Këta janë 9 personat që e kanë themeluar Bashkësinë Islame Selefiste “Dar el Hadidh” në Shkup

Personi i autorizuar që e ka regjistruar Bashkësinë Islame Selefiste “Dar el Hadith” me seli në Shkup, e cila llogaritet si paralele me Bashkësinë Fetare Islame të RMV-së, është Xhemal Jakupi nga Shkupi, ndërkaq si bashkëthemelues janë edhe: Milaim Memed, Vullnet Rashiti, Jeton Thaçi, Agim Sulejmani, Blerand Grubi, Ramiz Musliu, Ekrem Tusha dhe Zijadin Sejdiu. Gjykata Themelore Shkupi 2 thotë se nuk e ka shkelur ligjin në lidhje me regjistrimin e Bashkësisë Islame Selefiste “Dar el Hadith”, shkruan Portalb.mk.

“Gjykata, vepron në pajtim me dispozitat e Ligjit për pozitën juridike të kishës, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze, në të cilin në mënyrë të saktë janë theksuar se cilat elemente duhet të plotësohen, me qëllim që gjykata të mund të lejojë regjistrim në Regjistrin Amë të kishave , bashkësive fetare dhe grupeve religjioze”, thuhet në deklarimin e gjykatëses Suzana Donçevska për Portalb.mk, një ditë pasi që BFI në konferencë për shtyp tha se kjo gjykatëse ka regjistruar një bashkësi fetare islame, në kundërshtim me Ligjin për pozitën e kishës, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze.

Në lidhje me pyetjen për atë se gjykatësja e ka shkelur praktikën juridike, sipas së cilës për secilin themelim të bashkësisë fetare mendim duhet të japin 5-pesë bashkësitë kushtetuese të MV, e njëjta theksoi se në Ligjin për pozitën e kishës, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze, nuk është e paraparë në asnjë nen nga Ligji i theksuar, se për themelimin e bashkësive fetare është e nevojshme që të jepet mendim nga 5-pesë bashkësitë kushtetuese të MV.

“Thëniet e BFI se është shkelur Ligji për pozitën e kishës, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze, janë të përfshira në ankesën e parashtruar më 02.02.2020( nga ana e BFI ), kështu që sipas të cilave për deklarim është ekskluzivisht kompetent  drejtpërsëdrejti gjykata  më e lartë se kjo, gjegjësisht Gjykata e Apelit Shkup. Në këtë kuptim gjykata vepron dhe kryen regjistrim në pajtim me Ligjin e theksuar”, thotë gjykatësja.

Nga ana tjetër sot kryeministri Zoran Zaev tha se Themelimi i Bashkësisë Islame Selefiste në RMV, nga aspekti i sigurisë është problem.

“Unë jam shumë pak i informuar për orientimin fetar e nënfetar të njerëzve, por atë që e di, një pjesë e komuniteteve për fat të keq kemi radikalizim, por edhe dukuri të tjera devijuese për të cilat shteti nga shumë aspekte tjera duhet të ketë kujdes dhe nuk është vetëm orientimi i gjerësisë së ligjit për komunitetet fetare. Jam informuar nga ministri i Drejtësisë se një gjykatë e caktuar e jona ka regjistruar një komunitet të këtillë fetar, i cili nga aspekti i sigurisë së shtetit është problem. Kështu që besoj që vetë shërbimet kompetente do të hyjnë në zgjidhjen e këtyre çështjeve. Me kujdes e lexova dokumentin si reagim nga BFI-së, ai i ka bazat dhe përmbajtjet e tij dhe është vetëm arsye shtesë se pse shteti duhet të veprojë dhe të gjejë zgjidhje për këtë çështje”, deklaroi Zaev.

Nëpër rrjetet sociale, Facebook dhe Tuitter, kjo bashkësi fetare ende nuk e ka hapur ndonjë faqe të saj. Shohim vetëm se po përhapet një fotografi me të dhëna, për këtë bashkësi, sipas të cilës thuhet se selinë e ka në Çair.

Bashkësia islame Selefiste Dar El Hadith
Bashkësia islame Selefiste Dar El Hadith

Për regjistrimin e kësaj bashkësie fetare, nga BFI, dje reaguan ashpër, pasi që siç thanë ata, ligji nuk e lejon regjistrimin e dy institucioneve të njëjta fetare dhe se është i dëmshëm për unitetin e muslimanëve në vend. Ata i ftuan qytetarët që të mos bien pre e kësaj bashkësie, siç thonë ata, të themeluar nga gjykatësja Suzana Donçevska.

“Me indinjatë të thellë reagojmë kundër Gjykatës Themelore Shkupi 2 – Shkup, e cila ka regjistruar këtë gjoja bashkësi fetare, vendim që mban vulën e gjykatëses Suzana Donçevska. Ky akt është i turpshëm dhe shumë i dëmshëm për unitetin e muslimanëve të Maqedonisë së Veriut dhe si i tillë është tentim për paralelizëm institucionit kushtetutar të Bashkësisë Fetare Islame”, thuhet në konkluzionin e Rijasetit.

“Apelojmë te të gjithë besimtarët tanë në RMV dhe bashkatdhetarët tanë në Evropë e gjetiu, mos të bien në grackën dhe kthetrat e bashkësisë së themeluar nga Donçevska dhe me bindje të paluhatshme u tregojmë se kjo bashkësi është pjellë e strukturave dashakeqe në vend për ta dëmtuar thellë unitetin e muslimanëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkësinë Fetare Islame në veçanti. Bashkësia Fetare Islame njofton të gjithë se ky akt është i dëmshëm për shoqërinë tonë, prandaj në mënyre kategorike dhe pa kompromis do të vazhdojë të mbrojë unitetin dhe dinjitetin e besimtarëve të vendit”, thanë nga BFI.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button