Dështim i parapritur në TKOBAP

Prolog

Prej disa ditëve, institucioni më i rëndësishëm kulturor në vendet shqiptare, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) gjendet në mënyrë të përsëritur nën një stuhi mediatike dhe publike – pak a shumë e ngjashme me atë të para disa muajve, atëherë kur për arsye të pakuptueshme artistike, njerëzore apo etike, duke u shfaqur me një mungesë të theksuar respekti e vlerësimi ndaj gjendjes kritike në lidhje me zhvillimin e pandemisë prej virusit SarS-CoV 2, trupa e Ansamblit Popullor u bë protagoniste e një aksioni të çuditshëm e pa shije në lulishten e QSUT-së, “Nënë Tereza”, në Tiranë. Në ndryshim nga “paraqitja muzikore” e fundnëntorit 2020, ku këngët e dasmave paraqiteshin para një ndërtese, ku pak ditë më parë kishin ndodhur tragjedi njerëzore të planeve të tejskajshme dhe kur kjo paraqitje bëhej pa dijeninë apo pëlqimin e drejtorit të atëhershëm të Ansamblit Popullor, duke tejkaluar kështu kompetencat artistike brenda vetë institucionit, kësaj here problematika e lajmeve të prodhuara nga TKOBAP-i ka lidhje të drejtpërdrejtë me një temë sa delikate, aq edhe domethënëse në vetë zhvillimin e përgjithshëm të profilit artistik, ideor, institucional e kombëtar të tij.

Më 8 shkurt 2021, artisti i arteve pamore dhe pedagogu i Universitetit të Arteve në Tiranë, z. Ardian Isufi (sikurse edhe të tjerë më pas) paraqiti në profilin e tij në njërën prej mediave shoqërore (Facebook) një tezë të fortë në lidhje me mungesën e origjinalitetit të stemës (logos) së re të TKOBAP-it, e cila po përdorej nga ky institucion prej disa kohësh si pjesë e një buqete të zgjeruar prodhimesh në kuadër të fushatës së re paraqitëse (reklamuese) të tij. Duke paraqitur tezën e tij, z. Isufi, si profesionist i arteve pamore, ku krijimi grafik është pjesë e pakundërshtueshme e punës së tyre krijuese, shfaqi fillimisht vetëm majën e “ajsbergut” (Eisberg (gjr.) = mali i akullt). Z. Isufi, duke u bazuar vetëm në një kërkim të lehtë në World Wide Web (kërkimi i thjeshtë në google.com me togfjalëshin Sound Wave Background Freepik.com të sjell fill në këtë faqe interneti: https://www.freepik.com/premium-vector/abstract-sound-wave-background_1106725.htm), vërtetoi në mënyrë të pakundërshtueshme mungesën e origjinalitetit, më saktë kopjimin e plotë të stemës së re të TKOBAP-it nga një faqe e njohur për ofertat e saj grafike me pagesë. Në daljet e mëpasshme mediatike, ai e zgjeroi fushën e mendimit dhe perceptimit të ngjarjes që kishte ndodhur, duke u marrë me të drejtë e duke u përpjekur të shtjellonte të gjithë dukurinë e ndodhur. Në këtë rast, është e rëndësishme jo vetëm për publikun e gjerë, po mbi të gjitha për vetë seriozitetin e stafit drejtues të TKOBAP-it, që e gjithë ngjarja të paraqitet në tërësinë e plotë të saj, pra, që nga fillimi i mendimit për krijimin e një steme (brand-i = paraqitje pamore) të re e deri te qëndrimi zyrtar i institucioneve përkatëse, në këtë rast, vetë TKOBAP-it, Ministrisë së Kulturës si institucioni mbikëqyrës, apo edhe firmës fituese pas publikimit të gjithë shqetësimit të komunitetit artistik, publikut e shoqërisë qytetëse. Kufizimi vetëm te shifrat, apo edhe te përgjiigjet e thata, të shprehura me një gjuhë juridike, shpeshherë me probleme të theksuara në përdorimin e saktë të gjuhës shqipe, vetëm sa i hedhin hi syve të publikut dhe i anashkalojnë me dashje rrënjët e vërteta të problemit. Le t’i marrim tani me radhë hapat përkatës, të cilët çuan drejt një skandali ideor të përsëritur institucional.

Procesi ideor, apo nevoja për një stemë të re për TKOBAP-in?

I ndodhur prej disa vitesh nën një rindërtim të përgjithshëm të ndërtesës së përhershme të administrimit artistik e organizativ të tij, TKOBAP-i dhe të gjitha burimet njerëzore të tij iu nënshtruan me apo pa hir një realiteti të pafavorshëm në lidhje me një zhvillim të rregullt të programit artistik.

