RMV, filloi vaksinimi kundër virusit korona (FOTO – VIDEO)

Në Maqedoninë e Veriut sot filloi vaksinimi i personelit mjekësor në hapësirat e Klinikës për Sëmundje Infektive në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Vaksinën “Pfizer” të parat e morën dy punonjëse shëndetësore.

Dr. Dobrinka Naunova-Jovanovska dhe kryeinfermierja Gabriela Temellkovska nga stafi i Klinikës për Sëmundje Infektive janë të parat në vend që morën vaksinën kundër kovid-19.

“Është pa dhimbje, ndihem shkëlqyeshëm. Kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur veten nga infeksioni aktual gjatë gjithë vitit”, tha Dr. Naunoska.

Ajo shtoi se do të marrë dozën e dytë pas 21 ditësh, ndërsa imuniteti fitohet për 2 deri në 3 javë.

“Për mua do të jetë siguri e madhe që kam marrë vaksinën. Individualsht është kush çfarë imuniteti do të zhvillojë dhe sa antitrupa do të krijojë. Nëntëdhjetë e pesë përqind është fuqia mbrojtëse e kësaj vaksine dhe shpresoj se do të jem në atë 95 përqind”, shtoi ajo.

This slideshow requires JavaScript.

 

Kryeinfermierja Temellkovska tha se i fton të gjithë të aplikojnë për vaksinim, duke shtuar se tani e tutje personeli mjekësor do të ndihet më i sigurt, pasi do të zvogëlohet numri i pacientëve të rinj dhe se “do të fillojmë të kthehemi në jetën normale”.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, në deklaratën për media, theksoi se kryeinfermierja Temellkovska dhe Dr. Naunova Jovanovska janë pjesë e stafit të Klinikës së Sëmundjeve Infektive të cilat gjatë vitit të kaluar punuan ditë e natë dhe luftuan për të shpëtuar çdo jetë njerëzore.

“Ne gjithashtu do të fillojmë një fushatë të vetëdijësimit për vaksinimin. Është shumë e rëndësishme që qytetarët të jenë të vetëdijshëm se vaksinat janë të sigurta, pa marrë parasysh se nga cili prodhues vijnë, që ato të zhvillohen në platforma të sigurta dhe kjo është mënyra e vetme që të ndryshojmë pasqyrën e pandemisë, jo vetëm ne, por të gjitha vendet në botë. Sistemi funksionon mirë. Fillon me marrjen e të dhënave anamnetike, kontroll i shkurtër, punën administrative, futjen e të dhënave për takimin e planifikuar tashmë dhe caktimin e takimit tjetër për ri-vaksinimin pas tre javësh dhe është përgatitur intensivisht në ditët e fundit. E gjithë infrastruktura është vendosur këtu, disa nga vaksinat ruhen edhe në këto frigoriferë në spitalin modular. Mund të qëndrojnë deri në 5 ditë në temperaturë prej 2 deri në 8 gradë, pas së cilës shpërndahen dhe brenda 5 orësh duhet të aplikohen për ata që e marrin atë. Ky është një sistem që ishte gjithashtu pjesë e trajnimit. Uroj imunizim të suksesshëm, kemi bërë organizim – njëherë fillojë dhe të mos ndërpritet. I presim sasitë e radhës sipas njoftimeve dhe besoj se në muajt në vijim do të kemi një proces vaksinimi vërtet të suksesshëm”, informoi Filipçe.

Në ditën e parë planifikohet vaksinimi i 260 punonjësve mjekësor.

This slideshow requires JavaScript.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut ka 6,152 raste aktive, ndërsa numri i të diagnostifikuarve me Covid – 19 që nga fillimi i pandemisë është 97.456, numri i pacientëve të shëruar është 88.301, ndërsa 3,003 pacientë kanë ndërruar jetë.

Më 14 shkurt, kryeministri Zoran Zaev ka pranuar 4.680 doza të vaksinës nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përkundër se ishte paralajmëruar të ndodhë më 11 shkurt. Këto vaksina janë vaksinat e para dhe të vetme deri më tani në Maqedoninë e Veriut, ndërsa paraprakisht autoritetet janë shprehur të gatshëm të fillojnë me procesin e vaksinimit të popullatës, duke hapur edhe ueb-faqe për të aplikuar për vaksinim.

Për të siguruar mbrojtje ose imunizim kolektiv, gjegjësisht për të ndërprerë përhapjen e kovid-19, siç thonë nga Organizata Botërore të Shëndetësisë, është e nevojshme që rreth 70% e popullatës të vaksinohen. Ekspertët shëndetësorë vlerësojnë se duhet kohë për të vaksinuar 70 përqind të popullsisë në mënyrë që, të themi kushtimisht, të mund të “merrnim frymë” më lirshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button