7 ankesat e Portalbit kundër Komunës së Tetovës janë pranuar: Komuna e Tetovës fsheh informata në mënyrë të paligjshme (DOKUMENT)

Agjencia për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik ka miratuar vendim me anë të së cilit vërteton se Komuna e Tetovës ka vepruar në mënyrë kundërligjore ndaj kërkesave të redaksisë së Portalb.mk . Bëhet fjalë për 7 kërkesa për informacione, për të cilat Agjencia kërkon nga Komuna e Tetovës që në afat sa më të shpejtë t’i përgjigjet Portalbit. 

Edhe pse gjatë fushatës parazgjedhore, kryetarja e Komunës së Tetovës vazhdimisht kishte premtuar transparencë, ajo ka vepruar në mënyrë kundërligjore duke fshehur informacione të karakterit publik nga gazetarët.

“Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, pas shqyrtimit të ankesës dhe shkresave tjera në lidhje me lëndën, ka konstatuar se Bartësi i informatës (Komuna e Tetovës) nuk ka vepruar në pajtueshmëri me dispozitat ligjore për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik dhe nuk i ka dorëzuar informatat e kërkuara deri te kërkuesi, në mënyrë dhe formën që është theksuar në kërkesë”, thuhet në vendimin e Agjencisë.

Agjencia, gjithashtu i thotë Bartësit të informatës me karakter publik se, gjatë procedurës së dytë është i obliguar që t’i dorëzojë informatat e kërkuara në tërësi dhe të veprojë në pajtueshmëri me nenin 20, paragrafi 1 nga Ligji për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik i cili thotë “Nëse bartësi i informacionit pozitivisht i përgjigjet kësaj kërkesë apo në qoftë se kërkesën pjesërisht apo tërësisht e refuzon, për këtë do të merr vendim”

Redaksia jonë ka kërkuar nga Komuna e Tetovës që të na dorëzojë informata për:

  • Borxhin e Komunës së Tetovës dhe listën e personave juridik dhe fizik që Komuna e Tetovës i ka borxh, së bashku me shumën.
  • Informacione në lidhje me ndërtimin e selektimit sekondar në fshatin Falish të Tetovës.
  • Dokument në lidhje me atë se çfarë ju ofrohet pronarëve të shtëpive të cilat duhet të rrënohen për hapjen e bulevardit “Blagoja Toska” dhe sa para ka harxhuar gjithsej Komuna e Tetovës (nga buxheti vetanak), nga viti 2013, për këtë bulevard
  • Informacione në lidhje me mjetet e siguruara nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” nga viti 2017 dhe sa here deri tani janë ndryshuar koshat e mbeturinave?
  • Sa kërkesa për legalizim ka aktualisht Komuna e Tetovës? Sa kërkesa të tilla kanë arritur nga viti 2017 dhe sa prej tyre janë shqyrtuar.
  • Sa është numri i saktë i të punësuarve në Komunën e Tetovës? Cila Ndërmarrja Komunale ka numrin më të lartë të të punësuarve?
  • Kur ka qenë hera e fundit që janë ndryshuar tubat e ujësjellësit në Tetovë?

Njoftojmë se deri te Portalb.mk nga Komuna e Tetovës përgjigje ka arritur vetëm për kërkesën e 5, gjegjësisht për numrin e kërkesave për legalizim. Përgjigje morëm edhe për kërkesën e tretë, në lidhje me bulevardin “Blagoja Toska” megjithatë, autoritetet komunale nuk ishin përgjigjur në pyetjet tona por kishin deklaruar diçka krejtësisht tjetër, edhe për këtë Portalb.mk do të ankohet.

Këto janë shtatë vendimet e Agjencionit për Qasje të Lirë deri te Informatat me Karakter Publik – Të gjitha në favor të Portalb.mk.

This slideshow requires JavaScript.

Kjo nuk është hera e parë që Komuna e Tetovës tregon jotransparencë

Në shkurt të vitit të kaluar, për shkak se Komuna e Tetovës përsëri kishte fshehur informacione të karakterit publik, Portalb.mk u ankua dhe rikujtojmë se Agjencia për Qasje të Lirë deri tek Informatat me karakter publik miratoi vendim në favor t# Portalbit, nga ku kërkoi që Komuna e Tetovës të respektojë ligjin.

Redaksia jonë, nuk do të ndalet së kërkuari përgjigje dhe transparencë nga Komuna e Tetovës për qytetarët tonë, ne do ta bëjmë punën tonë. Portalb.mk, sërish ia kujton Komunës se e ka obligim ligjor të na i dërgojë në tërësi të dhënat e kërkuara.

E rikujtojmë kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi se në intervistën e Portalb.mk dhe Vertetmates.mkajo premtoi se do të jetë transparente dhe ekipi me marrëdhënien me publikun do ta bëjë të njëjtën. Të njëjtën e premtoi edhe më herët në debatin Jeta në Maqedoni si dhe në mandatin e kaluar të saj. Kjo komunë nuk është në listën e komunave më transparente në Maqedoni.

E rikujtojmë kryetaren se dhënia e informatave jo të plota dhe jo të nevojshme e shkelë premtimin për transparencë, por edhe ligjin për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button