E gjithë kjo kohë jashtë “shtëpisë” së madhe të artit muzikor skenik në Shqipëri u shoqërua në të shumtën e rasteve me zgjedhje artistike të çastit, tek-tuk me disa ide të shkuara, por të sjella ndryshe nëpërmjet një pëlhure sipërfaqësore artistike, elemente në dukje koherente, por nga mënyra se si u zhvilluan, treguan një mungesë të theksuar konceptuale, apo edhe ideore. Pas rikthimit në hapësirën e njohur, tashmë të rregulluar nga themelet, duke ruajtur në këtë rast vetëm muret e jashtme të ndërtesës tipike të sistemit të kaluar politik në Shqipëri, kupola drejtuese sikurse edhe trupa artistike e administrative e TKOBAP-it u gjendën natyrshëm nën trysninë e kuptueshme të një imazhi të ri ndaj publikut. Me pak fjalë po kërkohej me ngulm që të “zbulohej” në njëfarë mënyre një formë “e re”, e cila do të legjitimonte në këtë rast të gjithë punën artistike që zhvillohej atje.

Nën pretekstin e ribërjes së godinës simbolike në qendër të Tiranës, i gjithë ekipi i TKOBAP-it po angazhohej dita-ditës që të shfaqej përherë e më koherent dhe me “ide” të reja, të cilat në fakt janë më se normale në përditshmërinë e një institucioni kulturor të profilit përkatës. Duke mos dashur të zgjatem në vlerësimin e shijeve të konceptimit të programit artistik, realizimit në terren të veprimtarive të kryera deri tani në TKOBAP, paraqitjes së institucionit në WWW me mungesa të shumta historike dhe emërore apo edhe me dukurinë e personalizimit të tejskajshëm të drejtimit administrativ e muzikor – këto janë tema të gjata dhe kërkojnë shtjellime të thella më vete – dua të merrem sot vetëm me temën e stemës, si dhe kohën kur TKOBAP-i shpalli për herë të parë, më 20 nëntor 2019, konkursin publik për realizimin e një pakete të re grafike, e cila kishte ndër të tjera edhe zhvillimin e një steme të re për TKOBAP-in. Pas dështimit të konkursit të parë, ku mori pjesë vetëm një konkurrues – kjo sipas drejtorit të prodhimit artistik në TKOBAP, z. Kleis Saliaj, paraqitur më 10.2.2021 në TCH – më datë 22 janar 2020 shpallet konkursi i dytë mbi të njëjtën temë, ku kësaj here do të merrnin pjesë 14 firma konkurruese në lëmin e paraqitjes grafike.

Edhe pse e gjithë kjo histori ngjan shumë me konkursin e vitit 2016, kur pas dorëheqjes së drejtorit të atëhershëm të TKOBAP-it, z. Ilir Kerni, Ministria e Kulturës shpalli publikisht një ditë para përfundimit të afatit ligjor të konkurrimit, shtyrjen e tij, duke u bazuar në faktin se deri në atë çast kishte konkurruar vetëm një kandidat, komisioni përzgjedhës i përbërë nga Doris Alimerko (këshilltare e ministres së Kulturës), Klejvis Saliaj (drejtor i prodhimit artistik në TKOBAP) dhe Helidon Haliti (piktor) zgjodhi si fituese të konkursit në fund të shqyrtimit të të gjitha dosjeve konkurruese paketën grafike të studios “Pika Pro”, me drejtor themelues/zbatues z. Albert Malltezi. Rrjedhimisht, pas një kohe të caktuar, më saktë duke filluar dhjetori i 2020-ës, TKOBAP-I filloi përdorimin e elementeve të reja grafike, të cilat, në mungesë të një lajmërimi zyrtar në lidhje me produktin fitues, nuk u kuptuan si të tilla nga opinioni i gjerë, apo edhe ai profesional. E shumta, paraqitja e së ashtuquajturës logo të re u perceptua si një shije (lajthitje) e përkohshme e ekipit drejtues të TKOBAP-i, ashtu siç kishte ndodhur edhe më përpara. …Deri në lajmërimin në mediat shoqërore nga z. Isufi.

Duke e lënë përkohësisht mënjanë të gjithë rrugën procedurale të ndjekur deri në “shpalljen” jopublike të fituesit, e gjithë kjo të çon pikësëpari e rrjedhimisht në pyetjen bazike se a ishte i nevojshëm i gjithë ky vrull aksionist për krijimin medoemos të një paraqitjeje grafike krejtësisht të re për një institucion të një rëndësie të veçantë historike siç është TKOBAP-i?

