Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë: U mbyllën qendrat e votimit

Pas 12 orësh të hapura për votuesit, në territorin e Kosovës janë mbyllur 888 qendrat e votimit apo gjithsej 2.382 vendvotime, raporton Anadolu Agency (AA).

Dalja deri në orën 15:30 sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka qenë më e lartë se ajo e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019 deri në të njëjtën kohë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka njoftoi se deri në ora 15:30, në këto zgjedhje saktësisht 32,32 për qind apo 567.934 votues kanë shfrytëzuar të drejtën e votës nga gjithsej 1.794.862 qytetarë të regjistruar në listën e votimit.

Ndërsa në zgjedhjet e 2019-ës, deri në të njëjtën kohë në votim kishin dalë 29,28 për qind, apo 554.750 votues.

Daka po ashtu theksoi se mbarëvajtja e procesit zgjedhor ka vazhduar normalisht deri në orën 15:30 dhe “pa ndonjë problem të veçantë të paraqitur”.

Vendvotimet u hapën në ora 7 të mëngjesit me të gjitha materialet e nevojshme. Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ka qenë e obligueshme që pjesëmarrësit në votime të mbajnë maska dhe t’i dezinfektojnë duart.

Sipas të dhënave nga KQZ-ja, në këtë proces u angazhuan mbi 1 mijë ekipe të lëvizshme për votuesit të cilët janë në vetë-izolim për shkak të koronavirusit.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës garojnë 28 subjekte politike, nga të cilat 21 janë parti politike, dy koalicione dhe 5 nisma qytetare. Gjithsej 1.052 kandidatë janë paraqitur për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Zgjedhjet po vëzhgohen nga rreth 30 mijë vëzhgues, duke përfshirë vëzhgues nga subjekte politike, organizata joqeveritare, përfaqësues të ambasadave dhe të tjerë.

Këto zgjedhje të parakohshme janë zgjedhjet e pesta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe të tetat që pas luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button