RMV, vaksinimi do të fillojë të mërkurën, deri tani janë paraqitur 4.000 punonjës shëndetësor

Me vaksinat nga “Pfizer” që Maqedonia i siguroi nga Serbia të parët do të vaksinohen punonjësit shëndetësorë në spitalin modular në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Vaksinimi fillon të mërkurën, ndërsa deri tani janë paraqitur 4.000 punonjës shëndetësor, prej të cilëve gjysmat janë në Shkup. njofton Portalb.mk.

Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se 4.680 vaksinat e para nga Serbia janë vendosur në frigoriferë në Institutin për transfuziologji dhe se sistemi shëndetësor është plotësisht i përgatitur për imunizimin e popullatës.

Dërgesa e vaksinave i pranoi dje kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev nga delegacioni serb i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq. Shuma e përgjithshme që vendi duhet të marrë nga Serbia është 8000 vaksina.

“Gjatë ditës së nesërme do të përfundojë procedura e rregullt në Agjencinë e Barnave, pas së cilës vaksinimi do të fillojë të mërkurën me punonjësit shëndetësorë në klinikën modulare në Qendrën Klinike në Shkup”, tha Filipçe në një konferencë për shtyp në vendkalimin kufitar Tabanoc.

Përveç kësaj dërgese, pritet edhe marrja e 200,000 doza vaksinash nga Kina, për të cilat është nënshkruar marrëveshje.

Interes për vaksinim përmes aplikacionit online deri dje, kanë shpehur mbi 40,000 qytetarë. Ministria e Shëndetësisë informoi se 12,652 persona për vaksinim janë regjistruar përmes mjekëve amë.

Siç është planifikuar, grupi i parë për vaksinimin përfshin punonjësit shëndetësorë dhe personat mbi 70 vjeç.

Përndryshe, siç edhe njoftoi ministri Filipçe, ekzistojnë dy mekanizma për vaksinim. Njëri përmes ueb-faqes, ndërsa tjetri përmes mjekut amë.

“Mekanizmi i parë është përmes mjekut amë që shqyrton dëshirën apo vullnetin. E dyta është ueb-faqja, e cila me futjen e numrit amzë e gjen dosjen e tij elektronike në sistemin “Termini im” sipas algoritmit të moshës, sëmundjeve kronike etj. U jep përparësi qytetarëve për vaksinim dhe njofton mjekët amë të informojnë qytetarin. Gati 70% e punonjësve shëndetësorë kanë shprehur interes për vaksinimin dhe ata do të jenë të parët që do të vaksinohen. Pastaj, personat e tjerë mbi 70 vjeç. Me trajtimin e sëmundjeve kronike, bëhet një listë për informimin e mjekëve amë, më tej mjekët amë duhet të informojnë pacientët e tyre dhe t’i pyesin ata nëse duan të vaksinohen dhe informacioni të futet në Termin Tim”, theksoi Filipçe.

Për të siguruar mbrojtje ose imunizim kolektiv, gjegjësisht për të ndërprerë përhapjen e kovid-19, siç thonë nga Organizata Botërore të Shëndetësisë, është e nevojshme që rreth 70% e popullatës të vaksinohen. Derisa shteti po i pret dozat e para të vaksinave, ekspertët shëndetësorë vlerësojnë se duhet kohë për të vaksinuar 70 përqind të popullsisë në mënyrë që, të themi kushtimisht, të mund të “merrnim frymë” më lirshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button