Bashkimi Evropian planifikoi të blejë edhe 300 milionë doza tjera të vaksinës

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian njoftuan të mërkurën se BE-ja ka vendosur të blejë 300 milionë doza shtesë të vaksinës Moderna dhe se po shton edhe 250 milionë dollarë shtesë për përpjekjet për të luftuar variantet e reja të koronavirusit, transmeton VOA. Komisioni Evropian tha se një kontratë e dytë me Modernan ofron 150 milionë doza të tjera vaksine nga kjo kompani, me opsionin për të blerë edhe 150 milionë doza më shumë për 2022.

Njoftimi bëhet ndërkohë që Pfizer and BioNTech thanë se kanë nënshkruar marrëveshje për t’i dërguar bllokut 200 milionë doza të tjera vaksine. Dy kompanitë thanë se dozat pritet të dërgohen brenda vitit. 75 milionë prej tyre do të dërgohen në gjashtë mujorin e parë të 2021. Këto janë doza ekstra, përveç 300 milionë dozave që porositi blloku fillimisht. BE-ja ka opsionin për të porositur 100 milionë doza të tjera.

“Me një kontraktim prej 2.6 miliardë doza vaksine, do të jemi në gjendje të imunizojmë jo vetëm qytetarët tanë, por edhe fqinjët dhe partnerët,” tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zonja Von der Leyen dhe ekipi i saj janë ndeshur me kritika të forta për ritmet e vaksinimit. Megjithëse blloku filloi vaksinimin thuajse dy muaj më parë, ende është prapa Britanisë, SHBA-së dhe disa vendeve të tjera lidhur me përqindjen e popullatës së imunizuar.

“Përparësia jonë është të garantojmë se evropianët do të kenë qasje të plotë tek vaksina të padëmshme dhe efektive kundër COVID-19 sa më parë që të jetë e mundur,” tha zonja von der Leyen.

Pfizer dhe BioNTech konfirmuan se kanë finalizuar një marrëveshje me BE-në për 200 milionë doza shtesë.

Agjencia Evropiane për Mjekësinë tha se nga mesi i marsit do të nxjerrë vlerësimin e saj për një vaksinë të katërt të prodhuar nga Johnson & Johnson, e cila kërkon vetëm një dozë. Tre vaksinat aktualisht në përdorim në Evropë kërkojnë një regjim imunizimi me dy doza.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut sot filloi vaksinimi i personelit mjekësor në hapësirat e Klinikës për Sëmundje Infektive në Shkup. Vaksinën “Pfizer” të parat e morën dy punonjëse shëndetësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button