Kosovë, aktivistët kërkojnë dënimin e agresorëve serb

Familjet e viktimave dhe aktivistët politikë akuzuan autoritetet në Kosovë se nuk kanë marrë masa ligjore ndaj përgjegjësve për dhunën në vitin 2000.

Gani Xhaka, gruaja e të cilit u vra 13 vjet më parë gjatë një sulmi të dyshuar nga serbë të armatosur në qytetin verior të Mitrovicës, tha se “institucionet nuk kanë bërë asgjë” për të dënuar autorët.

“Askush nuk është arrestuar që atëherë, as emrat nuk janë bërë publikë”, tha ai.

Ai po fliste në një debat në Mitrovicë të mbajtur për të shënuar përvjetorin e dhunës në shkurt të vitit 2000, të organizuar nga Lëvizja e Vetëvendosjes, parti opozitare që refuzon dialogun me Serbinë dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, KMDLNJ.

KMDLNJ tha se 10 shqiptarë etnikë u vranë, 25 u plagosën, 93 u torturuan dhe më shumë se 11 000 u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, kur “grupet kriminale” serbe i sulmuan disa muaj pas fundit të luftës në Kosovë.

Asnjë nga agresorët e dyshuar nuk janë arrestuar që nga koha e dhunës, që u dënua në atë kohë nga OKB-ja dhe Parlamenti Europian.

Halit Berani, shefi i KMDLNJ -së, u ankua se “autorët serbë [ende mund] të lëvizin të lirë”.

Të hënën, aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje ngjitën posterë me emra të viktimave të Mitrovicës në mure rreth Prishtinës, në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën në vitin 2000.

Pjesa veriore e Kosovës, e udhëhequr nga serbët, është de fakto në kontroll të institucioneve paralele të financuara nga qeveria serbe.

Rajoni ka parë përplasje të shpeshta mes shqiptarëve, shumica e popullatës në Kosovë dhe minoritet serb që refuzon çdo kontakt me autoritetet në Prishtinë.

Tensionet janë rritur në veri të Kosovës në dy ditët e fundit, pasi tre shpërthime tronditën zonën; shpërthimi i tretë plagosi dy të rinj serbë. /Gazetajnk

Lajme të ngjashme

Back to top button