Ekipi mjekësor i ARM-së do të niset në Afganistan i vaksinuar kundër kovid-19

Ekipi kirurgjik gjashtë anëtarësh ushtarak i Maqedonisë, i cili po përgatitet në Norvegji për një mision në Afganistan, do të niset për në Kabul i vaksinuar kundër kovid-19. Ekipi, i përbërë nga tre mjekë dhe tre infermierë, mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneka dje, si dhe kolegët e tyre norvegjezë me të cilët do të marrin pjesë në mision dhe do të marrin të dytën para se të nisen për në Afganistan, informoi Shtabi i Përgjithshëm. Në nëntor të vitit të kaluar, trembëdhjetë ushtarë të Maqedonisë në Afganistan u infektuan me kovid, njofton Portalb.mk.

Ekipi kirurgjik ushtarak i ARM-së nga mesi i janarit është në përgatitje dhe trajnim në Norvegji, ndërsa nga mesi i marsit e deri në shtator ekipi mjekësor i Maqedonisë dhe i Norvegjisë do t’i shërbejë spitalit ushtarak norvegjez në Kabul në kuadër të misionit të NATO-s “Mbështetje me vendosmëri”.

Foto: Ministria e Mbrojtjes
Foto: Ministria e Mbrojtjes

Pesë nga ekipi prej gjashtë anëtarësh janë nga shëndeti publik, ndërsa një pjesëtar është infermier në Batalionin e mbështetjes mjekësore të ARM-së. Në Norvegji, ekipi vendas i nënshtrohet trajnimit bazë dhe ekipor ushtarak, punës në grupe dhe trajnimit special në kirurgjinë ushtarake. Tre mjekët në ekip janë specialistë në traumatologji, kirurgji të përgjithshme dhe anesteziologji.

Ekipi kirurgjik ushtarak është një prej kapaciteteve që ARM-ja duhet ta zhvillojë dhe deri në vitin 2028 t’i vërë në dispozicion për misionet e NATO-s.

Mjekët e Maqedonisë tashmë kanë përvojë pune në kushte ushtarake me homologët e tyre norvegjezë. Ekipet mjekësore nga të dy vendet punuan së bashku në Afganistan në shtatë rotacione brenda forcës ISAF nga 2008 në 2012, dhe menjëherë më pas Mbretëria e Norvegjisë i dhuroi ARM-së një spital ushtarak për në terren, me vlerë dy milion euro, i cili në fillim të pandemisë u vendos në Qendrën klinike spitalore në Shkup. Në nëntor të vitit të kaluar, Norvegjia, Ministrisë së Mbrojtjes i dhuroi shumë se 13,000 teste të shpejtë për kovid.

Personeli mjekësor i shëndetit publik merr pjesë në misionet ushtarake bazuar në një memorandum midis ministrive resore, sipas të cilit Ministria e Shëndetësisë siguron përbërjen e ekipit, ndërsa Ministria e Mbrojtjes paratë. Harxhimet e trajnimit dhe mbështetjes logjistike në mision i mbulon Mbretëria e Norvegjisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button