fbpx

Zaharieva njoftoi se Bullgaria së shpejti do t’i dhurojë Maqedonisë së Veriut vaksina anti-kovid

Bullgaria së shpejti do të dhurojë vaksina për Maqedoninë e Veriut, “kur të kemi sasi të mjaftueshme nga BE-ja”, njoftoi zëvendës Kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva në një paraqitje për emisionin “Ballë për ballë” në BTV, transmeton Portalb.mk.

Lidhur me arsyen pse Bullgaria nuk ka dhuruar deri më tani, kurse një gjë të tillë e bëri Serbia, Zaharieva theksoi se problemi është se u vonua dërgesa përmes mekanizmit Kovax.

“Tani fillon furnizimi i rregullt i vaksinave nga BE-ja dhe shpresoj se së shpejti do ta kemi këtë mundësi. Bullgaria së shpejti do të dorëzojë vaksina në Maqedoninë e Veriut”, tha Zaharieva.

Qeveria në Sofje në një seancë në dhjetor të vitit 2020, e cila u ndoq nga ministri Venko Filipçe, ra dakord që Bullgaria të ndajë si donacion një pjesë të çdo sigurimi të vaksinave kundër kovid-19 për vendin tonë.

Përveç vaksinave, Zaharieva gjithashtu foli për mosmarrëveshjen midis dy vendeve dhe tha se duhet gjetur një zgjidhje, si dhe se së pari marrëdhëniet duhet të kthehen në normalitet.

Për Planin Akcional tha se po shqyrtohet nga pala bullgare, pasi Bullgaria paraprakisht e kishte dërguar, dhe Maqedonia e Veriut dhapërgjigje. Në këtë drejtim, ajo komentoi për faktin se nuk ka hekurudhë midis dy vendeve fqinje dhe informacionin nga pala maqedonase se ka shumë kompani të interesuara për ndërtimin e saj.

“Do Zoti të ketë shumë kandidatë dhe të ndërtohet Korridori 8, nuk është normale që të mos ketë lidhje hekurudhore midis dy vendeve”, tha Zaharieva.

Në fund ajo dërgoi një mesazh që të dy vendet duhet të gjejnë zgjidhje, ndërsa mënyra për ta bërë këtë është ulja e emocioneve.

“Jemi të dënuar të kemi sukses”, u shpreh kategorike Zaharieva.

14 shkurt Serbia Maqedonisë së Veriut i dhuroi dërgesën e parë prej 4.680 vaksinash kundër KOVID-19. Ndërsa ditëve në vijim pritet të arrijë edhe pjesa tjetër prej 8.000 vaksinave nga Serbia dhe me këto vaksina do të mbulohet i gjithë personeli mjekësor që punon në qendrat kovid.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimt, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në prill, kështu që me gjasë vendimi, nëse nuk ndodh siç paralajmërojnë disa zyrtar portuges, ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button