DËSHIRA E FUNDIT E ALI PODRIMJES

Ali Podrimja është poeti i veprave të rralla poetike, artisti i realizuar si rrallë ndonjë krijues tjetër qysh kur e botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re” (1957). Aliu është laureat i shumë çmimeve letrare brenda dhe jashtë Kosovës së tij të dashur, e cila zë vendin qerndror të krijimtarisë së tij – si gjaku që nuk falet, si rrafshi i tij i dashur me diellin e verbuar nga tytat e tjetrit…

Aliu i jetoi të plota dhe i ndjeu thellë dramat e Kosovës: dëbimet masive të shqiptarëve për në shkretëtirat e Anadollit dhe dhunën çnjerëzore të Rankoviqit; përndjekjet, burgosjet dhe likuidimet e mëvonshme të intelektualëve dhe veprimtarëve shqiptarë, që nuk pajtoheshin me statusin e Kosovës brenda jugosllavisë titiste; terrorin e paparë që ushtroi Serbia pas demonstratave studentore të vitit 1981; gjenocidin serb mbi shqiptarët gjatë viteve të 90-ta (vëçmas gjatë periudhës së luftës) dhe, së fundmi, lirinë e cunguar të Kosovës, e cila nuk erdhi ashtu siç e priste biri i saj Promete.

Gjatë viteve të trishta për Kosovën, Aliu botoi dhe një sërë veprash me ese të mrekullueshme, me të cilat u përpoq të njoftojë botën për situatat e vështira të cilat po i kalonte Kosova, kurse muajt e fundit të jetës deshi me shkul shpirti ta përgatisë e ta botojë në shqip e frëngjisht antologjinë e poezisë shqiptare, në të cilën do të botoheshin, jo vetëm poezitë e zgjedhura të poetëve nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, po edhe poezitë e poetëve të shquar arberëreshë dhe arvanitas. Asokohe patëm një letërkëmbim pothuajse të ditëpërditshëm, sepse Aliu sikur ngutej për diku, sikur frikësohej se nuk do të arrijë ta botojë antologjinë me të cilën donte ta shënojë 100-vjetorin e pavarsisë së Shqipërisë së Ismail Qemalit. Vëtëm pas ikjes së tij të papritur në amshim, më 21 korrik të vitit 2012, e kuptova kobin që e parandjeu muaj më herët, ngutjen e tij për ta rrumbulakësuar dëshirën e fundit para se t’ia falë shpirtin qiellit…

Këtë fund të trishtë e paralajmëroi vetë poeti nëpërmjet letrave të shumta që shkëmbyem brenda harkut kohor mars 2011 – maj 2012, lidhur me përgatitjen sa më cilësore të antologjisë, pjesë të së cilës Aliu më bëri dhe mua. Madje, që të sigurohet se antologjia do të botohet patjetër, në njërin prej takimeve tona të shpeshta, më solli në Tetovë 3 CD me versionin e veprës së bërë gati për shtyp. Shi për këtë, e ndjej si punë borxhi, që, në kujtim të poetit të madh, që etnive të vogla si kjo jona u vijnë një herë në 100 vjet, të sjell para lexuesve disa copëza të letrave të Tij, të cilat shpërfaqin merakun dhe dëshirën e fundit të Ali Podrimjes.

4 mars 2011: Për mua ishte kënaqësi që në Tetovë ktheva pas disa viteve dhe që të takova ty dhe birin tënd V. Të ftohtit fare nuk e kam ndjerë se fjalët tona kishin zjarrin e vet. Edhe njëherë të falënderoj për mikpritjen bujare. Do të kthej prap në mesin tuaj se ishte vërtet i ngrohtë. Çdo të mirë ty dhe familjes sate, ndërsa V. përgadite për një të ardhme të ashpër.

13 janar 2012: Unë do të bëj çmos të vij të mërkuren ose të enjten dhe do të takohemi në restoranin Arbëri. Jam tepër i dërmuar dhe i lodhur por megjithatë duhet ta kryej punën e nisur. Megjithëse jam i sëmurë dhe i rraskapitur do bëj përpjekje të vij e të pimë nga një kafe.  Të fala familjes e çdo të mirë, Ty. Mund të ndodh që të bëj ca korrigjime dhe të vendosi për diçka tjetër.

17 janar2012: Të gjithë mund t’i harroj, por Ty e kam vështirë të të harroj. Unë kam shpresë se punen që do ta bëjmë ne do të jetë e nderuar nga të nderuarit. Pra, më gezojnë fjalët që i thua për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe kam shpresë se krijuesit si Ti e ca të tjerë mund të bëjnë shumë dhe, nëse e bëjmë do të ishte një përkrahje e zhvillimit të Shqiptarisë. Pres bashkëshorten të shkojë te djali ne Amsterdam dhe unë të zbres te Ti në Tetovë. Të them të vërtetën më ka marr malli. Të fala e çdo të mirë, mik i dashur!