Edhe pse vrojtuar nën prizmin e shkëndijës ideore të parë, nisma e ndërmarrë për të ndryshuar anën pamore të paraqitjeve grafike të TKOBAP-it mund të përligjet deri diku me dëshirën e mirë për të sjellë diçka të re, për të lënë një gjurmë të vlefshme pas, apo tjetërsimi i tejskajshëm/ndryshimi thelbësor i paraqitjes grafike të një institucioni të krijuar e mbajtur me shumë mund, pasion e jetë artistësh të shumtë shqiptarë e të huaj ndër shumë vite, është vetëm një hap i fshehtë e hileqar për fshirjen e gjithë kësaj historie shumëvjeçare artistike nën petkun e një “modernizmi” mediokër.

Duke shqyrtuar çështjen edhe më thellë, vërejmë se ekipi drejtues i TKOBAP-it e kishte në anën e tij fatin, gjithmonë nëse kjo punë do të shtrohej në tryezën ideore me seriozitetin e duhur, për të kërkuar ripërtëritjen e paraqitjes grafike të veprimtarive artistike të ardhshme. E gjithë nisma mund të bazohej së pari në qortimin gjuhësor të emërtimit të vetë institucionit. Gabimi historik drejtshkrimor – Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit – dhe jo i Operas, siç është prej vitesh, gabim i cili është skalitur edhe në stemën e vjetër dhe çuditërisht nuk u përmirësua as në stemën “e re” të studios “Pika Pro”, mund shfrytëzohej me elegancën dhe legjitimitetin e duhur ideor, për ta rifreskuar stemën e njohur, të kryer me shumë mjeshtëri e shije të hollë gjithëpërfshirëse artistike nga krijuesit e saj Ksenofon Dilo dhe Hysen Devolli. Shembujt e shumtë nga institucionet e njëjta me TKOBAP-in në botë, na tregojnë se drejtuesit e tyre, në punën ideore, apo kur duan të sjellin risi pamore, i mbeten përherë besnikë stemës së parë, mbështeten në mënyrë të përpiktë në historinë artistike shumëvjeçare të institucioneve që drejtojnë, paçka se stema origjinale nga koha e krijimit të institucionit, i nënshtrohet herë pas here “makijazhit” të përkohshëm grafik, kjo gjë e zhvilluar në linjë paralele me gjithë konceptin e sistemit apo profilit strukturor të artit në përgjithësi.

E thënë shkurt, TKOBAP-i nuk e kishte aspak të nevojshëm shpalljen e një konkursi jashtë strukturës së tij krijuese në lidhje me paraqitjen e re grafike të tij. Në këtë rast, jo vetëm që do të kurseheshin shumë para nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, por përfshirja e krijuesve brenda skemës së vetë institucionit do t’ia shtonte edhe kuptimin një nisme të tillë. Bazuar në këtë logjikë të thjeshtë pune serioze dhe largpamëse, stema e vjetër mund të rishikohej nga pikëpamja drejtshkrimore, të rifreskohej me disa elemente grafike disi më të përshtatshme me kohën, duke mos ia humbur forcën dalluese/identifikuese, pra, thelbin paraqitës të saj. Kështu ajo mund të zhvillohej logjikisht dhe e mirëmenduar si hallkë e natyrshme e gjithë brand-it të ri. Të gjitha produktet paraqitëse mund të bazoheshin lehtësisht mbi stemën e vjetër (të risjellë grafikisht), duke ruajtur kështu me fanatizëm identitetin e përveçëm përmbajtësor, ideor, artistik e kombëtar të TKOBAP-it. Ky është në fakt edhe ngërçi më i madh i gjithë kësaj historie, peshën dhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të të cilit e mban logjikisht kupola drejtuese e TKOBAP-it. Pyetja e thjeshtë se pse asnjëherë nuk u shtrua çështja e ridimensionimit grafik të TKOBAP-it në atë mënyrë që të mbrohej identiteti dhe historia e gjatë e tij, por u gjet një zgjidhje ideore pa kuptim, e cila në fund doli si një përngjasim qesharak i një produkti me çmimin 9,99 USD, është edhe i gjithë thelbi i saj! U mbars mali, polli një mi – thotë një fjalë e urtë popullore shqiptare.

