Simovski kërkoi falje: Gabim kam thënë që familjari nuk mundet ta tregojë gjuhën dhe përkatësinë etnike të familjarëve tjerë

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave (ESSH), Apostol Simovski, deklaroi se ka gabuar kur ka thënë se përkatësia etnike dhe gjuha e nënës në regjistrim do të mundet të deklarohen vetëm personalisht, a jo edhe në emër të një anëtari tjetër të familjes, njofton Portalb.mk.

“Po, kishim disa mospajtime, sipas të gjitha gjasave edhe deklarata të gabuara, para se gjithash nga ana ime. Më vjen keq dhe kërkoj falje që e solla opinionin në një mjegulli. Ligji shkruan shumë mirë, neni 8 atë e definon, nuk specifikon kush, kështu që patjetër të respektohet ligji në atë pjesë”, tha Simovski për 360 Gradë.

Kjo deklaratë i ka paraprirë një kundërshtimi nga zëvendës drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Ilmi Selami, i cili deklaroi se ka qëndrim të ndryshëm nga drejtori, Apsotoll Simovski, në lidhje me deklarimin e përkatësinë etnike dhe fetare të një pjesëtarit të familjes, i cili nuk do të gjendet në shtëpi në kohën e regjistrimit të popullsisë.

“Nëse vetë nuk je i pranishëm kur kryhet regjistrimi i popullsisë, familjarët nuk munden ta regjistrojnë përkatësinë etike dhe fetare tënden, pavarësisht nëse jeton në Maqedoni ose jashtë Maqedonisë”, tha Simovski në konferencë për shtyp më 5 shkurt, i cili ishte i shoqëruar me zëvendësin e tij Selamin.

Selami reagoi, duke theksuar se është gabim ajo që e ka thënë Simovski

“Nuk e di çfarë ka dashur të thotë drejtori dhe më mirë është atë ta pyesni. Por, e di që atë që e tha është gabim. Si e para, diçka e tillë nuk parashihet as me ligj, por as me metodologji. Dispozita ligjore është e përgjithshme dhe thotë se do të japë të dhëna, duke filluar nga numri amë e gjithçka që ka të bëjë me regjistrimin”, thotë Selami.

Metodologjinë e plotë në gjuhën shqipe mund ta lexoni: KËTU.

Kuvendi më 21 janar e ka miratuar Ligjin për Regjistrim të Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave në Maqedoninë e veriut, sipas të cilit regjistrimi duhet të zhvillohet 1 deri më 21 prill të këtij viti. Ligji garanton mbajtjen e regjistrimit sipas standardeve ndërkombëtare dhe Eurostatit.

Opozita mbetet në qëndrimin se regjistrimi duhet që të anulohet për vitin e ardhshëm, dhe nëse insistohet që i njëjti të mbahet në pranverë, ajo të bëhet nëpërmjet rrugës elektronike. VMRO-DPMNE formalisht ka filluar edhe iniciativë për shfuqizimin e Ligjit për Regjistrim. Përballë qëndrimit të VMRO-DPMNE-së, LSDM është me qëndrim se një lloj i tillë i operacionit statistikor nuk do t’i japë të dhënat e plotë ashtu siç janë të nevojshme dhe sipas standardeve të Eurostat.

Kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski, paraprakisht deklaroi se sipas tij nuk do të ishte problem që zbatimi i regjistrimit të anulohet për në maj ose qershor, ndaj së cilës, pardje, kryeministri Zoran Zaev tha se një propozim i tillë mund të shqyrtohet, por, vetëm nëse bëhet fjalë për anulim për një ose dy muaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button