ANALIZË: Më të aftit për punë deri në moshën 49 vjet – më të prekur nga kriza ekonomike! 

Më të prekur nga kriza ekonomike – punonjësit e moshës deri në 49 vjet. “Papunësia e të rinjve” është në rënie, por edhe më tej mbetet më e thella. Kriza e Kovid-19 nxori në sipërfaqe probleme dhe dobësi të shumta në tregun e punës. Këto janë disa nga gjetjet në analizën “Planifikimi i qeverisë – efektiviteti i masave qeveritare për t’u përballë me rreziqet e tregut të punës dhe si të planifikohen mjetet për t’i kapërcyer ato” – e përgatitur nga Enti Shtetëror i Statistikave, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Cilët punëtorë dhe për çfarë arsye e kanë humbur vendin e punës për shkak të krizës ekonomike…

Gati 4.800 njerëz nga industria e përpunimit të ushqimit humbën vendet e tyre të punës gjatë pandemisë, dhe menjëherë pas këtij sektori me numrin më të madh të punonjësve të paraqitur si të papunë gjatë pandemisë është tregtia me gati 4.500 punonjës. Raporti i ri i revizionit zbuloi shifrat “e zeza” për gjendjen e tregut të punës në vend gjatë pandemisë, nga fillimi i marsit të vitit të kaluar deri në fund të gushtit të vitit 2020. Sipas të dhënave të marra nga revizorët, 38% e të papunëve të regjistruar rishtazi vijnë nga vetëm një veprimtari – industria e përpunimit të ushqimit.

Në sektorët tjerë, siç janë arsimi, mbrojtja shëndetësore, informacioni dhe komunikimi, bujqësia, veprimtaritë profesionale dhe shkencore, numri i njerëzve që e kanë humbur punën është nën 500. Kjo krizë e Kovid-19 në sipërfaqe gjithashtu e nxori problemin se shumica e të punësuarve ishin me afat të caktuar. Kështu, 5.800 njerëz e humbën punën e tyre për shkak të skadimit të kontratës së përkohshme të punës, pothuajse 3.000 me përfundimin e punës me marrëveshje, pothuajse 1.500 dhanë dorëheqje vetë, ndërsa gati 1000 u pushuan nga puna nga punëdhënësit.  Në këtë valë ekonomike të krizës, njerëzit me arsim të mesëm, fillor ose pa arsim ishin më të prekurit. Madje 55.8% e të papunëve të rinj kanë arsim të mesëm, 25.2% nuk kanë arsim ose kanë arsim fillor, ndërsa 19% kanë arsim gjysmë të lartë ose të lartë.

Mosha e personave që kanë humbur punën në Maqedoninë e Veriut

Për më tepër – më të prekur ishin ata që ishin më të aftë për punë – njerëzit e moshës 30 deri 49 vjet dhe ata deri në 29 vjet.

Masat e punësimit – cilat janë efektet…

Masat për të rritur punësimin përmes Planit aksional po japin rezultate, por qëllimi nuk është arritur ende – thonë revizorët që nën thjerrën e tyre i vendosën edhe efektet e masave qeveritare për punësim.

“Nga analiza e kryer për periudhën 2017-2019, kemi gjetur se kontributi nga implementimi i programeve dhe masave aktive që rezultuan me punësime në raport me numrin e personave të papunë (punëkërkuesve aktivë) varion nga 4% deri në 5% në nivel vjetor, ndërsa përqindja e të punësuarve në raport me numrin e përgjithshëm të personave të regjistruar si të papunë varion nga 2.2% deri në 2.5%” – thuhet në raport.

Revizorët e theksojnë problemin më të madh – papunësinë e të rinjve, e cila është në shkallën më të lartë.

Statistikat tregojnë një ulje të papunësisë, dhe sipas revizorëve, masat aktive për punësim kanë luajtur një rol në këtë.

“Me gjithë masat e marra dhe trendin në rënie të papunësisë së të rinjve, ende vërehet një përqindje e lartë e papunësisë” – thuhet në raportin e revizionit. Në vitet e kaluara, u regjistrua një trend i uljes së papunësisë së përgjithshme në vend, e cila para fillimit të pandemisë arriti një përqindje prej 17,3% në vitin 2019. Sipas këtij parametri, Maqedonia, përveç Greqisë, është vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në rajon dhe në raport me vendet e BE-së. Më të mirë se ne janë Shqipëria me përqindje të papunësisë prej 12,3% në 2019, Serbia me 10.5%, Kroacia me 6.6%, ndërsa përqindja mesatare e papunësisë në vendet e BE ishte 6,7%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button