrimit, opozita maqedonase dhe kreu i Entit Shtetëror për Statistikë Apostoll Simovski, kishin qëndrime të ndryshme. VMRO-ja thoshte se dënimet janë në të holla, ndërsa Simovski me burg. Megjithatë, në ligj siç edhe mund të shihet ekzistojnë dënime edhe në të holla edhe në para, megjithatë këto dënime janë për situata të ndryshme. Pra për refuzim të ofrimit të të dhënave shqiptohet gjobë deri në 300 euro, ndërsa për shkelje më të rënda, si keqpërdorim i të dhënave, asgjësim, fshehje, parashikohet burg deri në pesë vite.

Ligji për regjistrimin e popullsisë
Ligji për regjistrimin e popullsisë

Nëse kthehemi pas në kohë, lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, fillimisht u shpreh se do ta bojkotojnë regjistrimin, më pas se nuk do t’i njohin rezultatet e tij dhe në fund se i njëjti duhet të  shtyhet për 6 deri në 12 muaj dhe nëse nuk dëgjohet propozimi i tij, Mickoski tha do t’u bëjë thirrje jo vetëm qytetarëve këtu por edhe diasporës që të nënshkruajnë për anulimin e Ligjit për Regjistrim.

Dhe meqë kërkesa e tij të paktën deri tani nuk është pranuar, përveçse në disa raste nga presidenti Pendarovski, i cili shprehej se mund të konsiderojë shtyrjen e regjistrimit,  VMRO-DPMNE-ja, tashmë ka filluar nismën për mbledhjen e  nënshkrimeve nga qytetarët për anulimin e Ligjit për regjistrim.

Mickoski tha se partia e tij, mbetet në qëndrimin se nuk duhet të ketë regjistrim me vizita në terren në kushte të pandemisë.

Mickoski hodhi poshtë idenë për regjistrim të kombinuar që e përmendi kryeministri, Zoran Zaev, sepse siç tha ai, ajo do të nënkuptonte sërish vizita në derë nga ana e regjistruesve dhe kërkesë të numrit amë.

Maqedonia e Veriut si asnjë vend tjetër, regjistrimin e fundit e ka bërë në vitin 2002

Më 21 janar, me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur Kuvendi votoi ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka paralajmëruar që në metodologjinë e re të regjistrimit të popullsisë, do të përfshihet edhe nje pjesë e regjistrimit në formë elektronike. Ai theksoi që do të ketë kryqëzim të të dhënave në terren në formë elektronike me të dhënat që tashmë ekzistojnë në MPB dhe në Fondin shëndetësore, ashtu që do të kemi pamje të plotë për të dhënat e nevojshme. Zaev vlerësoi që vetëm regjistrimi elektronik nuk do të mjaftonte për të pasur të dhëna të plota.

Regjistrimi është një proces shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për shtetin, është një proces botëror, prandaj edhe është e njëjta metodologji, të njëjtat përkufizime, të njëjtat standarde. Të dhënat e vendit dhe të dhënat e çdo vendi tjetër, krahasohen me njëri-tjetrin me qëllim që të shihet se në çfarë niveli ndodhet vendi, të shihet se sa njerëz janë, se çfarë strukture gjinore, se çfarë strukture arsimore, dhe nëse kemi përparim apo zhvillim në dhjetë vitet e fundit, si dhe se çfarë të planifikojmë për dhjetë vitet e ardhshme.

Ndryshe, regjistrimi i popullsisë pritet të realizohet në periudhën prej datës 1 deri më 21 prill të vitit 2021. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur Kuvendi votoi ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për këtë ligj debati përfundoi javën e kaluar, por për shkak të mungesës së kuorumit, votimi ishte prolonguar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button