RMV, mbi 85 mijë persona të interesuar për vaksinim kundër kovid-19, 35 mijë prej tyre janë mbi 70 vjeç

Deri më tani përmes ueb-faqes “Vakcinacija.mk” 55.970 persona janë paraqitur për vaksinim kundër KOVID-19, ndërsa përmes mjekut amë, për vaksinim janë paraqitur 29.209 persona. Nga ky numër, 38.000 janë persona mbi 70 vjeç, informoi Ministria e Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk.

“Imunizimi në vend filloi dje me vaksinimin e 202 punonjësve shëndetësor. Sipas planit për vaksinimin e punonjësve shëndetësor, të parët që vaksinohen janë personeli mjekësor i cili ka punuar ose po punon me pacientë me KOVID nga Klinika e Sëmundjeve Infektive, SPQ “8 Shtatori”, Instituti i fëmijëve për sëmundje të mushkërive Kozle, klinikat interne të cilat hospitalizojnë pacientë. Nga java e ardhshme, vaksinimi do të fillojë për punonjësit shëndetësor në spitalet në të gjithë vendin, si dhe spitalet private”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Megjithatë numri prej 202 punonjësve shëndetësor të vaksinuar ditën e parë është për 58 më pak se sa ishte paraparë nga Ministria e Shëndetësisë, gjegjësisht të vaksinoheshin 260 prej tyre.

Me këtë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vendi ynë do të jetë një nga vendet e pakta në Evropë ku të gjithë punonjësit shëndetësorë që kanë trajtuar pacientë pozitivë për koronavirus do të kenë marrë vaksinën kundër KOVID-19.

“Vaksinat janë të sigurta dhe të zhvilluara në platforma të sigurta. Të dielën, nga Serbia morëm 4,680 nga 8,000 vaksinat të Pfizerit. Gjatë javës tjetër, pritet të arrijnë sasi të tjera nga Serbia në Maqedoninë e Veriut”, thuhet tutje në kumtesën e MSh-së.

Ministria informoi se deri në fund të muajit shkurt pritet të arrijnë 200,000 vaksinat nga Republika Popullore e Kinës.

Përndryshe në Maqedoninë e Veriut dje filloi vaksinimi i personelit mjekësor në hapësirat e Klinikës për Sëmundje Infektive në Shkup,

Vaksinën “Pfizer” të parat e morën dy punonjëse shëndetësore.

Dr. Dobrinka Naunova-Jovanovska dhe kryeinfermierja Gabriela Temellkovska nga stafi i Klinikës për Sëmundje Infektive janë të parat në vend që morën vaksinën kundër kovid-19.

“Është pa dhimbje, ndihem shkëlqyeshëm. Kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur veten nga infeksioni aktual gjatë gjithë vitit”, tha Dr. Naunoska.

Ajo shtoi se do të marrë dozën e dytë pas 21 ditësh, ndërsa imuniteti fitohet për 2 deri në 3 javë.

Kryeinfermierja Temellkovska tha se i fton të gjithë të aplikojnë për vaksinim, duke shtuar se tani e tutje personeli mjekësor do të ndihet më i sigurt, pasi do të zvogëlohet numri i pacientëve të rinj dhe se “do të fillojmë të kthehemi në jetën normale”.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, në deklaratën për media, theksoi se kryeinfermierja Temellkovska dhe Dr. Naunova Jovanovska janë pjesë e stafit të Klinikës së Sëmundjeve Infektive të cilat gjatë vitit të kaluar punuan ditë e natë dhe luftuan për të shpëtuar çdo jetë njerëzore.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut ka 6,324 raste aktive, ndërsa numri i të diagnostifikuarve me Covid – 19 që nga fillimi i pandemisë është 97,803 numri i pacientëve të shëruar është 88.460, ndërsa 3,010 pacientë kanë ndërruar jetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button