Kronologjia e reagimeve zyrtare mbi problemin përkatës

Më datë 8 shkurt 2020 artisti pamor i lartpërmendur, në orën 21:35, boton në faqen e tij në median shoqërore Facebook lajmin e plagjiaturës (përvetësim i gabuar, vjedhje e pronës jomateriale) në lidhje me stemën e re të TKOBAP-it. Në lidhje me këtë, diku nga mesdita e 9 shkurtit 2021, titullarja e Ministrisë së Kulturës, znj. Elva Margariti, mban fjalë para gazetarëve në lidhje me problemin përkatës, mbi të cilin, siç shprehet ajo, ishte vënë në dijeni në mëngjesin e asaj dite.

Me një gjuhë të kujdesshme administrative, edhe pse me argumente të turbullta kur shprehet se gjithë administrimi i kësaj çështjeje i takon tërësisht ekipit të TKOBAP-it – sjellim në këtë rast në kujtesën e lexuesit faktin që znj. Doris Alimerko, tani në detyrën e këshilltares së ministres së Kulturës, ka qenë pjesë e trios përzgjedhëse të konkursit që nxori fitues studioja “Pika Pro” – znj. Margariti publikisht e lë sidoqoftë të hapur shqyrtimin dhe vlerësimin e hollësishëm të të gjithë problemit të adresuar publikisht nga një përfaqësues i bashkësisë artistike në vend. Sidoqoftë, këtu vlen të theksohet fakti i patjetërsueshëm, se deri në ditën e sotme Ministria e Kulturës nuk ka dalë ende me një lajmërim zyrtar në lidhje me këtë çështje.

Nga ana tjetër, gjatë gjithë orarit zyrtar të 9 shkurtit 2021, ekipi drejtues i TKOBAP-it, apo sektori i komunikimit me publikun atje mbajnë një heshtje hermetike, ndërkohë që lajmërimin e parë publik mbi këtë çështje TKOBAP-i e bën jo siç ia do serioziteti i punës me një komunikatë zyrtare drejtuar shtypit ose duke dalë në një konferencë shtypi gjatë orarit zyrtar, por e bën me anë të një njoftimi të vonshëm për shtyp (ora 20:44) në faqen zyrtare të tij në Facebook! Edhe pse si pjesë e një jete të shpejtë, plot ndikime të vrullshme të medias shoqërore, profilet institucionale, vendore e aq më tepër kombëtare, nuk duhet asnjëherë të bien në nivelin e paraqitjeve zyrtare për publikun në kohë ditore të cilat janë të rezervuara për privatësinë njerëzore. Serioziteti i punës e kërkon rreptësisht që lajmërimet zyrtare, deklaratat apo njoftimet e rëndësishme të shpallen gjatë orarit zyrtar.

Duke lexuar me kujdesin e duhur njoftimin për shtyp të TKOBAP-it vërehet një përpjekje e sforcuar, e fshehur pas një gjuhe juridike të thatë, e cila, edhe pse në dukje mund të jetë brenda një logjike normale institucionale, të lë shijen e hidhur të hedhjes së topit në mënyrë hileqare në fushën e firmës fituese të konkursit, pra, te studioja “Pika Pro”. Në përfundimet përkatëse të TKOBAP-it vihet re një logjikë çuditshme, kur në pikën 1 theksohet: “…TKOBAP-i nuk mund të mbajë përgjegjësi për origjinalitetin e një produkti të tillë, pasi e ka praktikisht të pamundur të filtrojë arkivat publikë dhe privatë të studiove apo platformave të marketingut në botë. Për këtë arsye, është vetë autori i saj, i cili mban përgjegjësi ligjore për origjinalitetin e produktit, të materializuar në kontratën midis palëve dhe deklaratën e autorësisë.”

Duke iu përmbajtur vetëm fjalisë së mësipërme, lehtësisht shtrohet mendimi se, ose ekipi drejtues i TKOBAP-it është krejtësisht i paaftë të administrojë me seriozitetin e duhur këtë vlerë të çmuar të kulturës kombëtare shqiptare, ose me të vërtetë drejtuesit e TKOBAP-it e vlerësojnë publikun e gjerë me një naivitet djallëzor, duke fyer kështu drejtpërdrejt inteligjencën e shumë profesionistëve të artit.

Gjithashtu, edhe përfundimi i dytë i TKOBAP-it:

“…Paketa e propozuar nuk përfshin vetëm krijmtarinë e logos, por një sërë elementesh të cilat shoqërojnë “brand”-in, të përmendura më lart…”

…është hapur vetëm një përpjekje e dështuar për të tërhequr vëmendjen nga problemi i vërtetë në gjithë këtë katrahurë ideore dhe administrative. Siç u pa dhe u vërtetua më datë 10 shkurt 2021 në TCH nga vetë anëtari i jurisë përzgjedhëse, z. Saliaj, e gjithë çështja kishte kaluar pa një diskutim serioz e të mirëmenduar, duke mos shqyrtuar apo vendosur profesionalisht mbi një vendim, i cili do të ndikonte drejtpërsëdrejti në seriozitetin ardhshëm të vetë TKOBAP-it.

