Suedia i frikësohet valës së tretë të koronës, për herë të parë paralajmëroi mbylljen e vendeve publike

Qeveria Suedeze ka futur masa që, për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, do t’i lejojë asaj të vendosë karantinë lokale dhe të mbyllë vende publike, të tilla si qendrat tregtare, restorantet, pishinat, palestrat dhe mjediset sportive. Masat dalin nga ligji për pandeminë, të cilin parlamenti e miratoi me procedurë të shpejtë muajin e kaluar dhe do të hyjë në fuqi në 11 mars, njofton Portalb.mk.

Masat i njoftoi ministrja e Shëndetësisë Lena Halengren, duke shtuar se qeveria dëshiron të shmangë një valë të tretë të koronavirusit.

“Mund të jetë e nevojshme mbyllja e një pjese të shoqërisë suedeze. Është shqetësuese që numri i rasteve të reja po rritet. E ndjekim zhvillimin me shumë shqetësim. Ekziston mundësi reale për një vale të tretë të koronavirusit”, tha Halengren.

“Dekreti për mbyllje” do t’i mundësojë qeverisë të mbyllë vendet publike dhe bizneset jo-thelbësore, por vendimi së pari do të duhet të debatohet në parlament.

“Momentalisht nuk po mbyllim asgjë, por qeveria dëshiron të ketë masa të gatshme, të cilat mund të zbatohen në të ardhmen, në rast të një vale të tretë serioze”, tha Halengren.

Qasja suedeze ndaj koronavirusit është e njohur botërisht dhe bazohej në përgjegjësinë e individëve, pa vendosur kufizime të rrepta dhe karantinë kombëtare. Qeveria doli vetëm me rekomandime.

Sidoqoftë, muajt ​​e fundit, edhe Suedia filloi të shtrëngojë masat. Numri i rasteve të reja të koronavirusit ka rënë që nga mesi i dhjetorit, por ka ngecur kohët e fundit dhe madje ka filluar të rritet, duke bërë që zyrtarët e shëndetësisë të shqetësohen se vendi po shkon drejt një vale të tretë.

Suedia ka regjistruar deri më tani 618.000 raste të infektuarish dhe 12.500 të vdekur nga covid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button