RMV, masat nuk sollën efektet e dëshiruara, ndotja e ajrit akoma e lartë, financimi jo i mjaftueshëm, vlerësojnë nga Revizioni

Në Maqedoninë e Veriut nuk janë arritur efektet e dëshiruara nga masat e autoriteteve për rritjen e cilësisë së ajrit, vlerësohet nga Revizioni, duke theksuar që mbikëqyrja dhe kontrolli i cilësisë së ajrit akoma është në nivel të ulët, derisa janë funksional 17 stacione dhe një stacion mobil për matjen e cilësisë së ajrit, transmeton Portalb.mk.

“Aktivitetet e ndërmarra në tre vitet e fundit, megjithëse paraqesin një hap pozitiv, nuk kanë arritur efektet e dëshiruara në uljen e ndotjes së ajrit”, raportojnë nga Enti shtetëror për revizion, duke sqaruar që ky problem kërkon qasje të integruar e sistematike të gjithë palëve të interesit.

Revizioni raportoi që një nga problemet e institucioneve është edhe mungesa e kuadrit profesional, ndërkohë theksoi edhe Sistemin kombëtar të informacionit për mjedisin jetësor.

“Me revizionin konstatuam se nga dhjetë rekomandimet e dhëna në raportin përfundimtar të revizorit të autorizuar shtetëror, një rekomandim është zbatuar, tre rekomandime janë në zbatim e sipër, katër rekomandime janë zbatuar pjesërisht dhe dy rekomandime nuk janë zbatuar”, raportojnë nga Enti.

Në Raport sqarohet që ka rënë pjesëmarrja e investimeve për mbrojtjen e ajrit për periudhën 2017/2019.

“Mjetet e ndara për financimin e masave në dokumentet e planifikimit në nivel qendror dhe lokal janë jo të mjaftueshme për të reduktuar substancat ndotëse”, raportojnë nga Revizioni, duke theksuar që kjo është një nga arsyet që përqendrimet e mëtejshme vjetore mesatare të PM 10 , i tejkalojnë vlerat kufitare të vendosura në të gjitha stacionet matëse, përveç stacionit Lazaropole.

Në luftimin e ndotjes së ajrit, theksohet kontributi i Qytetit të Shkupit me projektet si, blerja e shporetëve me peleta (2016), subvencionimi i biçikletave (2017), pastrimit të oxhaqeve e subvencionimi i trotineteve elektrike (2018), si dhe subvencionimi i inverterëve (2019). Sikurse Qyteti i Shkupit, edhe institucionet tjera përgjegjëse kanë marrë rekomandime nga Enti shtetëror për revizion për rritjen e cilësisë së ajrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button