30 janar 2012: U bë ca kohë nuk të kam shkruajtur. Nuk është fjala se të kam harruar, por na kishte ndarë të ftohtit dhe bora e madhe që ra në Kosovë dhe Maqedoni. Besoj se punët rreth shkrimeve që jam duke i tubuar për Antologjinë do shkojnë mirë dhe do të takohemi pasi t’ia kthejmë shpinën dimrit. Po ti si ma ke qefin? Faik Konicen ta kam lexuar deri te faqja e fundit dhe më ka pëlqyer shumë. Dhashte Zoti që njerëzit në këtë hapësirë të ftoftë dhe të rëndë të nisin ta çmojnë njëri-tjetrin. Unë gjithmonë kur kam zbritur në Tetovë e kam ndjerë veten tepër të lumtur, sepse ma kujtonte ekzodin e madh që një gjysëm milioni shqiptarësh kishin zënë vend nëpër shtepitë e tetovarëve. Kjo ishte diçka me se njerëzore, se vëllau për vëllane bënte atë qe mundte. Të fala e çdo të mirë!

31 janar 2012: Këto poezi që po t’i dërgoj do të jenë krah poezive të poetëve të tjerë të rrafshit tuaj. Lexoji dhe më lajmëro si të duken. Lexoje po ashtu dhe poezinë Atdheu dhe Çizmja dhe zbulo mesazhet. Besoj se mirë do të ndahesh duke shëtitur nëpër to dhe duke zbuluar atë që është vërtet për t’u mbajtur mend. Yt mik e vella, Aliu.

1 shkurt 2012: Më beso edhe une po hjek të zijtë e thonit, sepse deshiroj që të paraqesim vërtet një libër të denjë të poezisë shqipe, ku jemi të perfaqësuar jo vetëm ne të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, por dhe arbëreshët dhe arvanitasit. Pra siç po e sheh, libri ka një frymë dhe një dashuri e respekt për të kaluarën tonë. Kam shpresë se ne do të japim maksimumin që vërtet ta shënojmë 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë… Dhashtë Zoti të ndahemi faqebardhë! Para se të nisem për në Tetovë do të lajmëroj të premten ose të enjten se u nisa. Antologjia do të pagëzohet Nën Flatrat e Shqipeve, e cila ka një domethënie historike dhe që dëshmon se nën ato flatra kanë ndodhur edhe shumë beteja të përgjakura…

2 shkurt 2012: I dashur Fatmir dhe mik i vjetër. Nuk do të ik nga kjo botë pa botuar ndonjë libër të krijuesëve nga Maqedonia në ndonjë gjuhë evropiane. Këtë e them me gjithë zemër, sepse edhe jam nga ata që i njoh shumë botues të huaj. Nuk e di pse frikësohen ca skribomanë rreth paraqitjes së poetëve nga Tetova apo nga Kosova, kur kjo është nder për letrat shqipe dhe për gjithë atë që krijohet në Kosovë e Shqipëri… 350 faqet të cilat gjenden në zyrën tonë të Akademisë do t’i ruajmë dhe e dijmë se do t’i vijë koha kur libri të dalë. Po ashtu, miku im i dashur, ti ke pas forcë kaq sa ke mund dhe ke bërë atë që është kryesore për letrat shqipe dhe çështjen shqiptare. Megjithatë në mes nesh ka njerëz që nuk ia duan të mirën artit dhe popullit tonë. Por ne po bëjmë të pamundurën dhe, dhashtë Zoti, të na hapen rrugët kudo se askujt keq nuk i kemi bërë…

20 mar 2912: Ne po bëjmë përpjekje që ta presim 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe t’i tregojmë botës se kombi ynë di të festojë dhe të nderojë datat e numëruara që kemi pasur dhe do të kemi. Ne duam ta nderojmë popullin dhe kulturën tonë, jo të shesim mend e t’u kërcënohemi të tjerëve. Përkundrazi, duam që në hapësirën tonë të krijojmë miq që do t’na nderojnë., Pra, qëllimi ynë është më se njerëzor dhe i qytetëruar.

24 maj 2012: Moti nuk të kam dëgjuar dhe nuk e di si i ke punët. Kam shpresë se Ti do të ecësh përpara dhe qëndrimin e Faik Konices nuk do ta lëshë pas. Unë pakës jam molisur por do e mund edhe të keqen. Se jam ai që kam kërcyer e kam qen kampion i notit nga Ura e Fshejtë… Të fala e çdo të mirë në shtëpi!

Shkruan: Fatmir Sulejmani

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button