fbpx

Facebook ka ndaluar përdoruesit australianë të ndajnë lajmet në mosmarrëveshje me ligjin e ri

Facebook po bllokon përdoruesit australianë, duke mos i lejuar të ndajnë apo të shohin informacione lajmesh si pasojë e një mosmarrëveshjeje rreth një ligji të propozuar në atë vend.

Australia dëshiron që gjigantët e teknologjisë si Facebook-u dhe Google të paguajnë për përmbajtjen e ri-postimeve nga mediat, njofton VOA.

“Një vendim bombë” është mënyra se si po raportohet reagimi i Facebook-ut në Australi. Gjiganti i mediave sociale tha se me keqardhje po ndalon australianët të ndajnë dhe lexojnë lajme në platformën e tij. Qeveria në Kanberra, megjithatë, ka thënë se nuk do të tërhiqet. Ministrat kanë thënë se ndalimi i ushtruar nga Facebook thekson “fuqinë e jashtëzakonshme të tregut të këtyre gjigantëve digjitalë socialë”.

Rreth 17 milionë australianë vizitojnë Facebook-un çdo muaj.

Legjislacioni për kodin e medias tashmë është miratuar nga dhoma e ulët e parlamentit australian dhe pritet të marrë miratimin përfundimtar nga dhoma e lartë, Senati, javën e ardhshme. Kjo do ta bënte Australinë vendin e parë që detyron firmat e mëdha të teknologjisë të paguajnë për përmbajtjen e lajmeve.

Ministri i Komunikimeve Paul Fletcher reagoi ashpër për veprimet e Facebook.

“Facebook-u duhet të mendojë me shumë kujdes se çfarë do të thotë kjo për reputacionin dhe pozitën e tij,” tha zoti Fletcher. “Ata në fakt po thonë se në platformën e tyre nuk do të ketë ndonjë informacion nga organizata që punësojnë gazetarë të paguar. Janë duke thënë në fakt se çdo informacion që është në dispozicion në faqen e tyre nuk vjen nga burime të besueshme. ”

Përparimi i ligjeve për mediat sociale në Australi po ndiqet nga afër në pjesë të tjera të botës, përfshirë Kanadanë dhe Bashkimin Evropian.

Eapi i Facebook-ut për të bllokuar të gjithë përmbajtjen e lajmeve në Australi është një përpjekje për të frikësuar demokracinë dhe do të forcojë vendosmërinë e ligjvënësve në të gjithë botën për t’u bërë të ashpër me gjigandët e teknologjisë, tha një ligjvënës britanik.

Facebook-u tha se legjislacioni “keqkupton thelbësisht” marrëdhënien midis tij dhe botuesve. Kompanitë e mëdha të teknologjisë, përfshirë Google, kanë argumentuar se duke përdorur informacione lajmesh nga botues të tjerë ata gjenerojnë më shumë trafik dhe të ardhura për faqet e internetit të drejtuara nga media tradicionale. Ata janë ankuar se ndërsa të ardhurat e tyre nga reklamat kanë rënë, platformat e mediave sociale kanë përfituar nga gazetaria e tyre cilësore pa paguar për të.

Në kontrast me Facebook-un, Google këtë javë nënshkroi një marrëveshje shumë milionëshe me tre transmetues dhe botues të mëdhenj australianë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button