fbpx

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e shpallën fitoren e zgjedhjeve me afër 50% të votave

15. 02.2021 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka numëruar rreth 99 përqind të fletëvotimeve nga 2 mijë e 336 vendvotime.

Rezultatet preliminare të KQZ-së:

  • Vetëvendosje kryeson me 48, 17 përqind
  • Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,35 përqind
  • Lidhja Demokratike e Kosovës ( LDK) me 13, 18 përqind.
  • Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7,42 përqind dhe
  • Nisma me 2,59 përqind.

Këto janë rezultatet preliminare e të cila nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Ndërsa mbrëmë, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti në konferencën për media tha se fitorja e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit do të mbahet gjatë në mend dhe se në kujtesë do të jenë edhe rreshtat e gjatë pranë shkollave dhe votimi masiv i mërgatës.

00.03: Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

“Ky referendum për drejtësi dhe punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti në një konferencë për media nga selia e partisë së tij në Prishtinë.

“Nga nesër fillon një ditë e re. Na presin shumë punë dhe angazhime, sepse vendi është në kriza të shumëfishta”, tha ai, transmeton REL.

“Secili prej nesh duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon, për ta bërë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë, ashtu siç i dashur për të gjithë”, tha po ashtu Kurti, duke u zotuar se Vetëvendosje do të udhëheqë “pa inate dhe pa revanshizëm”.

00.02: Kandidati për kryeminisër nga Vetëvendsoje, Albin Kurti dhe kandidatja për Presidente, Vjosa Osmani kanë mbajtur një konferencë për media.

Osmani thotë se mandati i fituar nuk është për hakmarrje dhe se korrupsioni do luftohet pa kompromis, përcjellë Gazeta Blic.

“Sot Kosova votoi për një të ardhme faqebardhë. Duke qëndruar këtu jemi të vetëdijshëm për besimin që na e keni dhënë. Përgjegjësia është edhe nder i madh, e do punojmë për demokracinë. Ky nuk është mandat për hakmarrje. Do luftojmë pa kompromis korrupsionin. Zëri juaj do jetë zëri ynë. Fitorja e sotme plebishitare është përgjigje për ata që nuk besonin. Qytetarët e bën të ditur se e ndëshkojnë keq qeverisjen. Sot fillon puna për ndryshimin dhe luftimin e pandemisë”, deklaroi Osmani në konferencë për media.

23.30: Me 76 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit vazhdon të prijë, duke siguruar 48 për qind apo mbi 287 mijë vota.

Sipas rezultateve preliminare, të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia e dytë, Partia Demokratike e Kosovës ka 17.51 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.35 për qind, transmeton REL.

Në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.43 për qind. Në këto zgjedhje morën pjesë 47 për qind e votuesve. Të drejtë vote kishin mbi 1.7 milion qytetarë.

23.13: Lëvizja Vetëvendosje prin me 48.08% nga numërimi i 72.1 për qind të votave nga gjithsej 2.382 qendra të votimit.

Votat e deritanishme të numëruara nga KQZ-ja, renditin të dytën Partinë Demokratike të Kosovës me 17.57 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 13.37 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e katërta 7.45 për qind.

22.17: Me më shumë se gjysmën e votave të numëruara nga zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me 48.20 për qind.

Pas saj vjen Partia Demokratike e Kosovës me 18.18 për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 13.62 për qind të votave, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.91 për qind.

22.07: Nga 44.79% të votave të numëruara VV prin me 48.05%, PDK 18.39%, LDK 13.67%.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka numëruar 44.79 për qind të votave nga 2.382 qendra të votimit.

Partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje prin me 48.05 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 18.39 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.39 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8.30 për qind, Lista Serbe 3.61 për qind, Nisma Socialdemokrate 2.67 për qind.

Përqindjen e saktë të rezultateve mund ta gjeni duke klikuar KËTU.

21.45: Sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po prin me numrin më të madh të votave të fituara.

Nga 35 për qind të votave të numëruara deri në orën 21:30, LVV-ja ka 47.33 për qind apo mbi 130 mijë vota. Kjo parti, në zgjedhjet e vitit 2019 kishte fituar 26.27 për qind apo 221 mijë vota, transmeton REL.

Në vendin e dytë gjendet Partia Demokratike e Kosovës me 18,65 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.82 për qind të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po publikon në ueb-faqen e saj rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura të dielën.

Në këto zgjedhje morën pjesë 47 për qind e votuesve. Të drejtë vote kishin mbi 1.7 milion qytetarë.

Lëvizja Vetëvendosje u bëri thirrje qytetarëve që të mos dalin në rrugë e sheshe për të festuar, por të festojnë në shtëpitë e tyre, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kjo parti, në këto zgjedhje, kishte kandidat për kryeministër liderin e partisë, Albin Kurtin.

Ndryshe, rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta.

19.30: Kutitë e votimit janë mbyllur, dalja në zgjedhje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte rreth 47%. Mediat kanë filluar t’i publikojnë exitpollet, njofton Portalb.mk.

Rezultatet nga exitpolli i publikuar në KlanKosoves

  • Vetëvendosje 41,8%
  • Partia Demokratike e Kosovës 16,5%
  • Lidhja Demokratike e Kosovës 15,2%
  • Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7,2%
  • Nisma Socialdemokrate, nuk kalon pragun 2,6%

Rezultatet nga exitpolli i publikuar në Kanal 10

  • Vetëvendosje 52%
  • Partia Demokratike e Kosovës 20%
  • Lidhja Demokratike e Kosovës 17%
  • Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7%
  • Nisma Socialdemokrate, nuk kalon pragun 2%

Rezultatet nga exitpolli i publikuar në RTV Dukagjini

  • Lëvizja Vetëvendosje 47,9%
  • Partia Demokratike e Kosovës 17,7%
  • Lidhja Demokratike e Kosovës 14,6%
  • Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6,6%
  • Nisma Socialdemokrate 2,7%

Rezultatet nga exitpolli i publikuar në Koha.net

  • Lëvizja Vetëvendosje 50,7%
  • Partia Demokratike e Kosovës 15,4%
  • Lidhja Demokratike e Kosovës 15,1%
  • Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6,8%
  • Nisma Socialdemokrate 2,9 %

Ndryshe, vendvotimet u hapën në ora 7 të mëngjesit me të gjitha materialet e nevojshme. Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ka qenë e obligueshme që pjesëmarrësit në votime të mbajnë maska dhe t’i dezinfektojnë duart.

Sipas të dhënave nga KQZ-ja, në këtë proces u angazhuan mbi 1 mijë ekipe të lëvizshme për votuesit të cilët janë në vetë-izolim për shkak të koronavirusit.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës garuan 28 subjekte politike, nga të cilat 21 janë parti politike, dy koalicione dhe 5 nisma qytetare. Gjithsej 1.052 kandidatë janë paraqitur për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Zgjedhjet po vëzhgohen nga rreth 30 mijë vëzhgues, duke përfshirë vëzhgues nga subjekte politike, organizata joqeveritare, përfaqësues të ambasadave dhe të tjerë.

Këto zgjedhje të parakohshme janë zgjedhjet e pesta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe të tetat që pas luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button