Kompania turke Purplast do të investojë 5,1 milionë euro në Shkup dhe do të krijojë 40-50 vende pune

Kompania turke Purplast, e cila ka përvojë 40 vjeçare në industrinë e automobilave dhe eksporton produktet e saj në 36 vende të botës, në gjysmën e dytë të vitit 2021, do të hapë fabrikën e saj të re në ZIZHT Shkup 2 në të cilën realizon investime prej 5,1 milionë euro, dhe ku fillimisht do të punësohen 40-50 persona, transmeton Portalb.mk.

Kjo u njoftua sot në një konferencë për shtyp në Qeveri, ku u nënshkrua marrëveshja për ndihmë nga shteti për realizimin e këtij investimi, në të cilën morën pjesë zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi , drejtori i Drejtorisë për Zonat industriale të zhvillimit teknologjik, Jovan Despotovski dhe drejtori ekzekutiv i grupacionit Purplast, Mehmed Shishmanoglu.

Zëvendëskryeministri Bytyqi gjatë konferencës së sotme për media, theksoi se me hapjen, përkushtimin për krijimin e një klime edhe më të mirë afariste, krijimin e një sërë masash për të mbështetur investimet në prodhimtari dhe stimulimin e kompanive të eksportit, Qeveria meritoi besimin e kompanive dhe do të vazhdojë edhe më fuqishëm dhe më me përpikëri në zbatimin e synimeve për të rritur konkurrencën e ekonomisë maqedonase.

“Ne mund ta bëjmë atë vetëm duke tërhequr kompani të reja të huaja, por gjithashtu duke stimuluar zhvillimin teknologjik, modernizimin dhe dixhitalizimin e kompanive vendase, duke pushtuar tregje të reja dhe duke ndërtuar një brend prodhues, i cili në botë do të njihet për nga cilësia. Për 3 vitet e fundit, ne kemi dëshmuar si Qeveri se jemi një partner i qëndrueshëm biznesi. Të gjitha obligimet e marra në lidhje me marrëveshjet e ndihmës nga shteti janë në kohë dhe plotësisht të kryera. Së bashku me kompanitë, kemi krijuar lidhje të forta të bazuara në besim të ndërsjellë, por edhe përkushtim maksimal në realizimin e obligimeve të premtuara dhe të ndërmarra nga të dy palët”, theksoi Bytyqi.

Drejtori ekzekutiv grupacionit Purplast, Mehmet Shishmanoglu, duke iu referuar krizës së Covidit, tha se ky vit solli një ndryshim që askush nga ne nuk e priste, duke shtuar një nivel plotësues e sfidës për realizimin e investimit.

“Me integrimin e plotë në “normalen e re” postpandemike, kompanitë sikurse Purplast që vazhdojnë të përparojnë do të rimëkëmben më shpejt dhe do të marrin më shumë hise të tregut me një linjë të re prodhuese dhe kapacitet të lirë. Me motivimin dhe besimin tonë të fortë në këtë investim, do mund t’ia fillojmë punën para fundit të majit të këtij viti dhe shpresojmë të takohemi personalisht gjatë ceremonisë sonë zyrtare të hapjes këtë verë,” tha Shishmanoglu.

Realizimi i këtij investimi filloi në vitin 2019, kurse përgatitja e truallit më 1 korrik 2020 dhe për një periudhë prej 7,5 muajsh përfunduan 75% e ndërtimit të objekteve. Sipërfaqja e truallit ndërtues me qira për Purplast është 26.000 m2, në fazën e parë është përdorur 50% e truallit (Faza 2 pritet për 2025). Gjithsej janë 12.000 m2 sipërfaqe të mbyllur: ndërtesa administrative në 2 kate me gjithsej 1.600 m2 dhe një sallë prodhimi, dhoma mekanike: gjithsej 10.400 m2.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button