Tetovë, nuk kanë korsi të veçantë, autobusët mund të rëndojnë ende më shumë rrëmujën në komunikacion (VIDEO)

Komuna e Tetovës nuk ka gjetur zgjidhje për rrëmujën në komunikacion e cila me vite pengon qarkullimin e lirë të automjeteve. Problemi do të rëndohet kur në këtë qarkullim do të shtohen edhe autobusët si pjesë e transportit urban, për të cilët nuk është siguruar korsi e veçantë ose të paktën nuk është planifikuar një organizim më efikas i trafikut. Në rrugët e stërmbushura me vetura si do të sigurohet që autobusët do të jenë në kohë dhe do të plotësojnë me efikasitet qëllimin për të cilin janë blerë? Vendimi për blejren e autobusave do të jetë i pavlerë nëse autobusët bllokohen në trafik, njejtë sikur automjetet tjera, dhe qytetarët vonohen ende më shumë për të kryer obligimet e tyre, shkruan Portalb.mk. 

Kanë ngelur edhe një muaj nga kur pritet që transporti urban në Tetovë të jetë funksional, nga Komuna e Tetovës kanë caktuar lokacionet nga ku do të lëvizin autobusët si dhe kanë vendosur nënstacionet. Megjithatë, a është infrastruktura e Tetovës dhe komunikacioni aktual i gatshëm për funksionim normal të pesë autobusëve urban, biseduam me ekspertin e komunikacionit, Blerim Neimi.

A është e mjaftueshme sjellja e autobusëve pa krijuar hapësirë për funksionimin normal të tyre?

Për këtë, sipas profesorit dhe ekspertit të komunikacionit, Blerim Neimi, kushtet infrastrukturore në Tetovë nuk janë aq të favorshme aktualisht, ai potencoi se pritet të shihen akset të cilat do të caktohen nga personat kompetent.

Blerim Neimi, ekspert i komunikacionit.
Blerim Neimi, ekspert i komunikacionit.

“Kushtet nuk janë aq të favorshme sa i përket infrastrukturës së transportit urban, paraprakisht do të jetë shumë e rëndësishme se në çfarë aksesh do të lëvizin autobusët, gjë që do ta caktojnë personat kompetent. Duhet të shihet në akset rrugore sa do të ketë vende për parkimin e automjeteve dhe sa do të mund ti krijojnë hapësirë transportit urban të lëvizë pa pengesa” tha Blerim Neimi, ekspert i komunikacionit.

Ai potencoi rëndësinë e një korsie të veçantë e cila do të mundësonte që këta autobusë të arrijnë në destinacionin e tyre në kohë dhe pa probleme shtesë, aktualisht, një gjë të tillë nuk e ka qyteti i Tetovës.

“Transporti urban do të ishte një zgjidhje e mirë për qytetin e Tetovës, konkretisht, në qoftë se bëhet edhe një korsi e veçantë për autobusët do të ishte edhe përshpejtimi i kohës së vozitjes apo orarit” tha Neimi.

Çfarë duhet bërë?

Sipas Neimit, për funksionimin në mënyrë të kënaqshme të transportit publik në Tetovë duhet fillimisht të përmbushen disa kushte, edhe atë:

  1. Të ketë vendparkime të mjaftueshme për automjetet
  2. Të ketë vende të veçanta për ndaljen e autobusëve
  3. Të ketë korsi të veçantë për autobusët siç kanë qytetet e tjera që kanë transport publik

Kështu duket korsia e veçantë për autobusët urban në Shkup:

Autobusat në Shkup

Komuna ende pa përgjigje

Gazetari i Portalb.mk ka dërguar disa pyetje deri te Komuna e Tetovës për organizimin e transportit urban. Megjithatë, autoritetet komunale ende nuk janë përgjigjur, këto janë pyetjet të cilat kanë ngelur pa përgjigje:

1- A ka siguruar Komuna e Tetovës kushte infrastrukturore për funksionim normal të transportit urban?

2- A do të kenë autobusët korsi të veçantë për lëvizje?

3- A planifikohet një regjim i ri i komunikacionit (cili është ai?)

4- A do të jetë e mundshme që autobusi të arrije në destinacionin e tij në kohë, marrë parasysh se kryesisht studentët do ta shfrytëzojnë atë? Kush do të mbaje përgjegjësi n.q.s. ka vazhdimisht vonesa, për shkak të kaosit në komunikacion?

Tetovë, pesë autobusët arritën në janar 2021 ndërsa do të duhet 13 vite për t’i paguar

Krediti prej 1.2 milion eurove të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës do të filloje të paguhet pas tre vitesh, me normë interesi prej 3%, këtë e konfirmoi ministri i Financave, Fatmir Besimi. Sipas kësaj, kryetari i ardhshëm i Komunës së Tetovës përveç pagesës së autobusëve, do të duhet të përballet edhe me borxhin prej 9,4 milion eurosh.

“Bëhet fjalë për tre ruta të cilat do të përfshinë të gjithë pjesët e qytetit dhe do të mund të shfrytëzohen nga qytetarët tanë. Kjo është realizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore për përmirësimin e shërbimeve komunale, që pastaj komunat aplikojnë dhe marrin kredi për realizimin e të së njëjtës. Bëhet fjalë për një kategori 13 vjeçare me një normë të interesit për 3%. Në rastin konkret, komuna ka aplikuar dhe i është dakorduar një vlerë prej 1.2 milion euro, mirëpo gjatë prokurimit, për shkak të transparencës këtu komuna ka kursyer dhe janë realizuar vetëm 720 mijë euro dhe pjesa tjetër deri 1.2 milion euro ngelet në dispozicion për komunën e Tetovës, për projekte tjera që do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve” tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Kështu duken këta autobusë:

Autobusët e Tetovës.
Autobusët e Tetovës.
Autobusët e Tetovës.
Autobusët e Tetovës.

Ndryshe, regjistrimi i autobusëve si dhe çmimorja e biletave për transport publik kanë përfunduar si procedura. Aktualisht, pritet të bëhet sistematizimi i punëtorëve në Ndërmarrjen Publike “Tetova Transport” si dhe sigurimi i shoferëve dhe administratës. Pritet që gjatë muajit mars të funksionalizohet për së pari herë transporti publik në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button