Leternjoftimi

Disa thonë se letërnjoftimet ku do të shkruhet përkatësia etnike e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do i thellojnë ndasitë etnike në këtë vend. Po ashtu, ata thonë se parashikimi i grafës etnike dhe fetare gjetë regjistrimit të popullatës do i thellojë këto ndasi. E si mund të thellohen ende më shumë këto ndasi në këtë vend kaq të ndarë në të gjitha aspektet, jo vetëm etnike, fetare por edhe politike? Fundja ndasitë në një shtet i bëjnë politikat e papërgjegjshme dhe të papërshtatshme dhe jo grafat etnike në letërnjoftim e në regjistrim. Nuk kam dëgjuar për shtete që janë ndarë për shkak të asaj se çfarë shkruan në letërnjoftim.

Grafa etnike në pyetësorin e regjistrimit dhe në letërnjoftim është jo vetëm e kuptueshme por edhe e domosdoshme, në një vend ku etnitetet përmenden në Kushtetutë, dhe ku disa të drejta kolektive në aspektin etnik varen pikërisht nga numri i atyre që i përkasin atij etniteti brenda shtetit. Përkatësia etnike nuk është diçka që duhet të fshihet, e as diçka e padukshme. Përkatësia etnike duket tek emri dhe mbiemri që shkruhet në letërnjoftim. Përkatësia etnike është formë e rëndësishme e shprehjes së identitetit kombëtar, prandaj nuk ka arsye pse i njëjti të mos parashihet si pjesë e regjistrimit si dhe të shkruhet hapur në letërnjoftim.

Pse a mendon dikush se deri më tani përkatësia etnike në letërnjoftimet tona ka qenë e padukshme? Jo nuk ka qenë fare e padukshme por ka qenë e koduar. Sepse maqedonasit etnikë kanë letërnjoftime që fillojnë me germën A pas të cilës pason numri i letërnjoftimit, ndërsa shqiptarët dhe etnitetet tjera kanë letërnjoftime që fillojnë me germën G pas të cilës pason numri i letërnjoftimit. Kjo është kështu që nga koha kur i kemi letërnjoftimet biometrike.

Përcaktimi i qartë i grafës etnike në letërnjoftim është bile i mirëseardhur. Tani sado kudo do të vështirësohet puna për ata që e keqpërdorin përkatësinë etnike për të konkurruar në vendet e punës ku përcaktimi i kuotës etnike ka për qëllim përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën publike. Tani keqpërdoruesit e identiteve do të duhet të nxjerrin letërnjoftim të veçantë ku do të shprehen se ndihen shqiptarë për shembull sa për të fituar një vend pune. Pastaj gjatë regjistrimit do të duhet sërish ta ndryshojnë letërnjoftimin që të mos mbeten shqiptarë dhe ta rrisin numrin e tyre në këtë shtet. Tregtarët e identitetit do të jenë humbësit më të mëdhenj në këtë mes.

Jo rastësisht të gjitha partitë politike pajtohen me këtë propozim, normalisht, përveç së Majtës të cilët nuk pajtohen absolutisht me asgjë në botë. Për shqiptarët gjithmonë është e rëndësishme të theksohet përkatësia e tyre etnike për të theksuar të qenit qytetar i Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësisht të qenit shqiptar etnik. Kjo çështje ishte aktuale edhe gjatë Marrëveshjes së Prespës ku për të njëjtën arsye në përcaktimin e shtetësisë qëndron shtetësia maqedonase/qytetar i RMV. Nga ana tjetër, kjo është e mirëseardhur edhe për maqedonasit etnikë shumë nga të cilët ndryshimin e emrit të shtetit e përjetuan si ndërhyrje në identitetin e tyre etnik. Me përcaktimin e grafës etnike në letërnjoftim ata po ashtu e theksojnë përkatësinë e tyre etnike, që është me rëndësi edhe për ata. Po ashtu, edhe komunitetet më të vogla shpesh kanë kërkuar që të njihen dhe të duken si të tillë, tani letërnjoftimi i ri këtë do tua mundësojë.

Një shtet nuk bëhet shoqëri qytetare vetëm duke deklaruar se është i tillë. Në shoqërinë qytetare komunitetet etnike nuk shkrihen dhe identiteti etnik është i lirë për tu kultivuar. Në kultivimin e lirë të këtij identiteti bën pjesë edhe shprehja e tij e hapur në dokumentet zyrtare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button