Sot mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Me maska dhe duke mbajtur distancë, qytetarët e Kosovës po votojnë të dielën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas më pak se një vit e gjysmë nga zgjedhjet e fundit.

Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00, njofton REL.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bëri të ditur se qendrat e votimit janë hapur sipas planit. Ai tha se procesi i votimit po vijon normalisht, në bazë të informatave të para nga terreni.

Elezi pranoi se për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe borës, ka pasur vështirësi në komunikacion gjatë përcjelljes së materialit zgjedhor nëpër qendra të votimit, por shtoi se materiali është dërguar me kohë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka votuar e para në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik. Pas votimit ajo ka deklaruar se KQZ-ja tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe obligimet e veta kushtetuese e ligjore për votimet e së dielës.

“Ftoj qytetarët t’i respektojnë rregullat e pandemisë dhe gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre, votimit”, ka thënë Daka në prononcimin për media duke shtuar se, “Sot ia dorëzojmë gjithë procesin subjekteve politike dhe votuesve”.

“Ftoj subjektet politike t’i respektojnë rregullat, Ligjin për zgjedhjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, e pyetur për organizimin e zgjedhjeve në veri, Daka ka thënë se KQZ-ja i ka organizur zgjedhjet në veri të Kosovës:

“Edhe në vitet e kaluara zgjedhjet i kemi organizuar vetë. Misioni i OSBE-së ka pasur vetëm rol këshillues”.

Procesi i votimit po mbahet në mot të ftohtë e me borë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -11 deri -9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -5 deri -3 gradë Celsius.

Për këto zgjedhje, KQZ-ja tashmë ka pranuar 43.477 pako me fletëvotime, të dërguara me postë nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës. Ky institucion, më herët ka njoftuar se 103,582 qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës u është mundësuar e drejta e votimit për këto zgjedhje.

Në këto zgjedhje garojnë 28 subjekte politike: 21 parti politike, dy koalicione dhe pesë iniciativa qytetare, me 1.052 kandidatë të cilët garojnë për 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje ka për kandidat për kryeministër kreun e partisë, Albin Kurtin, i cili nuk u certifikua që të garojë për deputet në këto zgjedhje. Lidhja Demokratike e Kosovës garon për të parin e qeverisë me Avdullah Hotin, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, garon me Enver Hoxhajn për postin e kryeministrit.

Për këto zgjedhje janë akredituar rreth 30 mijë vëzhgues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button