Lokman Musliu: Ja si mund t’ia nisim një biznesi në rrjetet sociale (VIDEO)

Rrjeti social është bërë një prej tregjeve më fitimprurës. Shumë të rinj po shfrytëzojnë talentin e tyre dhe po krijojnë platforma të ndryshme për shërbim. Këtë e bëri edhe Lokman Musliu, i riu nga Gostivari, i cili me profesion është programues/dizajner. Lokmani, pas përfundimit të studimeve kompjuterike, vendosi të hap biznesin e vet të quajtur Lucky Media, një agjenci digjitale që merret me dizajnimin dhe programimin e ueb-faqeve, aplikacioneve për ueb, aplikacione për celular dhe brendim të bizneseve. Në intervistën për Portalb, Lokmani na tregoi se si mund t’ia nisim një biznes në rrjete sociale.

“Nuk mundemi ta mohojmë faktin se sot rrjetet sociale luajnë një rol kyç në suksesin apo dështimin e shumë bizneseve. Vazhdimisht shohim se si dikush nëpërmjet rrjeteve sociale arrin të tërheq vëmendjen dhe interesimin e klientëve më shumë sesa dikush që ka një lokacion fizik. Për të filluar një biznes në rrjetet sociale ju duhet profil për kompaninë dhe brendim adekuat, me marketing dhe produkt të duhur.tha Lokmani.

Rrjetet sociale janë një mundësi për shumë biznese të ndryshme, pa pasur ndonjë kufizim të dukshëm. Por, çfarë kërkohet më shumë në tregun e rrjeteve sociale? Për këtë pjesë, Lokmani u shpreh:

“Unë do kisha thënë se produktet e lira kanë më tepër mundësi. Rreziku për të blerë diçka të lirë është më i vogël dhe e kemi vërejtur se tregu më shumë është i fokusuar në këtë. Shitja e produkteve të shtrejnta zakonisht kërkon marketing më profesional dhe lokacion fizik.” tha Lokmani.

Pas krijimit të një kompanie, shtrohet pyetja se çfarë tani? Shumica e bizneseve  në rrjete sociale dështojnë nga mungesa e menaxhimit të duhur. Po si mund të depërtojmë deri te klientët dhe t’i mbajmë ata të disponueshëm?

“Duhet të dukemi shumë profesionistë, nga njëra anë, por edhe të natyrshëm nga ana tjetër. Klientët kanë kërkesa dhe dëshira të ndryshme dhe ne duhet të jemi të gatshëm për t’u ndihmuar sa më shumë. Duhet të postojmë vazhdimisht e të mos bëjmë pauza të gjata, sepse kjo ndikon në algoritmin që përdorin rrjetet sociale për të shfaqur produktet tona. Ka programe të shumta falas që ndihmojnë në organizimin e postimeve dhe planifikimin e tyre. Për produkte dhe shërbime më profesionale do kisha sugjeruar të konsultohen agjencitë digjitale ose të marketingut për fushata më të suksesshme.” u shpreh Musliu.

Mesazhi që Lokmani përcolli për të gjithë të rinjtë është:

“Të punojnë më shumë me veten, të trajnohen në aftësitë që u duhen dhe që kërkohen në tregun e punës. Vetëm në këtë mënyrë mund të jenë një hap para dhe të kenë sukses në karrierën e tyre profesionale. Të mos kenë frikë të provojnë ide inovative dhe ta dinë se me punë të mjaftueshme suksesi është i garantuar.” përmbylli Lokman Musliu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button