Zaev: Themelimi i Bashkësisë Islame Selefiste në RMV, nga aspekti i sigurisë është problem

Themelimi i Bashkësisë Islame Selefiste në RMV, nga aspekti i sigurisë është problem”, kështu deklaroi kryeministri Zoran Zaev, i pyetur për qëndrimin e tij në lidhje me themelimin e kësaj bashkësie fetare, e cila në këtë rast bëhet paralele me Bashkësinë Islame të Maqedonisë së Veriut, me të cilën udhëheqë reis Shaqir Fetahu, njofton Portalb.mk.

“Unë jam shumë pak i informuar për orientimin fetar e nënfetar të njerëzve, por atë që e di, një pjesë e komuniteteve për fat të keq kemi radikalizim, por edhe dukuri të tjera devijuese për të cilat shteti nga shumë aspekte tjera duhet të ketë kujdes dhe nuk është vetëm orientimi i gjerësisë së ligjit për komunitetet fetare. Jam informuar nga ministri i Drejtësisë se një gjykatë e caktuar e jona ka regjistruar një komunitet të këtillë fetar, i cili nga aspekti i sigurisë së shtetit është problem. Kështu që besoj që vetë shërbimet kompetente do të hyjnë në zgjidhjen e këtyre çështjeve. Me kujdes e lexova dokumentin si reagim nga BFI-së, ai i ka bazat dhe përmbajtjet e tij dhe është vetëm arsye shtesë se pse shteti duhet të veprojë dhe të gjejë zgjidhje për këtë çështje”, deklaroi Zaev.

Portalb.mk, sot i zbardhi emrat e personave që e kanë themeluar Bashkësinë Fetare Islame “Dar el Hadith” me seli në Shkup. Person i autorizuar që e ka regjistruar bashkësinë fetare është Xhemal Jakupi nga Shkupi, ndërkaq si bashkëthemelues janë edhe: Milaim Memed, Vullnet Rashiti, Jeton Thaçi, Agim Sulejmani, Blerand Grubi, Ramiz Musliu, Ekrem Tusha dhe Zijadin Sejdiu.

Për regjistrimin e kësaj bashkësie fetare, nga BFI, dje reaguan ashpër, pasi që siç thanë ata, ligji nuk e lejon regjistrimin e dy institucioneve të njëjta fetare dhe se është i dëmshëm për unitetin e muslimanëve në vend. Ata i ftuan qytetarët që të mos bien pre e kësaj bashkësie, siç thonë ata, të themeluar nga gjykatësja Suzana Donçevska.

Nga Gjykata Themelore Shkupi 2 për Portalb.mk thanë se nuk e ka shkelur ligjin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button