Premtimi refren: “Libri i Gjeografisë do të hiqet”- vënia para përgjegjësisë vazhdon të mos përmendet

Me librin e Gjeografisë për vitin e dytë të shkollave të mesme si dhe me librat tjerë, do të aplikohet neni 26, paragrafi 2 i Ligjit për librat shkollor. Në këtë pjesë të ligjit thuhet se tërheqja e teksteve shkollore nga përdorimi bëhet nëse të njëjtat përmbajnë materie që ofendojnë historinë, kulturën dhe vlerat në përgjithësi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky ishte epilogu i takimit Carvoska-Grubi-Ademi, ku u diskutua për reformat në arsim, transmeton Portalb.mk.

“Zëvendëskryeministri i parë Grubi, ministrja e arsimit Carovska dhe deputeti Ademi u dakorduan që në përputhje me Ligjin për librat shkollor për arsim fillor dhe të mesëm të shqyrtohen dhe korrigjohen të gjitha parregullsitë dhe padrejtësitë në të gjitha tekstet shkollore duke nisur menjëherë nga libri i gjeografisë për vitin e dytë të shkollës së mesme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive.

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, thuhet në njoftim, gjithashtu u pajtuan se në kuadër të këtij vendimi gjatë periudhës në vijim do të shqyrtohen të gjitha tekstet e tjera shkollore me qëllim që njëherë e mirë tu jepet fund këtyre dukurive, përkatësisht shtrembërimeve nëpër këto tekste shkollore.

Në fund të këtij takimi, Grubi, Carovska dhe Ademi u dakorduan që bashkë të përkrahin reformat në arsim duke i cilësuar ato si një nga reformat më se të nevojshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit diskutuan për konceptin e reformave në arsim dhe për Ligjin për librat shkollorë për arsim fillor dhe të mesëm.

Përndryshe edhe pse shumë shpesh është ri-aktualizuar si temë, për vite me radhë problemi me librin e Gjeografisë për vitin e II nuk ka gjetur zgjidhje. Për ekzistencën e këtij libri skandaloz, ku shqiptarët fyhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka pasur ndër vite arsyetime me bollëk, por zero përgjegjësi. Askush prej askujt, tekstualisht, nuk kërkoi përgjegjësi për miratimin apo lëshimin në përdorim të këtij libri dhe librave si ky. Udhëheqësit politik, janë shprehur vetëm se këto libra do të ndryshohen, por vetëm kaq, llogaridhënia nuk përmendet për asnjë moment.

Përgjegjësia për lëshimin e një libri të tillë bie mbi disa instiucione arsimore, duke filluar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe organi i saj – Njësia për Shërbim Pedagogjik, Komisioni Nacional, si dhe Byroja për Zhvillim të Arsimit, për të cilat as në këtë takim nuk u përmend vënia përpara përgjegjësisë.

Në librin Gjeografia për vitin e dytë në gjimnaz, sipas hulumtimit të Portalb.mk, ka shtatë momente kontestuese të historisë së Maqedonisë.

  1. Faqja 99 thotë: Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit.
  2. Në shumë pjesë të librit, përfshirë edhe faqen 104, thuhet se: Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780.
  3. Në faqen 104 ka pika të përbashkëta me “Serdarot” të Gligor Përliçev ku thuhet se: Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Shkruan se për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke.
  4. Në faqen 103: Shqipëria shfaqet si okupatore e Maqedonisë Perëndimore.
  5. Në faqen 105: Kosova nuk korrespondon si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia.
  6. Në faqen 84 dhe 85 në pjesën e definimit të Maqedonisë antike dhe të sotme, figurativisht dhjetëra herë “lind” dhe “vdes” shteti i Maqedonisë, kjo paraqet pengesë për krijimin e një pasqyre të qartë të historisë së Maqedonisë.
  7. Gabime bëhen edhe me prejardhjen e pakicave, ngaqë aty futen të gjithë të ardhurit, duke krijuar idenë se në Maqedoni nuk ka popull autokton.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button