ASH-ja i dërgoi letër ministres Carovska: Urgjentisht të tërhiqet dhe ndryshohet libri i Gjeografisë ku ofendohen shqiptarët

Aleanca për Shqiptarët i ka dërguar një letër zyrtare ministres së Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska me kërkesë për tërheqje urgjente nga përdorimi dhe ndryshim të librit të Gjeografisë për vitet e dyta të gjimnazeve të reformuara, i cili përmban elemente ofenduese dhe ksenofobe ndaj historisë dhe kulturës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.

“Po ju shkruajmë këtë letër për t’ju kërkuar tërheqjen urgjente nga përdorimi të librit “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë për vitin II të gjimnazit të reformuar”, bazuar në Ligjin për Librat Shkollorë për Arsim Fillor dhe të Mesëm, gjegjësisht neni 26, pika 2 e cila thotë: “Libri shkollor tërhiqet nga përdorimi edhe nëse përmban materie me të cilën ofendohen historia, kultura dhe vlerat tjera të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, popullit maqedonas, si dhe qytetarëve të cilët jetojnë në kufijtë e saj që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë”, thuhet në letrën që kryetari i Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët, Omer Ajdini, ia ka dërguar ministres Carovska.

Sipas tyre, të shkruarat në libër i shërbejnë stigmatizimit dhe inkurajimit të gjuhës së urrejtjes.

“Përveç se janë ofenduese ndaj historisë, kulturës dhe vlerave tjera të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë, konsiderojmë që këto elemente janë edhe ksenofobe dhe i kontribuojnë stigmatizimit dhe inkurajimit të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve. Andaj, Ministria juaj duhet të distancohet nga këto materie dhe ky libër të tërhiqet një ditë e më pare”, thuhet në letrën e ASH-së.

Kryeministri Zoran Zaev për Portalb.mk premtoi se do të ndërmerren hapa konkret në heqjen prej përdorimi të librit “Gjeografia e Maqedonisë”.

“Lëshimet që ndër vite që kanë kaluar nëpër shumë libra dhe materiale, njëri prej tyre është mu ai që e thatë në librin e Gjeografisë për vit të dytë për gjimnaz. Me reformat tërësisht do të largohen dhe do të zgjidhen sistematikisht, kështu që deri më tani janë shfuqizuar dhe është dërguar korrigjimi ose ngjashëm, por vetë libri në fushëveprimin e ndryshimit të planeve mësimore dhe përmbajtjeve do të ndryshohen”, tha Zaev.

Ndryshe, Gjeografia për vitin e dytë në gjimnaz, sipas hulumtimit të Portalb.mk, ka shtatë momente kontestuese të historisë së Maqedonisë.

  1. Faqja 99 thotë: Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit.
  2. Në shumë pjesë të librit, përfshirë edhe faqen 104, thuhet se: Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780.
  3. Në faqen 104 ka pika të përbashkëta me “Serdarot” të Gligor Përliçev ku thuhet se: Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Shkruan se për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke.
  4. Në faqen 103: Shqipëria shfaqet si okupatore e Maqedonisë Perëndimore.
  5. Në faqen 105: Kosova nuk korrespondon si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia.
  6. Në faqen 84 dhe 85 në pjesën e definimit të Maqedonisë antike dhe të sotme, figurativisht dhjetëra herë “lind” dhe “vdes” shteti i Maqedonisë, kjo paraqet pengesë për krijimin e një pasqyre të qartë të historisë së Maqedonisë.
  7. Gabime bëhen edhe me prejardhjen e pakicave, ngaqë aty futen të gjithë të ardhurit, duke krijuar idenë se në Maqedoni nuk ka popull autokton.

LEXO MË SHUMË PËR TEMËN NË FJALË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button