  1. Saliaj dhe kolegët e tjerë të jurisë përzgjedhëse jo vetëm që nuk e kanë profesionin e duhur për vlerësuar një çështje kaq delikate, aq më pak peshën artistike apo seriozitetin historik në vlerësimin e punës të vërtetë në TKOBAP, por edhe kur ai mundohet të përligjë veprimet/vendimet vetjake, të kolegëve në juri apo të eprorëve të tij, i përzien hollësitë në atë mënyrë, sa detyron edhe përfaqësues të lartë të Bashkisë së Tiranës të ndërhyjnë drejtpërsëdrejti në linjë telefonike në studion televizive të TCH për të kundërshtuar personalisht dhe me të drejtë përhapjen e të dhënave të gabuara që ai solli gjatë bisedës. E gjithë tabloja apo justifikimet e mbështjella kujdesshëm nën petkun e një kontrate të menduar që në fillim keq, anashkalimi i diskutimit e rrjedhimisht vlerësimit të gjerë profesional, jo vetëm që nuk ia heqin përgjegjësinë ekipit drejtues të TKOBAP-it, por e ngarkojnë atë me përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi gjithë zhvillimin e ngjarjes që nga fillimi.

Ndërkohë, studioja grafike fituese e konkursit, “Pika Pro”, del më 10 shkurt 2021 po ashtu me një njoftim zyrtar në Facebook, njoftim i cili, për shkak të mënyrës qesharake të përcjelljes së idesë zbatuese, paraqitur po ashtu me gabime sintaksore, me një logjikë artistike jashtëzakonisht sipërfaqësore, përbënte një “farce” të vërtetë dhe ndoshta për këto shkaqe, më pas, është fshirë nga llogaria zyrtare e studios “Pika Pro” në FB.

Epilog

Nga gjithçka u paraqit deri tani, ajo që vlen më shumë për t’u theksuar është nevoja për një reflektim të thellë, në radhë të parë politik. Është gjithashtu shumë e nevojshme dhe e domosdoshme që të caktohet përgjegjësia konkrete në lidhje me zhvillimin e vizionit të përgjithshëm artistik e administrativ të TKOBAP-it. Ndërtesa e ribërë nuk do të mund të përligjë kurrë ekzistencën e saj në mes të Tiranës, nëse niveli artistik, ideor, strukturor e njerëzor i TKOBAP-it nuk do të mund t’i nënshtrohet një site të thellë në përmbajtje e koncept si pjesë e një reflektimi të sinqertë drejt rritjes së ndikimit në shoqëri.

Gabimi është dukuri normale njerëzore. Kjo mund të ndodhë edhe me institucionet të cilat nga njerëzit drejtohen. Të pranosh gabimin si përfaqësues i lartë i një institucioni shtetëror mbi mënyrën e trajtimit të problemit në fjalë, tregon jo vetëm përgjegjësi dhe moral administrativ personal, por mbi të gjitha ia legjitimon vetes edhe pozicionin drejtues. Koha në vazhdim, dinamika e zhvillimit të kësaj ngjarjeje në ditët e ardhshme, do të na e tregojë më së miri seriozitetin apo mungesën e thellë tij lidhur me të gjithë aktorët përgjegjës në këtë ngjarje. Tërheqja/prapësimi nga konkursi dhe përzgjedhja e caktuar grafike, kalimi i çështjes për gjykim juridik ndaj studios Pika Pro, kërkesë për dëmshpërblim për shkak të prishjes së imazhit publik, në kuadër të dorëzimit të prurjeve grafike/audio-pamore jo unike, kërkesa për rikthimin e shumës përkatëse financiare, sikurse ndjesa institucionale publike mbi gjithë këtë trajtim sipërfaqësor të çështjes janë të paktët hapa, të cilët TKOBAP, si palë e dëmtuar, duhet t’i ndërmarrë shumë shpejt në ditët në vijim. Ndryshe, besueshmëria e publikut të gjerë, asaj force vitale, nga e cila mbahet edhe një strukturë e tillë kulturore, do të zbehet deri në kufijtë e mjerueshëm të sallave me publik të ftuar dhe jo të interesuar. Atëherë faji për gjithë këtë ka më shumë se një emër, të njohur e të ditur publikisht!

Autor: Desar Sulejmani
Pianist, dirigjent

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button