RMV, “Listat e hapura për këshilltarë komunal”, Ismaili: Të rinjtë kryesisht janë për lista të hapura (VIDEO)

Të rinjtë e partive politike dhe jo vetëm sot në Tetovë debatuan për përparësitë dhe mangësitë e listave të hapura për këshilltarë komunal në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të projektit “Pro/kundër listave të hapura” të mbështetur nga Ambasada Zvicerane. Koordinatorja e projektit, Havushe Leskovica Ismaili tha se të rinjtë kryesisht janë për lista të hapura, shkruan Portalb.mk.

Sipas koordinatores Havushe Leskovica Ismaili, në bazë të tre forumeve me temën e njëjtë, ajo potencoi se të rinjtë kryesisht përkrahin idenë e listave të hapura, kjo sipas saj, ka disa arsye.

Abushe Leskovica Ismaili, koordinatore e projektit.
Havushe Leskovica Ismaili, koordinatore e projektit.

“Të rinjtë kanë dëshirë të debatojnë, ky është projekt nga të rinjtë dhe për të rinjtë, është forumi i tretë i cili realizohet tashmë dy në qytetin e Gostivarit dhe i pari në qytetin e Tetovës. Të rinjtë kanë dëshirë të debatojnë për atë se duhet të hapen listat për këshilltare komunal apo jo. Shumica e tyre nga këta 3 forume janë për hapjen e listave, me atë që do të mund në mënyrë më të drejtpërdrejtë të japin votën e tyre për kandidatin konkret edhe që të nesërmen të kërkojnë llogari më të madhe nga ai këshilltar” tha Havushe Leskovica Ismaili.

Ajo shtoi se “të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kanë dëshirë të debatojnë për çështje aktuale dhe çështje që i tangojnë ata, se duhet të motivohen edhe më shumë dhe të kontribuojnë edhe më shumë në shoqëri”.

Nga ana tjetër, profesoresha Beisa Selimi theksoi se sistemi me lista të hapura do të forconte demokracinë e vendit, për këtë, Selimi i dha disa arsye nga ku edhe shtoi se përmes listave të hapura votuesit do të mund të zgjedhin atë që duan, jo atë që ju ofrohet.

“Shoqëria jonë, vendi ynë për të arritur të jetë sa më demokratik dhe transparent, duhet të insistojë që sistemi i votimit me lista të hapura të jetë alternativa e vetme. Ekzistojnë disa arsye për këtë, një prej tyre është fakti se listat e hapura të cilat i ofrojnë partitë politike, neve si votues na mundësojnë që të votojmë kandidatin tonë të preferuar. Pra, ne nuk votojmë atë që na ofrohet por atë që duam ne. Kjo do të thotë se ne ndikojmë drejtpërdrejt për zgjedhjen e kandidatëve. Përparësia tjetër e sistemit me lista të hapura është se ky sistem zvogëlon mundësinë e partisë politike që ajo të centralizohet tërësish në një grup i vogël i personave të cilat janë më afër figurave kyçe të partive politike” tha Beisa Selimi, paneliste në këtë forum.

Ndryshe, ky projekt është inovues dhe organizohet në kuadër të mbështetjes së reformave zgjedhore në mbështetje të Ambasadës Zvicerane, IPES dhe Këshillit Rinor Nacional në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button