Ballkan i bashkuar për ajër të pastër: Ndotja e ajrit është njëri nga shkaqet për vdekshmërinë e lartë dhe shpenzimet e rritura shëndetësore

Ndotja e ajrit e shkurton jetën tonë, ndërsa ndonjëherë edhe na e merr jetën. Për shkak të pasojave nga ajo, më shpesh shkojmë në mjek për t’u mjekuar nga sëmundje të ndryshme respiratore. Cilësia e dobët e ajrit është njëri nga shkaqet për vdekshmëri të zmadhuar, jetë më të shkurtë dhe shpenzime më të larta shëndetësore të banorëve të Ballkanit Perëndimor, sugjerojnë eko-organizatat e Ballkanit nëpërmjet Fushatës “Ballkan i bashkuar për ajër të pastër”, njofton Meta.mk.

“Pasojat nga ndotja e ajrit më së shumti do të ndikojnë te qytetarët me status më të ulët socioekonomik, të cilët shpesh janë të ekspozuar, për shkak se jetojnë në zona me intensitet të lartë të qarkullimit rrugor dhe afër burimeve të ndotjes siç janë elektranat dhe kapacitetet industriale. Gjithashtu, kryesisht njerëzit e varfër janë ata që kanë punë të rënda me ekspozim profesional ndaj gazrave, grimcave dhe metaleve të rënda. Kur me gjithë këtë do të merren parasysh edhe ndryshimet klimatike që shkaktojnë ndotje plotësuese, kushtet e këtilla për jetë rezultojnë me jetë më të shkurtë, që veçanërisht i prek personat në moshë dhe fëmijët nën moshën pesëvjeçare” thonë eko-aktivistët.

Sipas tyre, parandalimi i sëmundjeve të shkaktuara nga cilësia e dobët e ajrit duhet të bëhet pjesë përbërëse e politikave për mjedis jetësor dhe mbrojtje shëndetësore.

Ndër të tjerat, ata theksojnë se Qendra e përbashkët për hulumtime e Komisionit Evropian thotë që ndotja e ajrit në Ballkanin Perëndimor, e shkurton jetën e qytetarëve në mesatare nga 0.4 deri 1.3 vite. Ndërkaq, sipas të dhënave të OBSH-së, nga cilësia e dobët e ajrit në rajon, para kohe jetën e humbin 13.500 njerëz çdo vit. Në të njëjtën kohë, shpenzimet vjetore për mbrojtje shëndetësore të shkaktuara nga elektranat me thëngjill në Ballkanin Perëndimor vlerësohen në 1.2 deri 3.4 miliardë euro.

Fushata “Ballkan i bashkuar për ajër të pastër” ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për pasojat nga ajri i ndotur. Eko-organizatat nga të gjitha vendet ballkanike kërkojnë që zvogëlimi i ndotjes së ajrit të përcaktohet si prioritet nacional, rajonal dhe ndërkombëtar si dhe të integrohet në të gjitha proceset e planifikimit.

Për t’u përmirësuar mbikëqyrja e ndotësve dhe të arrihet cilësi më e mirë e ajrit, sipas eko aktivistëve, e domosdoshme është të themelohen partneritete shumësektoriale në nivel nacional dhe rajonal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button