U vendos gurthemeli për ndërtimin e shtesës së SHFK “Ismail Qemali”, projekti do të realizohet me ndihmën e donatorëve (VIDEO)

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, së bashku me disa anëtarë të kryesisë së lartë të BDI-së, përfshirë këtu edhe kreun e kësaj partie, Ali Ahmeti, sot vendosën gurthemelin e shtesës së SHFK “Ismail Qemali”, e cila është paraparë që të përfshijë 8 paralele të reja, shkruan Portalb.mk.

SHFK “Ismail Qemali”

Ky ka qenë edhe një ndër premtimet që ka bërë Ganiu gjatë fushatës parazgjedhore, ndërsa mjetet për realizimin e këtij projekti janë siguruar nga donatori i “Eftnija Impex”.

Nevoja për hapjen e paraleleve të reja vjen si rezultat i numrit të madh të nxënësve në këtë shkollë, të cilët për shkak të mungesës së kushteve, për disa vite me radhë janë detyruar që të mësojnë mbi 40 nxënës në një shkollë.

“Investimi e kap shumën totale prej 25 milionë denarëve dhe komuna ka gjetur donatorin i cili është njeri që nuk është hera e parë që investon në shkollat tona por, në të gjitha aktivitetet e jetës shoqërore ka qenë aktiv dhe në vazhdimësi e ka ndihmuar komunën.  Përveç kësaj, ne si komunë këtu kemi bërë rikonstruimin e kulmit në këtë shkollë, që kap vlerën mbi 100 mijë euro dhe kemi bërë shpalljen te furnizimet publike, për t’i pajisur të gjitha kabinetet me tabela të mençura dhe tash jemi në procedurë e sipër për ta përzgjedhur operatorin që do ta realizojë një gjë të tillë”, deklaroi Ganiu.

Visar Ganiu

I pyetur se pse, shtesa e re ndërtohet me mjete të donatorëve dhe jo të Ministrisë së Arsimit, ai tha se komuna nuk ka arritur që të konkurrojë me kohë për sigurimin e mjeteve.

“Ne nuk kemi arritur për shkak se ne projektin final të kësaj nuk e kishim të përfunduar dhe nuk arritëm që të konkurrojmë me kohë, duke e ditur se procedurat më pas zgjatën dhe të fillojnë deri në 2 apo 3 vite, pasi projekti duhet të përfundohet shumë më herët dhe të dorëzohet atje për aplikim. Kështu që, ne atë projekt në aspektin e financave”, tha ai.

Ganiu po ashtu premtoi se do të gjejë zgjidhje edhe për SHF “Liria”, ku po ashtu është paraqitur nevoja për hapjen e paraleleve të reja, për shkak të numrit të madh të nxënësve.

“Analizat që i kemi bërë të detajuara, këtu kemi nevojë edhe te shkolla fillore “Liria”, prej 2 deri në 4 klasa që edhe atje janë procedurat rreth përfundimit. Ju e dini se me territor jemi komuna më e vogël, me dendësi jemi më e madhja në Evropë dhe nuk them se nuk ka vështirësi në atë drejtim, por analizat na tregojnë se nëpër shkollat tjera i kemi kushtet maksimum për të realizuar dhe për të mbarëvajtur gjithë procesin edukativo – arsimor, problem e kemi pasur këtë shkollë edhe te SHF “Liria”. Mendoj se gjatë mandatit tim do t’i zgjidhim këto dy shkolla si probleme në fjalë”, deklaroi Ganiu.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu në “Kontratën” e tij ku ai paraqiti programin e tij në fushatën parazgjedhore në zgjedhjet e kaluara lokale, mes tjerash premtoi edhe rikonstruim të ShFK “Ismail Qemali”, si rikonstruim të fasadës, rikonstruim të kulmit, rikonstruim të gardhit, rregullim hortikulturor, fushë loje me rekuizita, pajisje urbane, rrugicë për këmbësorë, zgjerimi me 10 paralele. Një pjesë e këtyre premtimeve nuk janë realizuar deri më tani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button