Vaksinat e kthejnë Ballkanin drejt Rusisë dhe Kinës

Fuqia, mjeshtëria dhe diplomacia janë një ndër mjetet që një shtet apo qeveri i vë në zbatim kur zhvillon politikë të jashtme qoftë agresive apo paqësore. Në kohën e sotit të zhvillimit të teknologjisë dhe botës kibernetike, diplomacia e butë me mjete hibride është një ndër më të rrezikshmet dhe vdekjeprurëset jo vetëm për shtetet e fuqishme që kanë mundësi të mbrohen por, edhe për ato të brishta siç janë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në përgjithësi, është vështirë që një shtet të organizohet shpejt dhe të përgatisë opinionin dhe qytetarët nga sulmet hibride që i ndërmarrin qeveritë e caktuara dhe aktorët jo shtetërorë. Vënia e diplomacisë në funksion të shtetit të thellë, individëve apo politikave të caktuara ka qenë dhe vazhdon të paraqesë problem për funksionimin e shtetit juridik dhe normalizimit të raporteve ndërshtetërore dhe të brendshme në mjediset e përziera.

Rusia dhe Serbia bashkë me kinezët tashmë pa e veçuar këtu edhe qeverinë në Shkup, kanë krijuar një “korridor” të ri përballë BE-së dhe SHBA-së në gjeopolitikën e vaksinave për të cilën kemi paralajmëruar që nga viti 2020 këtu në Portalb që kur filloi pandemia globale dhe u shfaqën shenjat e para të garës për vaksina, dezinformim dhe tendenca për ngadalësimin e shpërndarjes së vaksinave.

Ende duket e paqartë se si qeveria e Maqedonisë së Veriut dështoi në sigurimin e dozës së parë të vaksinave, pasi ky moment po e kthen kursin maqedonas të politikës së jashtme drejt boshtit që dikur e promovonte qeveria e Gruevskit. Kryeministri Zaev tha se kanë biseduar me partnerët dhe Uashington për këtë çështje. Largimi nga qëllimet e deklaruara, gabimet e përsëritura të qeverisë dhe zbatimi i planeve amatore nga kreatorët e politikës së jashtme, mbesin probleme kronike për Maqedoninë e Veriut e cila po vazhdon politikën e vjetër të trashiguar nga diplomacia jugosllave.

Shkupi zyrtarë nuk i ka kapacitetet e Serbisë në lojën e vaksinave. Pjesëmarrja e Shkupit në këtë valle serbe që bazohet në politikat e hershme të shtetit serb për ndihmë nga Rusia Cariste, tregon se në vitet që vijnë pushtetarët në Shkup do të vazhdojnë të flasin për BE-në si anëtare të NATO-s por, gjithnjë duke u larguar nga orbita evropiane dhe përshtatur linja të qarta të politikës serbe në Maqedoninë e Veriut. Në këtë kurth të ri janë gjetur edhe disa shtete të fuqishme evropiane duke dërguar sinjale të gabuara në Ballkanin Perëndimor.

Diplomacia e vaksinave tani do ta shpartallojë Ballkanin dhe jo vetëm nga nacionalizmi që është rritur por, edhe nga përpjekjet për rivendosje të sërisshme të një balance që do të përjashtonte amerikanët shpejt nga Ballkani. Në fakt, shtetet e BE-së dhe ato të qeverive të Ballkanit, kanë deklaruar se dëshirojnë të jenë më shumë evropianë dhe t’i mbajnë lidhjet transatlantike e që nëse përkthehet në veprime kjo tërthorazi e vendosë më afër BE-në dhe Ballkanin nga Rusia dhe Kina dhe me pasoja afatgjate në raportet me SHBA-në.

Edhe pse që nga fillimi i pandemisë BE-ja ndau qindra miliona euro për Ballkanin, siç shihet me vaksinat dhe me fuqinë e butë diplomatike Kina dhe Rusia kanë bërë një kthim të hapur në mendjet dhe zemrat e banorëve të Ballkanit. Sistemi “Covax” ende nuk arriti të bëjë shpërndarjen e vaksinës në Ballkan, kurse Sputnik V i duhet vetëm të aprovohet nga disa shtete që të administrohet tek popullata.

Edhe pse kishte dilema strategjike nga qeveritë rajonale për apo jo blerje të Sputnik V, tash të gjitha opsionet janë të hapura dhe ndoshta do të pritet me gëzim Sputnik V dhe Sinopharm. Politika e vaksinave do të dominojë politikën e jashtme të rajonit dhe zgjidhjet e vështira që duhet t’i bëjnë qeveritë. Në funksion të kësaj gjendje do të duhet që qeveria e Zaevit të vendosë se cilat janë përparësitë dhe efektet e involvimit ruso-kinez në MV dhe në rajon.

Për ironi Ambasada e Rusisë në MV ka deklaruar se qytetarët e MV-së e kërkojnë vaksinën ruse po kjo nuk varret nga Rusia, ndërsa Ambasada Amerikane në Shkup s’ka çka të ofrojë më shumë dhe ndryshe nga ajo çka “Pfizer” e ka të rregulluar se si bëhet blerja dhe shpërndarja e vaksinave dhe pse pala e dytë apo shteti A nuk mund të jetë donues ndaj shtetit B.

Është e paqartë se nga do të shkojë në fund rajoni i Ballkanit me shtete anëtare të NATO-s që janë si kurth për aleancën dhe unionin ekonomik për shkak të lidhjeve historike të popujve dhe psikologjisë së frikës nga dominimi dhe pushtimi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button